Gramoz Ruçi: Jam partizan për mazhoritar të pastër. Edhe Berisha pohon për proporcional

478
Në fakt, në prapaskenën politike edhe PD, edhe PS po bisedojnë bashkërisht, që të gjejnë një zgjidhje sa më të mundshme, që t’u përshtatet vetëm këtyre 2 partive dhe (mundësisht) që të përjashtojë nga Parlamenti të gjitha partitë e tjera. Dhe për këto nisma të prapaskenës politike edhe PD, edhe PS, kur vjen puna, që duan të përmbushin bashkërisht qëllimet e tyre partiake e gjejnë “konsensusin” menjëherë. Mirëpo, prapaskenat politike PD-PS për sistemin Prim në Kodin Zgjedhor janë zbardhur dhe kanë filluar reagimet e para. Në forumin e gazetës “Telegraf” me pyetjen: Çfarë qëndrimi politik keni për sistemin Prim në Kodin Zgjedhor? përgjigjen: Gramoz Ruçi, Dashamir Shehi, Tahir Muhedini, Skënder Gjinushi, Nard Ndoka, Adriatik Alimadhi, Arian Galdini. Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Gramoz Ruçi pohon, se është partizan për mazhoritar të pastër, por pohon që për ndryshime në Kod Zgjedhor duhet dakordësi, të paktën Parlamentare. Dash Shehi, shpreh mendimin për Prim, por në sistem mazhoritar, ndërkohë që të gjithë të tjerët janë kundër Primit në Kodin Zgjedhor. Gjithashtu, edhe Berisha është kundër Primit, sepse pohon që fshin me fshesë 1/3 e votuesve dhe shikon që do të shkohet drejt proporcionalit. Jozefina Topalli i kujton Ramës që ta harrojë Primin, ndërsa Milo pohoi në intervistën për gazetën “Telegraf” se PD-PS me sistemin Prim duan të godasin LSI dhe partitë e tjera. 
Gramoz Ruçi, kryetar i Grupit Parlamentar të PS: Unë jam partizan për mazhoritar të pastër, po, absolutisht për mazhoritar të pastër
Unë jam partizan për mazhoritar të pastër, po, absolutisht për mazhoritar të pastër. Që do të thotë ballafaqim ballë përballë, kush të fitojë. Por këtu nuk bëhet fjalë se çmendoj unë. Pse? Asnjë parti e vetme, qoftë kjo Partia socialiste, Partia Demokratike, LSI nuk mund të ndryshojë kështu sistemin. Pra, për sistemet zgjedhore në përgjithësi dhe Kodin Zgjedhor në veçanti duhet një dakordësi e plotë e spektrit politik, të paktën, atij parlamentar.
Dashamir Shehi, kryetar i LZHK, deputet: Jam për Primin në sistem mazhoritar, që maxhoranca të mos bëjë biznes politik në parlament
Unë jam dakord, e kërkoj vite këtë, të shoqëruar Primin me një paketë proporcional kombëtar, me listë të hapur, dhe jo me listë të mbyllur, që janë në dorë të kryetarit të partisë. Që ky ndryshim i Kodit Zgjedhor me Primin të ketë element maxhoritar. Atë nivel 2,5 % që kemi sot në Kushtetutë, si kufi për hyrjen e partive politike në Parlament të mos ngrihet. Primi të jetë 10 %. Primi në dukje duket si antidemokratik, por në kushtet e Shqipërisë, sporti, që thyhet në zgjedhje, herë majtas dhe herë djathtas, duhet të përfundojë, se deformon gjithë natyrën e demokracisë. Edhe funksionet e ekzekutivit. Fillon pushteti, fillon rishpërndarja e ekzekutivit. Prandaj, ata që fitojnë shumicën dhe Primin dhe qeverisjen, të kenë aftësi dhe mundësi të qeverisin të qeta, pa pasur nevojë që çdo 6 muaj maxhoranca të hyjë në biznes politik, me element, apo brenda parlamentit. Ndaj gjykoj, që për situatën që jetojmë në Shqipëri, ky Primi në maxhoritar mbase bën kthesë. Do të ulet me 10 % roli i partive alternative, apo të vogla, por kjo nuk e zhduk funksionin e tyre. Vetëm se një parti që ka marrë 10 % zgjedhje, tani do të marrë 9 deputetë. Kjo është diferenca, ndaj bëjnë diferenca të kota disa, që e quajnë Primin vdekje të demokracisë. Ky Prim në maxhoritar i jep mundësinë partisë që ka fituar më shumë vota, që të qeverisë e qetë. Dhe gjykoj që kjo është e natyrshme, sepse ne, fatkeqësisht, aleancat politike i kemi zbritur në pazare, në biznes ekonomik. Këtu nuk është puna se krijohen formacione elektorale parazgjedhore. Këtu formacionet krijohen përqark qeverisë, përqark pushtetit, jo përqark ideve, mbasi kanë mbaruar zgjedhjet, gjë që është shumë e gabuar. Askush nuk ka pse trembet nga Primi, sepse do ta ulë rolin e partive alternative, vetëm 10 %, nëse Primi vendoset 10 %. Pas kaq vjetësh, që kemi provuar këto sisteme, nuk shikoj ndonjë dramë të madhe, që Shqipëria edhe një dekadë tjetër mund të administrohet politikisht edhe kështu. Këtë e bëjnë edhe vendet fqinje tona, kështu e kanë Greqia, Italia, bile edhe në shifra shumë më të mëdha. Këto janë ide që mund t’i nënshtrohen një debate të madh publik. Nuk ka vlerë, nëse jepet Primi me këtë Kod të tanishëm Zgjedhor, sepse përforcon pushtetin e një individi. Prandaj Primi shoqërohet me një paketë, që e demokratizon sistemin, që do të thotë, do të bëjmë një sistem jo rajonal kombëtar, do të bëjnë një listë të hapur, që elektorati të zgjedhë drejtpërdrejt individin. Të krijohet për herë të parë një hierarki politike shqiptare, që të votohen njerëzit që vlejnë në politikë, jo thjesht të emërohen nga kryetarët e partisë. Vetëm Primi maxhoritar bëhet efektiv dhe nuk prish rregullat e demokracisë. 

Prof. Skënder Gjinushi, kryetari i PSD: Tani, me Prim, PD pas 50 vjetësh vjen në pushtet

Unë nuk besoj se do ta futin Primin në Kod Zgjedhor, se e tha Saliu, jo! Po, mirë, nëse edhe Basha ka rënë në Pazar për Primin, thua se e ka vendosur që tani që të rrijë tërë jetën në opozitë?! Basha, duke kujtuar se do shkurtojë partitë e vogla, kështu do shkurtojë këmbët e veta. Tërë jetën, mendon që do jetë në luks në opozitë? Tani, me Prim, PD pas 50 vjetësh vjen në pushtet. Ja, ta zëmë, se PD vjen në pushtet, pas 24 vjetësh! Ndryshon gjë? Po të dojë Basha, le ta pranojë Primin, që të plaket në opozitë!

Tahir Muhedini, deputet i PDIU: PS-PD nuk duan parti të tjera parlamentare, me Primin në Kodin Zgjedhor

Në fakt, Kodi Zgjedhor, që duan PD-PS, do të thotë që nuk duan t’u krijojnë mundësitë partive të treta e të vogla, që të jenë edhe ato parti parlamentare dhe shikojnë vetëm interesat e tyre partiake. Unë mendoj që në parlament të ketë sa më shumë forca parlamentare. Ndryshimi I Kodit Zgjedhor duhet të behët vetëm me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike, e veçanërisht atyre parlamentare, aq sa ne, si deputetë që jemi, nuk kemi fare informacion se çfarë gatuajnë për Kodin, aq sa i marrim vesh lajmet nga media. Duhet të bisedojmë dhe të japim mendimin tonë, edhe për ndryshimet që duhet të bëjmë në Kodin Zgjedhor. Është ende shpejt, që të diskutojmë që tani, se çfarë duhet të bëjmë. Duhet të shikojmë, se çfarë do bëjnë edhe të tjerët, por në radhë të parë, vetë ne, si PDIU duhet të mblidhemi e të vendosim strategjinë tonë politike, se çfarë do të bëjmë, që të jemi unik me mendimin tonë.
Nard Ndoka, kryetar i PDK: Tendenca për të futur Primin në Kodin Zgjedhor është deformim i realitetit politik, monopol me ligj dhe goditje për pluripartizmin
Ndryshimi i sistemit zgjedhor me pazare politike është i papranueshëm. Tendenca për të futur Prim në Kodin Zgjedhor është deformim i realitetit politik, monopole me ligj dhe goditje për pluripartizmin. Kërkohet debat politik, konsensus për të arritur standardet. Problem kryesor mbetet administrimi i zgjedhjeve, duhet të bëhet urgjentisht depolitizimi i komisionerëve dhe të administratës zgjedhore, duke kaluar në administratë jo politike, zgjedhore. Dy partitë PS e PD bien dakord për pazare dhe interesa të tyre, në dëm të standardeve dhe pluralizmit dhe qëllimet e tyre, për të ndryshuar Kodin Zgjedhor, sipas interesit të tyre partiak, është deformim të vullnetit të votës së qytetarëve dhe cenim të Kushtetutës. PDK ka kërkuar vazhdimisht standarde për zgjedhjet, përfaqësim real me votat që merr dhe do luftojmë me të gjitha format demokratike që kjo të arrihet.
Adriatik Alimadhi, kryetar i Ballit Kombëtar: Kam mendimin se këta (PD-PS) që kërkojnë të vendosin Primin, kanë koncept diktatorial
Primi nuk është parim demokratik, çdo subjekt politik në Shqipëri duhet të përfaqësohet në institucionin legjitim, siç është te parlamenti, sipas votave të marra nga elektorati shqiptar. Kam mendimin se këta (PD-PS) që kërkojnë të vendosin Primin kanë koncept diktatorial, udhëheqja e një partie të vetëm të çon në diktaturë dhe aq më keq për këta udhëheqësa dhe politikanë që ka nxjerr deri tani Shqipëria. Kam mendimin se me Primin e kërkuar Partia Komuniste, ish Partia e Punës sot Partia Socialiste do të ngelet historikisht në pushtet, në qoftë se edhe PD është me këtë mendim, mendoj se vjen nga i njëjti mentalitet.
Arian Galdini PLDE: Me Prim, thjesht sanksionohet edhe më fortë pozicioni i njërit prej Kryetarëve mbi Kryetarokratët e tjerë. Vetëm kaq
Këta duan Primin, sepse kanë humbur pëlqimin. Këta e kanë kuptuar se qytetaret nuk i duan më, nuk i votojnë më, nuk i besojnë më. Ndaj edhe bëjnë pirueta ligjore me Kodin Elektoral për të legalizuar delinkuencën e tyre elektorale. Vini re, Partitë politike shqiptare nuk kane demokraci të brendshme. Vendos Kryetari me një grusht përfaqësues klientelash partiake. Këta duan të vrasin edhe përfaqësimin e Partive dhe alternativave të reja, me Kodin e tyre Zgjedhor. Këta zgjedhjet i duan vetëm për Kryetarokratët. Qytetarët nuk janë aspak pjesë e mendimit dhe qëllimësisë se çdo lloj ndryshimi të Kodit Elektoral. Me Prim, thjesht sanksionohet edhe më i fortë pozicioni e njërit prej Kryetarëve mbi Kryetarokratët e tjerë. Vetëm kaq. Duan që me Prim, të lenë të parë e të vetëm njërin prej Kryetarëve. Qytetarët nuk kanë pikëlidhje e asnjë mundësi përfaqësimi me këtë sistem elektoral të përfolur. Sidoqoftë, këta do ta bëjnë të tyren, së bashku, apo ndarazi. Ajo që dua të theksoj është se këta mendimin e kanë kriminal në raport me zgjedhjet dhe zgjedhësit, ndërsa mbulesën duan ta bëjnë ligjore. Në fund, sido që ta bëjnë mbulesën ligjore me Kodin Elektoral, këta do t’i vrasin zgjedhjet me komisionerët dhe numëruesit e tyre. Kjo është pak, por e sigurt.
Jozefina Topalli, Kryeministrit Rama “ Harroje Primin e Sistemit zgjedhor, ti që ke bërë pazare për të qëndruar në pushtet”
Jozefina Topalli Kryeministrit Rama “Harroje Primin e Sistemit zgjedhor, ti që ke bërë pazare për të qëndruar në pushtet. Merru me hallet e popullit, se ka shkuar gjendja atje, ku nuk mban më. Shko e shiko çfarë po ndodh me njerëzit e thjeshtë! Janë pa bukë, pa asnjë gjë, pa punë dhe ti më shumë mendon për “Primin” e Sistemit Zgjedhor, sepse synon që prapë të qëndrosh në pushtet vetëm. Shko në popull e prek mjerimin!”.
Sali Berisha: Sistemi Prim fshin me fshesë 1/3 e zgjedhësve. Tendenca të shkojë te proporcionali
Lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha është kundër Primit në Kodin Zgjedhor. Berisha tha se “Sistemi prim apo mazhoranca me ligj, që partisë së parë i jep një numër që mund të qeverisë në mënyrë të qetë, ka një të metë të madhe. Një e treta e zgjedhësve janë me partitë e tjera dhe që t’u vihet viza këtyre nuk më duket normale. Tendenca po shkon te proporcionali. Nuk jam për sistemin zgjedhor me prim, por nuk jam kundër të diskutojmë. Nuk mund të përdoret kjo për të asgjësuar një subjekt politik”.
Prof. Paskal Milo, kryetar i PDS: Të dyja variantet që po përgatitin PD-PS, në Kodin Zgjedhor janë të drejtuara, kundër LSI dhe partive të tjera
Të dyja variantet që po përgatitin PD-PS në Kodin Zgjedhor, janë të drejtuara, pa një pa dy, kundër LSI, në radhë të parë, sikurse ndodhi në 2008 me shtrembërimet e famshme të Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor, pasojat e së cilës Shqipëria i vuan sot e kësaj dite. Vërtet Berisha nuk do, por ata të dy (Rama dhe Basha) bien dakord që të shmangin Ilir Metën. Që ta ngushtojnë, ta bëjnë sanduiç, ta nxjerrin jashtë loje. Një sistem bipolar politik në Shqipëri, në kushtet e një shteti të kapur nga grupe të caktuara të oligarkisë së vjetër dhe të re shqiptare, nuk mund të sjellë gjë tjetër, veçse rreziqe të shtuara.
Bamir Topi, kryetar i FRD: Po shkojmë në simptomat e sistemit diktatorial
FRD kërkon të ketë një ndryshim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, duke i marrë proceset e rëndësishme në mënyrë paralele që do të thotë, për të diskutuar në bazën e një konsensusi të gjerë dhe jo mbi bazën e bisedave dhe vullneteve okulte të dy-tre individëve. Ne jemi qartë për një ligj zgjedhor ku në esencë të jetë korrektimi kombëtar, ku çdo votë e dhënë të kthehet në një mbështjetje politike për një subjekt politik. Në rast se këta do e çonin Kodin Zgjedhor aty ku duan ata, do u bëja thirrje të gjitha partive politike, që nuk janë pak, të organizohen dhe të projektohen në interes të publikut”.
Sigal