Grabitja e pronave/ Zv. Kryeminstri Braçe kërcënon prokurorin që arrestoi drejtorin e Rilindjes. Flasin Alibeaj dhe Av. Cakrani

511
Sigal

Kryeministri kërcënon me vetting prokurorët që zbatojnë ligjin, duke shkatërruar Shtetin e së Drejtës

Erion Braçe, zv.kryeministri shantazhon prokurorin që arrestoi drejtorin e Rilindjes për korrupsion

Jakup B. GJOÇA

Para dy ditësh, kryeministri Rama nga foltorja e Parlamentit kërcënoi një prokuror me akuza fjalësh, pa argumentuar asgjë, ndërkohë që me ligj, me Kushtetutë, kryeministrit dhe zyrtarëve u ndalohet që të komentojnë vendimet e prokurorisë.

Erion Braçe, zv.kryeministër, kundër prokurorit, për të mbrojtur drejtorin e arrestuar për korrupsion

Seanca gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë ndaj Liridon Pulës, drejtor i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Durrës i akuzuar për “shpërdorim detyre” është ndjekur nga zv.kryeministri, Erjon Braçe, i cili pas seancës gjyqësore bëri deklarata kërcënuese dhe fyese ndaj prokurorit që arrestoi drejtorin e Rilindjes për korrupsion. Zv.kryeministri Erion Braçe e di shumë mirë, se pa u gjykuar çështja, e ka të ndaluar me ligj që të komentojë hetimet dhe vendimet e prokurorisë, pasi në të kundërt, pushteti ekzekutiv kërkon të kërcënojë, të marrë peng Drejtësinë. Por, Erion Braçe duke mos e njohur Shtetin e së Drejtës, duke i atribuuar vetvetes pushtetin e Ramaformës, kërcënoi prokurorin përse arrestoi drejtorin e Rilindjes për korrupsion, ndërkohë siç deklaron av. Kujtim Cakrani, drejtori i arrestuar për korrupsion është edhe kushëriri i zv.kryeministrit Erion Braçe. Sipas deklaratës së Erjon Braçes, është përdorur si shantazh nga prokurori Arjan Ndoj ndaj Liridon Pulës dhe punonjësve të tjerë të ASHK-së së Durrësit për të siguruar në mënyrë të paligjshme përfitime të mëdha. Arrestimin e zyrtarit ai e cilësoi presion kriminal. “Presioni kriminal që nuk është bërë për çështjen në fjalë për të cilën është akuzuar, por për pallate monstruoze që duhet të legalizohen dhe të regjistrohen në këtë qytet. Është bërë jo për çështjen, por presion në mënyrë të qartë për disa vjedhje të tjera, të mëdha shumë të rënda, në kohë të ndryshme në zonën e Gjirit të Lalëzit”, deklaroi Braçe.

Enkelejd Alibeaj: Presioni i Erion Braçes ndaj prokurorit e gjykatës është kriminal

Ish-ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj reagoi: Presioni i Qeverisë nga Kryeministri tek Zëvendëskryeministri ndaj prokurorisë dhe gjykatës që kanë urdhëruar arrestimin e Drejtorit të Kadastrës në Durrës, është kriminal. Kërcënimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve me vetting për çështje konkrete është prova e gjallë sesi Edi Rama po përdor vettingun për të kërcënuar e shantazhuar gjyqtarë e prokurorë, që të mos hetojnë krimet e tij dhe të Qeverisë së tij. Veprimet e prokurorit të çështjes u gjetën ligjërisht korrekte nga gjykata. Magjistratja Besjana Garxenaj, e emëruar në 10 Shkurt 2017, tregoi integritet profesional, duke mos iu nënshtruar presionit kriminal, të padëgjuar më parë, në sallën e gjyqit nga Zëvendëskryeministri Erjon Braçe. Drejtuesi i korruptuar i Kadastrës në Durrës, që është arrestuar me vendim gjykate, është kushëriri dhe i emëruari i Erjon Braçes, i cili ka vënë qeverinë në funksion të hallit të tij dhe për të mbrojtur një zyrtar të akuzuar për korrupsion. Edi Rama ka dy standarde për drejtësinë.

Av Kujtim Cakrani: Braçe kreu vepër penale, duke kërcënuar prokurorin

Sot (dje) publikisht me anë të mediave dhe një fjalor që i shkon për shtat vetëm banditëve zv/kryeministri Erion Braçe, kërcënoi dhe ofendoi prokurorin e Durrësit, sepse ky ka arrestuar ish-Drejtorin e ZRPP Durrës dhe, njëkohësisht, kushëri i z. Erion Braçe. Me këtë veprim zv/ kryeministri E. Braçe ka konsumuar veprën penale, atë të “Fyerjes ndaj Prokurorit” etj., parashikuar nga neni 318 i Kodit Penal. Ky është ai rasti, kur shteti së Drejtës nuk ekziston….