Gjykatat, tarifat e reja për të depozituar padi

1027
Paraqitet në Kuvend projektligji për vlerën e pagesave gjatë një çështjeje gjyqësore. Të gjitha ndryshimet për shkallët e gjykatave
Një projekt-ligj i posaçëm për rregullimin e tarifave për çështjet gjyqësore është paraqitur në Kuvend. Sipas deputetit propozues Adnor Shameti nga Partia Socialiste, aktualisht ekziston një situatë e paqartë ligjore në përcaktimin e tarifave gjyqësore. “Nuk ka hierarki të tarifave të pagesave të lidhura me shkallët gjyqësore dhe nuk ka diferencim tarifash midis llojeve të mosmarrëveshjeve (të tilla si; mosmarrëveshje mbi pronësinë, mosmarrëveshje për markën, etj.). Tarifa për t’iu drejtuar Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Lartë që aktualisht është mjaft e ulët (200 Lekë), mund të përshtatet dhe të ndryshohet, duke përfshirë një përqindje tjetër për çdo shkallë për çështjet tregtare”, shprehet propozuesi. Sipas tij, është vënë re një mungesë totale e aplikimit të tarifave në Gjykatën Kushtetuese. “Vitet e fundit vihet re se janë shtuar mjaft kërkesat që depozitohen para kësaj Gjykate, duke shtuar volumin e punës së saj, sidomos në fazën e seleksionimit të kërkesave. Kjo gjë ka rritur edhe shpenzimet administrative të saj. Përveç kësaj, në mjaft raste vihen re edhe abuzime me mjetin e ankimit, duke paraqitur kërkesa, të cilat nuk plotësojnë kriteret në mënyrë të përsëritur”, shprehet deputeti socialist. 

Projekt-ligji i propozuar ka si qëllim përcaktimin e tarifave për çështjet gjyqësore dhe shërbimet që ofrohen nga sistemi gjyqësor. Duke qenë se sistemi i tarifave gjyqësore aktuale nuk reflekton shpenzimet për funksionimin e sistemit të gjykatave dhe taksapaguesit ngarkohen me barrën e mbajtjes së këtij shërbimi, projekti ka për synim kalimin, për sa të jetë e mundur, të kësaj barre, fillimisht, te palët në ndërgjyqësi, të cilët iniciojnë procesin gjyqësor. Në të njëjtën kohë, me qëllimin që t’i jepet e vëmendje individëve, të cilët kërkojnë drejtësi, por që nuk mund të përballojnë tarifa gjyqësore të larta, kategori të caktuara gjykimi ose shërbimi janë të përjashtuara nga tarifat gjyqësore ose kanë vlerë të pranueshme. “Ky projektligj ka si prioritet rritjen e eficencës së sistemit gjyqësor, përmirësimin e shërbimit dhe të financimit të sistemit gjyqësor. Projektligji është pjesë e një pakete ligjore që synon përmirësimin e aksesit në gjykatë për çështje të bazuara në ligj, uljen e mbingarkesës së gjykatave si dhe ofrimin e një shërbimi më të mirë për përdoruesit e gjykatës. Gjithashtu një efekt i pritshëm është rritja e të ardhurave nga shërbimet e ofruara nga gjykata si dhe promovimi i zgjidhjes së konflikteve gjyqësore nëpërmjet formave alternative si ndërmjetësimi apo arbitrazhi”, nënvizon propozuesi. Sipas tij, në sistemin gjyqësor shqiptar nevojitet një alokim më i mirë i buxhetit, në mënyrë që të përmirësohen kushtet e punës në gjykata dhe të ketë shpërblim më të mirë për gjyqtarët dhe administratën gjyqësore. Sipas Shametit, efektet e rritjes së tarifave gjyqësore duhet të zbuten për ato pjesë të shoqërisë të cilët nuk mund të përballojnë as rritjen e tarifave gjyqësore dhe as të paguajnë tarifat gjyqësore. Ai pranon se duhet pritur që publiku mund ta presë me hezitim (madje edhe me kundërshtim) rritjen e tarifave gjyqësore dhe rrjedhimisht është thelbësore të vendoset një sistem efikas ndihme juridike dhe njëkohësisht të adaptohet legjislacioni i ndihmës juridike në mënyrë që të sigurohet aksesi në drejtësi për personat apo grupet shoqërore në pamundësi pagese. 

Tarifat
1 – Tarifa gjyqësore e përgjithshme për çdo nivel gjykimi përllogaritet mbi bazën vlerës së çështjes gjyqësore civile, administrative ose penale:
a) 1% e vlerës së padisë për të gjitha gjykimet në shkallë të parë;
b) 0.5% e vlerës së padisë për të gjitha gjykimet në shkallë të dytë;
c) 0.5% e vlerës së padisë për të gjitha gjykimet në Gjykatën e Lartë;
d) 5.000 lekë për gjykimin e ankimeve të veçanta;
e) 2.500 lekë për gjykimin e kërkesave civile, administrative dhe penale;
f) 5.000 lekë për paraqitjen e ankimit kundër vendimit penal në gjykatat e apelit;
g) 5.000 lekë për paraqitjen e rekursit kundër vendimit penal në Gjykatën e Lartë.
h) 5.000 lekë për gjykimin e çështjeve penale në ato raste kur gjykata vihet në lëvizje me kërkesë nga i dëmtuari akuzues. Për paraqitjen e ankimit, ankimit të veçantë dhe të rekursit në këto çështje, tarifa është 2.500 lekë;

2 – Nëse vlera e padisë nuk mund të përcaktohet, për shkak të natyrës së veçantë të mosmarrëveshjes, tarifa e përgjithshme gjyqësore është 5.000 lekë. Për paraqitjen e ankimit, ankimit të veçantë dhe të rekursit në këto çështje vlera e tarifës është 2.500 lekë.
Sigal