Gjyqi ndaj Frrokut, mbrojtja dhe prokuroria kërkojnë 112 dëshmitarë

462
Rreth 112 dëshmitarë pritet të japin deklarimet e tyre në procesin gjyqësor ndaj ish- deputetit të Partisë Kristian-Demokrate, Mark Frroku. Ky i fundit qëndron nën masën e arrestit me burg pasi mbi të rëndojnë akuzat për vrasje të kryer në bashkëpunim, pastrim parash, fshehje pasurie si dhe ndërtim të paligjshëm. Ndërkohë Mark Frroku nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës, Tonin Prendi, ka kërkuar dëshminë e rreth 100 dëshmitarëve ku shumica e tyre për të kundërshtuar akuzat që rëndojnë ndaj tij. Një pjesë e konsiderueshme e dëshmitarëve lidhen me akuzën e vrasjes së Aleksandër Kurtit, e kryer 17 vite më parë në Belgjikë, akuzë e cila rëndon ndaj Frrokut dhe sipas mbrojtjes dëshmitarët janë shtetas Belg të cilën kanë dijeni mbi ngjarjen dhe hetimet që ata kanë kryer duke marrë të pandehur Mark Frrokun. 
Në të njëjtën kohë pala mbrojtëse ka kërkuar dëshminë e 24 të moshuarve, përfshi edhe babain e Mark Frrokut, të cilët ishin betuar në bazë të kanunit në një kishë, se nuk kishin dorë në vrasjen e Aleksandër Kurtit. Prokuroria nga ana e saj akuzon Mark Frrokun për vrasjen e shtetasit Aleksandër Kurtin në Belgjikë në mars të vitit 1999, pasi viktima ishte dashuruar me një vajzë me inicialet L. S., e cila shfrytëzohej si prostitutë nga ish deputeti. Ndërkohë organi i akuzës për të vërtetuar vrasjen e ndodhur në Belgjikë, përveç materialeve të ardhura nga ana e autoriteteve belge, ka kërkuar që të dëshmojnë përballë trupit gjykues 12 dëshmitarë mes tyre edhe Oficerin e Policisë belge shtetasin Steven Vanderest, pasi ky i fundit rezulton se ka kryer pjesën më të madhe të veprimeve hetimore të ngjarjes së ndodhur në mars të 1999, ku humbi jetën edhe Aleksandër Kurti. Përveç akuzës së vrasjes, Frroku akuzohet edhe për fshehje të pasurisë, pastrim të produkteve të veprës penale dhe ndërtim i paligjshëm, Prokuroria ka kërkuar si dëshmitar deputetin Tom Doshi. Ky i fundit sipas prokurorëve të çështjes Anisa Qilimi dhe Adriatik Çomo do të pyetet në lidhje me akuzën e ndërtimit të paligjshëm që rëndon ndaj Frrokut.
Sigal