Gjyqtarët pa veting rrëzojnë prokurorët me veting, tre personat që vendosën për Tahirin. Ish-ambasadori Lu kërkoi që …

671
Sigal

Ardit Mustafaj, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka, treshja e gjyqtarëve të Krimeve të Rënda që dënuan ishministrin Saimir Tahiri dhe që ende nuk e kanë kaluar vetingun, rrëzuan dje tre prokurorët, dy prej të cilëve janë konfirmuar në detyrë nga KPK-ja.

Gjyqtarët hodhën poshtë të gjitha akuzat që ishin ngritur për Saimir Tahirin nga prokurorët Vladimir Mara, Dritan Prençi, që e kanë kaluar vetingun dhe Arens Çela, ende i pakonfirmuar në detyrë, duke “ngritur” vetë një akuzë për të, atë të “Shpërdorimit të detyrës”.

Reforma në Drejtësi është një proces që ka pasur mbështetjen e ambasadës amerikane, është asistuar, madje edhe është ndjekur në çdo rast nga përfaqësues të saj. Deklaratat e selisë diplomatike përherë kanë qenë të rëndësishme për ecurinë e këtij procesi. Madje, ishambasadori amerikan Donald Lu, i cili për sa kohë shërbeu në Shqipëri, mbahet mend si njeri që foli hapur dhe me emra konkretë, për “peshq të mëdhenj” e politikanë që kanë mbështetur krimin, pati edhe një deklaratë në rastin e ishministrit Saimir Tahiri.

Sipas Lu, gjyqtarët që do të gjykonin Tahirin duhej ta kishin kaluar vetingun. Por në fakt, nuk ndodhi kështu. Asnjë nga gjyqtarët që shqyrtoi çështjen e Saimir Tahirit nuk e ka kaluar ende vetingun. Flora Hajredinaj, Ardit Mustafaj dhe Irena Gjoka janë në pritje për t’u përballur me KPK-në, pasi ndodhen në listën prioritare të bërë publike për seancat e vjeshtës. Megjithatë, ende nuk kanë dalë para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

GJYQTARET

“Fati” i Saimir Tahirit u vendos mbrëmë në Gjykatën e Krimeve të Rënda nga treshja e gjyqtarëve: Ardit Mustafaj, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka. Kryesuesi, Ardit Mustafaj, i cili mbrëmë lexoi edhe vendimin për Tahirin, është njëkohësisht edhe pjesë e trupës gjyqësore që po shqyrton çështjen ndaj Klement Balilit.

Në këtë çështje është po ashtu edhe Flora Hajredinaj, gjyqtarja tjetër që shqyrtoi dosjen e ish-ministrit të Brendshëm, ndërsa Mustafaj mbahet mend edhe për vendimin ndaj Arben Frrokut. Gjithashtu, për shkak të detyrës, ai ka marrë edhe një kërcënim përmes një letre që ia kanë dërguar në shtëpi në vitin 2012. Ndërsa gjyqtarja tjetër, Irena Gjoka, në janar të vitit 2007 i shpëtoi një atentati me armë zjarri brenda ambienteve të Gjykatës së Fierit, ku ajo ka punuar më herët.

Dy prej prokurorëve të Tahirit e kanë kaluar vetingun

Poshte ne foto/ Vladimir Mara, Dritan Prençi dhe Arens Çela
Poshte ne foto/ Vladimir Mara, Dritan Prençi dhe Arens Çela

Tre prokurorët që kërkuan 12 vjet burg për Saimir Tahirin ishin: Vladimir Mara, Dritan Prençi dhe Arens Çela. Dy të parët, Mara dhe Prençi, e kanë kaluar me sukses përballjen me KPK-në, që i ka konfirmuar në detyrë.

Ndërsa i treti, Arens Çela, ende nuk e ka kaluar vetingun. Vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, që dënoi Tahirin për “Shpërdorim detyre”, tre prokurorët e pritën kokulur, pasi të gjitha akuzat e rënda që ata kishin ngritur u rrëzuan. Veprimi i tyre i radhës mund të jetë apelimi, megjithatë ende nuk ka një reagim për ketë. Dritan Prençi e kaloi me sukses përballjen me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, në qershor të vitit të kaluar. Prençi e ka filluar karrierën e tij në sistemin e drejtësisë si oficer i Policisë Gjyqësore në Rrethin e Tropojës.

Ai ka shërbyer për disa vite si prokuror dhe drejtues prokurorie në Tropojë, Kukës dhe Kurbin përpara se të emërohej në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë. Ndërsa në qershor të këtij viti, edhe prokurori tjetër, Vladimir Mara, i cili njihet edhe si hetuesi i dosjes “339”, e ka kaluar me sukses vetingun.

Raporti i ILDKPI-së tregonte se prokurori nuk kishte asnjë problem me pasurinë apo fshehje të saj. Edhe nga ana profesionale ai rezultoi në rregull dhe pa probleme nga DSIK. Ndërsa prokurori i tretë i dosjes së Saimir Tahirit, Arens Çela, ende nuk e ka kaluar provën e vetingut, pasi është në pritje të përballjes me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Ish-ambasadori Lu: Tahiri të gjykohet nga gjykatës që e kanë kaluar vetingun

Lu-Tahiri

Ish-ambasadori amerikan, Donald Lu, në shtator të vitit 2018, atëherë kur në fakt ishte ambasador në ikje, foli në një studio televizive edhe për rastin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Lu u shpreh një vit më parë se Tahiri duhej të gjykohej nga një gjykatës që e ka kaluar vetingun dhe ndaj të cilit nuk ushtrohet presion politik. Sipas ish-ambasadorit amerikan, provat e dala në media për implikimin e dyshuar të ish-ministrit në trafikun e drogës janë tepër të rënda për t’u anashkaluar.

“Rasti Tahiri? Qeveria e SHBA beson se kjo çështje është mjaftueshëm e rëndësishme sa meriton të vendoset në Gjykatë nga një gjykatës që e kanë kaluar vetingun sipas provave dhe jo sipas presionit politik”, u shpreh para një viti Donald Lu. I ftuar në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, ish-ambasadori amerikan foli edhe për kanabizimin e vendit, duke theksuar se mbjellja e lëndëve narkotike në Shqipëri është bërë me “bekimin” e politikanëve.

“Ajo që nuk është përfunduar është kapja e njerëzve që mbollën kanabisin. Dhe unë mund të them se disa prej tyre janë kriminelë të zakonshëm, disa prej tyre janë kriminelë të mbrojtur nga politika”, tha Lu. Nga ana tjetër, Donald Lu e cilësoi interesante idenë e propozuar nga opozita për vetingun në politikë, por si diplomat në karrierë, ai citoi një shprehje amerikane, “Djalli qëndron te hollësitë”.

Më herët, një ditë para se Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda të dilte me vendimin për heqjen e masës së sigurisë “Arrest shtëpie” për Saimir Tahirin, Donald Lu deklaronte se kishte raportime për presione serioze dhe ryshfete që u janë ofruar gjykatësve të çështjes.

“Kemi dëgjuar disa raportime nga burime të pavarura për presione serioze në këtë çështje, përfshirë edhe ryshfete që u janë ofruar gjykatësve. I bëj thirrje shoqërisë civile dhe medias që ta vëzhgojnë këtë çështje me vëmendje, në mënyrë që vendimi të bazohet mbi provat dhe ligjin dhe jo mbi presione, kërcënime apo para”, deklaronte Lu në maj të vitit 2018.