Gjyqi ndaj Shullazit, dëshmon ish-ministri Tahiri: Pse nuk është edhe Sali Berisha këtu?

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka dëshmuar sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda në seancën gjyqësore ndaj Emiljano Shullazit, i cili akuzohet për kërcënimin e rektorit Mynyr Koni.

Në përballjen me Shullazin, person për të cilin opozita e ka akuzuar shumë herë se kanë lidhje të forta, Tahiri ka dëshmuar gjithë sa di rreth kërcënimit të rekrorit Mynyr Koni e ka mësuar nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Kjo është hera e parë që dëshmon në Gjykatë një ish-zyrtar i lartë në lidhje me çështjen “Shullazi”, pasi deri tani kanë dëshmuar vetëm biznesmenë apo persona të dyshuar.

Mesohet se Shullazi nuk ka bërë asnje ndërhyrje gjatë dëshmisë se Tahirit, dhe nuk i ka bërë asnjë pyetje.

Sakaq, në këtë seancë, Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur të thërrasë për të dëshmuar një sërë zyrtarësh.

I pari në gjykatë është paraqitur ish-rektori Dhori Kuli, por mësohet se ai nuk ka dëshmuar, pasi ka paraqitur një raport mjekësor.

Pas tij është paraqitur rektori Mynyr Koni, si dhe kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako, dhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.

Në dëshminë e tij, Çako tha se “Dhori Kule ma pohoi që u kërcënua nga Shullazi”.

REPLIKAT GJATE DESHMISE SE ISH-MINISTRIT SAIMIR TAHIRI

Tahiri: Kërcënimin për Konin e mora vesh nga Berisha përmes nje statusi që ai kishte bërë. Nuk e kuptoj pse nuk e keni thërritur këtu për të dëshmuar. Kështu është kur prokuroria ben politike.

Gjyqtari: Lëri keto po jep dëshminë!
Tahiri: E di ti apo unë se si e jap dëshminë. Pasi mora vesh kërcënimin i thirra në zyrë Nikollën, Konin dhe Kulen, Cakon. Do thërrisja dhe Berishën, por e dija qe s’më përgjigjej. Emrin e Shullazit e mësova nga Berisha, pastaj bëra verifikimet dhe delegova punën. Nuk mbaj mend shumë detaje. I qendroj deklaratës së prokurorisë, për më shumë thërrisni Berishën dëshmitar.

Kujtojmë se ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka dëshmuar edhe në Prokurori për rastin e Emiljano Shullazit, në datën 24 mars të këtij viti.