Grabitja e Thesarit, Erjon Braçe: Audit ndërkombëtar, e ndryshim ligjit për BSH

444
Sigal

Manjani: Fullani të dorëhiqet urgjentisht. As PS dhe LSI

 TIRANË- Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe ka theksuar se, vjedhja në Bankën e Shqipërisë kërkon një audit ndërkombëtar për të zbardhur abuzimet në këtë institucion. Braçe ka theksuar se, do të kërkojë prej Kuvendit dhe qeverisë që të nisë procedurat dhe të realizojë një auditim nga kompani të huaja të gjithë veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë. “Dua të ndaj me ju detyrën për rishikimin e ligjit për Bankën e Shqipërisë, me qëllim çlirimin e Bankës së Shqipërisë nga interesat partiakë, politikë, interesat e korrupsionit e nepotizmit, klientelizmit, për ta pavarësuar realisht. Detyrën për të bindur autoritetet më të larta të Kuvendit e qeverisë për nevojën ulëritëse të një auditi ndërkombëtar në Bankën e Shqipërisë, prej vitesh e abuzuar dhe keqpërdorur dhe natyrisht kryerjen sa më parë të këtij auditi. Tri javë nga vjedhja në Bankën e Shqipërisë, po ndodh që: Guvernatori absolut rri në krye të Bankës, edhe pse ka humbur gjithçka, moralin, besimin, autoritetin, fuqinë; Rri thjesht për shkak të mandatit! Këshilli Mbikëqyrës me fuqi të qarta ligjore rri nën Guvernatorin, për ta mbrojtur atë, edhe pse secili prej tyre ka humbur moralin, besimin, autoritetin, fuqinë, rrinë thjesht për shkak të mandatit! Ligji e thotë qartë se Këshilli mund të shkarkojë në kushtet kur Guvernatori dhe anëtari i Këshillit cenojnë rëndë interesat e Bankës. Përse Këshilli nuk e shkarkon Guvernatorin? Është provuar qartësisht se Guvernatori, njëherësh anëtar e kryetar i Këshillit Mbikëqyrës, ka cenuar rëndë interesat e Bankës. Përse Këshilli nuk bën detyrën që i ka ngarkuar ligji në këtë rast? Te mos përmbushësh detyrën është faj, faji i radhës në një mori fajesh të tjera të rënda, që fajësojnë direkt edhe Këshillin”, tha kreu i Komisionit të Ekonomisë. Socialisti Erjon Braçe ka akuzuar ashpër anëtarët e Këshillit, për të cilët ka deklaruar se ata duhen ndaluar që të ushtrojnë funksione publike, pasi nuk kryejnë detyrën dhe mbrojnë Guvernatorin. Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ylli Manjani, njëherësh edhe zv/ministër i Transporteve, ka kërkuar publikisht dorëheqjen e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Adrian Fullani. Në të kundërt sipas Manjanit, ai duhet të shkarkohet. Numri dy i LSI-së, bëri të qartë se Fullani nuk mbrohet jo vetëm nga forca politike që përfaqëson, por sipas tij edhe nga Partia Socialiste. “As PS dhe as LSI nuk mund t’ i mbrojnë individët. Jo individët që s’ i ka zgjedhur vetë, por as ata që i zgjedh vetë. Nuk është në politikën tonë. Fenomeni duhet diskutuar dhe kritikuar. Partitë nuk janë për të dhënë mbrojtje siç i jep familja Berisha, jo PD. Ky shtet e ka krijuar një standard. Zyrtari publik në kushtet e çfarëdo skandali, edhe më të vogël se i Fullanit ka dhënë dorëheqjen. Me përjashtim të Lulzim Bashës e Sali Berishës, të gjithë zyrtarët e tjerë të këtij shteti, kur janë gjetur përpara kushteve të tilla kanë dhënë dorëheqjen, ose janë shkarkuar. Nuk u është lënë mundësia të vazhdojnë detyrën publike, sepse kanë dëshmuar që nuk e bëjnë dot”, – komentoi dje, Manjani, jurist në profesion.