Gjyqtarë, prokurorë e zyrtarë të lartë në sitën e Inspektoratit të Pasurive

553
Inspektorati i Deklarimit të Pasurive dhe Hipotekët duket se kanë nisur punën për të verifikuar pasuritë e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në listë janë edhe zyrtarë të lartë e deputet, të cilët ka dyshime se një pjesë të mirë të pasurisë mund ta kenë fshehur jashtë vendit. E gjithë kjo lëvizje ka nisur pas miratimit nga ana e Parlamentit te institucioneve te Vettingut. Këto institucione do të hetonin vetëm figurën e prokurorit dhe gjyqtarit, por për të plotësuar gjithë kuadrin, duhen edhe strukturat e plota për të bërë verifikimin e pasurive të kësaj kategorie. Asnjë nga institucionet e reja të vettingut nuk mund të nis punën pa u mbledhur më parë Parlamenti i Ri. Ndërkohë që duhet thënë se efektiviteti i Komisionit të Kualifikimit dhe e Kolegjit të Apelitmit kanë lidhje të ngushtë me një vendim të Kuvendit të Shqipërisë që pritet të merret në seancën e parë të legjislaturës së re që nis në shtator. Ligji i vettingut i jep Parlamentit kompetencën për të miratuar strukturën organizative për personelin që do të punojë në institucionet e rivlerësimit. Kjo do të thotë se, pa miratimin e kësaj strukture, që do t’i hapë rrugë rekrutimit, kryesisht të juristëve dhe ekonomistëve me mbi 7 vite përvojë pune në drejtësi ose administratë, organet e vettingut nuk mund të kryejnë veprime në marrëdhënien me palët e tjera. Por kjo nuk do të thotë se puna për vettingun ka ngecur. Ligji u jep të drejtë disa insitucioneve, si Inspektoriati i Pasurisë dhe Drejtorisë së Kontrollit të Figurës të shqyrtojnë vërtetësinë e deklarimeve në formularët përkatës nga njerëzit e drejtësisë. Mësohet se Inspektoriati i Pasurive po bashkëpunon ngushtë me Zyrën e Hipotekave për të zbuluar nëse gjyqtarët apo prokurorët kanë pasuri të paluajtshme të padeklaruar. Procedura do të kërkojë kohë, por besohet se informacionet e duhura do të jenë gati deri në fund të vitit, kur edhe godina e punës së insitucioneve të vettingut të ketë mbaruar restaurimin. Për t’u dhënë rëndësinë që kanë, institucionet që do të bëjnë rivlerësimin e pasurisë dhe figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve do të vendosen në qendër të Tiranës, në një godinë ikonë, që njihet si ish-Lidhja e Shkrimtarëve. Projektuesit e rikonstruksionit i kanë vendosur edhe një emër objektit, atë më popullorin, “Godina e vettingut”, restaurimi i së cilës do të kushtojë rreth një milion euro.
Sigal