Gjyqtarja e kontestuar e Apelit Vlorë kalon vettingun, konfirmohet në detyrë

558
Sigal

Gjyqtarja e Apelit ne Vlorë Brikena Ukperaj (Lubonja) ka kaluar procesin e vettingut dhe është rikonfirmuar në detyrë nga KPK.

“Sipas raportit të ILDKPI, Brikena Ukperaj justifikon pasurinë. Ukperaj ka apartament me vlerë 44 mijë euro në Selitë. Edhe sipas DSIK, Brikena Ukperaj e përshtatshme për detyrën”, tha relatorja e çështjes nw seancwn e kaluar.

Gjyqtarja Brikena Ukperaj (Lubonja) e ka filluar karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 2006 me mbarimin e Shkollës së Magjistraturës. Ajo ka ushtruar funksionin e gjyqtares në Gjykatën e Tiranës, në atë të Lushnjes dhe prej nëntorit 2016 është anëtare e Gjykatës së Apelit në Vlorë.

Kujtojmw se nw seancwn dëgjimore për gjyqtaren e Apelit Vlorë Brikena Ukperaj (Lubonja) në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit ka ardhur edhe një ankimim. Bëhet fjalë për një familje nga Vlora, e cila pretendon pronësinë e dhjetëra hektarëve tokë në Karaburun, por që prej vitesh nuk i është dhënë toka që ata pretendojnë se iu takon. Ata akuzojnë gjyqtaren Brikena Ukperaj Lubonja se ka dhënë një vendim të padrejtë duke shkelur ligjin për çështjen e tyre.

“Babai im është i sëmurë. Çështja Karaburuni është çështja më sensitive. Me prova të falsifikuara janë marrë pasuri dhe i janë marrë njerëzve që e gëzojnë. Zonja Ukperaj mori një vendim që ishte haptas në kundërshtim me ligjin. Verifikimi i figurës së gjyqtarit kishte dy elementë, profesional dhe etik. Ne po presim vendimin e gjykatës dhe do shkojmë më lart. KLD më ka dhënë të drejtë, më ka thënë që po ka bërë një shkelje por nuk e përjashton nga procesi. Babai im është 75 vjeç edhe xhaxhai im po aq. Sa do presim për drejtësi ne njerëzit e ndershëm të këtij vendi. KPK e dha vendimin e saj. E konsideroj selektiv procesin dhe jo të rregullt”, tha mes lotësh Vjosa Bodo.