Gjykatat Administrative zvarritin çështjet, vendimet i japin në favor të shtetit

1117
Krijimi i Gjykatës Administrative është krijuar me ligjin Nr. 49 i vitit 2012 dhe u krijua se seksionet administrative të gjykatës së shkallës së parë ishin shumë të ngarkuara dhe zvarrisnin zgjidhjet e konflikteve administrative. Idea ishte për të zbatuar parimin juridik “Drejtësi e vonuar drejtesi e mohuar”. Gazeta “Telegraf” në forumin e vet për Gjykatën Administrative, parashtroi këto dy pyetje: 
A i shqyrtojnë Gjykata Administrative në kohë ankesat e paditë, sipas ligjit?
Si është raporti i vendimeve që jep kjo gjykata individ- shtet dhe biznes- shtet?

Avokatët Idajet Beqiri, Altin Goxhaj dhe Abdyl Bakiu, në forumin e gazetës pohojnë se sërish çështjet zvarriten, gjyqtarët nuk janë të kualifikuar, ndërsa vendimet jepen më shumë në favor të shtetit, duke cënuar të drejtën e individëve dhe të bizneseve. 

Av. Idajet Beqiri: Emërimet janë politike
Mendoj se ngritja dhe funksionimi i këtyre gjykatave në gjashtë qarqe të vendit sipas mënyrës së krijimit të gjykatave të apelit, nuk ishte e menduar mirë. Me përjashtim të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë, e cila për nga numuri i çështjeve që shkojnë për gjykim gjatë një viti, si dhe për numurin e gjyqtarëve që ka, është përgjithësisht në mirëfunksionimin e saj dhe ka efektivitet, pesë gjykatat e tjera admministrative të shkallës së parë në rrethe nuk po e justifikojnë vetveten dhe qëllimin përse janë krijuar. Ndërsa Gjykata e Apelit Administrativ që vepron në Tiranë, për fatin e keq po përjeton një trubullim dhe çorjentim të përgjithshëm, çka në fund të fundit përkthehet si mungesë e dukshme në efektivitetin e punës së saj. Ato po funksionojnë thuajse njëllojë si gjykatat civile, çka ka bërë që edhe për çështjet administrative, përvoja e keqe e krijuar ndër vite me zvarritje pa fund të proçeseve gjyqësore, duke e bërë këtë drejtësi të vonuar, në drejtësi të mohuar, të jetë përsëri prezente. Sundon mëndësia se kur lindin mosmarrëveshje mes qytetarëve dhe bizneseve nga njëra anë, me administratën publike dhe institucionet e shtetit nga ana tjetër, prezumohet se këto të fundit, domethënë shteti, ka të drejtë. Dhe juristët e këtyre institucioneve të shtetit dhe të admministratës publike shkojnë në gjykime “serbes”, sepse i kanë në anën e tyre gjykatat. Ndërsa qytetarët dhe shoqëritë e biznesit, posaçërisht avokatët mbrojtës të tyre, heqin “të zitë e ullirit” të provojnë pavlefshmëritë e akteve administrative që nxirren kundër dhe në dëm të qytetarëve dhe shoqërive të biznesit, si dhe për të hedhur poshtë prezumimin e mbrapësht të fajësimit të qytetarëve dhe të pafajësisë së shtetit! Ka shumë mëndje të sëmura në sistemin gjyqësor që bëjnë një ndarje të mbrapësht të qytetarëve ndaj shtetit, duke i trajtuar këto dy kategori sikur të jenë armike me njëra-tjetrën. Kjo dukurri lidhet gjithashtu edhe me papërgjegjshmërinë dhe konceptet feudale të punonjësve të administratës publike dhe të institucioneve të shtetit, të cilët u besojnë jo ligjeve dhe rregullave të shtetit të së drejtës, por arbitraritetit, supermacisë dhe trajtimit të qytetarëve me keqdashësi sikr të jenë skllevër të tyre, dhe jo krijuesit dhe mbajtësit e vet shtetit. Emërimet në këto gjykata janë bërë kryesisht sipas bindjeve politike të kreut të shtetit dhe shumicës së KLD. Gjykatat administrative, janë përzgjedhur kryesisht sipas ngjyrës politike dhe partiake që i shërbejnë. Infrastruktura, paisjet elektronike për të bërë një transparencë të përsosur të të gjitha hallkave të këtij sistemi gjyqësor, duke filluar nga sallat e gjyqeve, nga kompjuterizimi, dixhitalizimi i sistemit audio-video është detyra tjetër urgjente që duhet përmirësuar.

Avokat Altin Goxhaj: Qeveria bën presion ndaj Gjykatës Administrative
Gjykatat Administrative kanë shumë pak personel dhe kapacitete teknike dhe kjo sjell vonesa që bien në kundërshtim me vetë qëllimin e ekzistencës së Gjykatës Administrative si një veprim i shpejtë. Nëse i referohemi ankimit në Apel qytetarët dhe bizneset presin mbi 1 vit në Tiranë shqyrtimin e çështjeve të tyre nga ngarkesa e madhe që kanë këto gjykata dhe numri i vogël i gjykatësve. Sa herë interesi i qeverisë për arsye politike, apo financiare është i madh presioni i qeverisë në gjykata është krejtësisht i dukshëm. Gjykatësit ndihen të frikesuar dhe nën presion të plotë nga qeveria dhe ata janë të detyruar për të mbrojtur rehatinë e tyre që të japin vendime haptas në kundërshtim me ligjin dhe logjikën juridike për të mos qënë nën presionin e qeverisë. Sot më shumë se kurrë gjykatat administrative janë nën kontrollin e plotë të Kryeministrit dhe është ai gjykatësi suprem. Ka dhe gjykatës që i rezistojnë presionit qeveritar, por kjo rezistencë po reduktohet përditë e më shumë dhe duket qartas që në shtator gjykatësit janë në ankth se kush do të jetë masat ndaj atyre që kanë dhënë vendime jo konform interesit qeveritar. Që gjykatat të japin drejtësi duhet të pengohet nga një anë presioni qeveritar dhe nga ana tjetër të rritet transparenca e procesit gjyqësor në mënyrë që gjykatësit të jenë nën mbikqyrjen publike me procedurat dhe vendimet që marrin. Nga ana tjetër duhet që KLD të shqyrtojë ankesat e qytetarëve në kohë reale mbi procedurat e procesit gjyqësor.

Abdyl Bakiu, avokat: Vendimet janë në favor të shtetit
Çështjet janë aq të shumta sa është e pamundur të përfundojnë për 30 ditë. E njëjta vonesë është edhe në Gjykatën e Apelit Administrativ ku themi që vonesa është më e madhe. Vendimet gjyqësore indivd shtet, sidomos për çështjet e largimit nga puna për shkak të shkeljeve të procedurave dhe kriteve ligjore është paksa në favor të individit, por ky raport nuk është shumë i madh, sepse tendenca tashmë po shkon në favor të shtetit për arësye që kuptohen. Kurse vendimet biznes-shtet janë dukshëm në favor të shtetit. Kjo sepse janë dy probleme: Është e gjatë rruga administrative që duhet të ndjekë biznesi për të shkuar në shkallët e gjykatës, por kur shkon në përgjithësi humbet. Pse ndodh kështu kjo është një çështje subjective, ose të parit të çështjeve me syrin politik pragmatist të ditës. Nuk ndjekin si duhet procedurat administrative dhe shkojnë drejtpërsëdrejti në gjykatë, e cila i rrëzon për mungesë të zbatimit të rrugës administrative. Problemet në gjykatat administrative janë të mëdha. Çështjet që paraqiten për gjykim janë më të shumta se kapaciteti i gjykimit (trupa gjykuese). Mungon infrastruktura e nevojshme për ta bërë me operativ këtë gjykim. Duhet rritur numri i gjyqtarëve. Ankimi në Gjykatën e Apelit Administrativ duhet të plotësojë një kusht: Problemi i shumës financiare që shqyrtohet duhet të jetë sa 20 fishi i rrogës më të vogël në rang kombëtar, ndërsa në kolegjin administrative që kjo çështje të shkojë për gjykim kjo shumë duhet të jetë sa 40 fishi i rrogës më të vogël. Kjo bën që shumë çështje të mos shkojnë fare në Apel e aq më shumë në kolegjin administrativë të Gjykatës së Larte. Ligji do parë e do amenduar në nene të veçantë të tij. Një ligj që nuk ka efektivitetin e duhur në praktikë gjithmonë duhet ndryshuar.
Sigal