Sigal

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, priti dje në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavusoglu. Kryetari i Kuvendit Ruçi theksoi se marrëdhëniet e Shqipërisë me Turqinë janë strategjike, për shkak të lidhjeve historike, bashkëpunimit intensiv politik, partneritetit të ngushtë në NATO, shkëmbimeve të përgjithshme dinamike si edhe pozitës së dy vendeve në rajon. “Bashkëpunimi politik është i shkëlqyer dhe marrëdhëniet janë miqësore.

Shkëmbimet e shumta dhe intensive të viteve të fundit po konsolidojnë partneritetin strategjik dhe bashkëpunimin institucional në të gjitha fushat e nivelet”- u shpreh kryeparlamentari Ruçi. Kryetari i Kuvendit, konfirmoi vullnetin politik të Shqipërisë për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe dhe për të identifikuar fusha të reja të bashkëpunimit me interes të ndërsjellë, veçanërisht në marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare. Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë. Mevlüt Çavusoglu nënvizuan se forcimi i diplomacisë parlamentare është një instrument i fuqishëm për zgjerimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Turqisë.