Gjylameti: Qytetarët dëshmitarë sesi ka degraduar situata në lagjet e Tiranës

482
Partia Socialiste me anë të një deklarate për mediat përmes deputetes së saj Blerina Gjylameti u shpreh se Basha ka zgjedhur të arratiset nga Tirana. PS akuzon kreun e Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha se nuk ka mbajtur asnjë nga premtimet e bëra. Më tej deputetja e PS theksoi se në 4 vjet Luli nuk bëri asnjë investim serioz, qoftë për rritjen e cilësisë së shërbimit të pastrimit të qytetit, qoftë për ngritjen e një sistemi të diferencuar mbetjesh.
“Lulzim Basha ka zgjedhur të arratiset nga Tirana. Ka lënë kandidatin e tij të tregojë barsoleta e të hedhë batuta, dhe vet është zhdukur. Lulzim Basha nuk ka faj. Kushdo do ta kishte të vështirë të përballej me qytetarët të cilët ka 4 vjet që i mashtron. Qytetarët e Tiranës do të jetojnë në një prej qyteteve më të pastra në Evropë me një sistem të diferencuar mbetjesh, premtoi Luli në 2011. Natyrisht ky premtim nuk është mbajtur. Qytetarët janë dëshmitarë sesi ka degraduar situata në lagjet e Tiranës. Madje është edhe më keq se kaq. Vetë Lulzim Basha e pranoi 3 muaj më parë se nuk e ka ende idenë sesi ta trajtojë situatën e mbetjeve në Tiranë. 
Si do të zhduken plehrat në Tiranë?”, pyeste Luli në një takim me ambientalistët a thua se zgjidhjen për punët e bashkisë duhet t’ia japin qytetarët. Kudo gjenden kontenierë të dëmtuar, mbetje urbane nëpër rrugë, të cilat jo vetëm nuk e bëjnë Tiranën një qytet me standard pastërtie evropian, por rrezikojnë çdo ditë shëndetin e qytetarëve. Edhe zgjidhja e këtij problemi, ashtu si zgjidhja e çdo problemi që i ka hapur Luli Tiranës do t’i mbetet kryebashkiakut të ri dhe administratës së re të Bashkisë. Në 21 qershor ky dështim i Lulit do të jetë një arsye më shumë për ta çuar kryeqytetin në drejtimin e duhur”, përfundoi Gjylameti.
Sigal