Gjykata rëndon pozicionin e Tahirit, i bllokon pasaportën dhe e detyron të paraqitet për shpjegime

468
Intensifikohen hetimet për Saimir Tahirin, dalin fakte të reja nga përkthimi i dosjes prej 1800 faqe, ndërsa avokati i konsideron të pavërteta
Dita e djeshme ndoshta ka qenë e papritur, jo vetëm për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, por edhe për politikën e majtë, e cila nuk ia dorëzoi akuzës në kohën kur ajo e kërkoi. Gjykata e Krimeve të rënda, me kërkesë të prokurorisë, vendosi të bllokojë pasaportën e ish-ministrit, duke mos e lejuar atë të largohet jashtë vendit, ashtu sikundër bëri pak kohë më parë kur iku në Gjermani. Prokuroria mësohet se ka dorëzuar në gjykatë fakte të reja kundër Tahirit, të dala këto nga përkthimi i dosjes prej më shumë se 1800 faqesh nga Ministria e Drejtësisë. Kjo dosje kishte ardhur nga autoritetet e Gjykatës së Katanias në Itali. Ndërkohë që Tahiri në të gjitha daljet e tij i ka mohuar akuzat. Të njëjtën gjë bëri edhe dje pas vendimit të gjykatës. Përmes avokatit Maksim Haxhia, deklaroi, se prokuroria kishte bërë një veprim të pambështetur në prova. Sipas avokatit, akuza nuk ka asnjë provë të re për Tahirin dhe në këto kushte gjithçka është nul. “vendimi i gjykatës dhe kërkesa e prokurorisë është si kofini pas të vjelave”, deklaroi avokati. Pas këtij lajmi u tha se dosja kishte shumë fakte dhe prova të cilat pritet të publikohen gjatë ditës së sotme. Pas vendimit të gjykatës, një kopje e tij i dërgohet Ministrisë së brendshme, dhe po kështu nga një kopje të gjitha pikave kufitare. Pas kësaj, i merret pasaporta Tahirit dhe mbahet e bllokuar me dokument të veçantë. Tahiri gjithashtu do të jetë i detyruar të paraqitet një herë në javë në policinë gjyqësore për të vërtetuar se nuk i fshihet drejtësisë dhe për të dhënë shpjegime sa herë që do të duhet. Ai akuzohet për korrupsion aktiv dhe pasiv si dhe për përfshirje në organizatën kriminale të trafikut të drogës, drejtuar nga vëllezërit Habilaj. 
Orlando: Nuk komentoj vendimet e gjykatës
Ministri i Drejtësisë së Italisë, Andrea Orlando dha dje një konferencë shtypi të përbashkët me homologen e tij shqiptare, Etilda Gjonaj. Pyetjes “Çfarë prisni ju nga drejtësia shqiptare për dosjen Tahiri – Habilaj dhe a keni sjellë material shtesë për këtë dosje?”, Orlando u shpreh se nuk mund të komentojë veprimet e drejtësisë italiane, aq më tepër të asaj shqiptare. “Nuk komentoj veprimet e magjistraturës italiane, aq më pak mund ta bëj me vendimet e magjistraturës shqiptare. Funksioni ynë është që shkëmbimi mes magjistraturave të bëhet në mënyrën sa më të mirë dhe jo të gjykojmë në vend të gjyqtarëve apo hetojmë në vend të prokurorëve, nuk duhet të bëjmë detyrën e tyre”, u shpreh Orlando. Më tej ai i ka dhënë përgjigje interesit të gazetarëve edhe për dosjen ‘Habilaj”, nëse Italia ka ende pikëpyetje që mbetet për t’u sqaruar me autoritet shqiptare. “Në shkëmbimin e informacionit kemi raporte të shkëlqyera dhe niveli i bashkëpunimit mes dy vendeve është nga më të mirët. Probleme që ekzistojnë janë mënyrat e vlerësimit të disa proceseve që janë zhvilluar në mungesë të të pandehurve, por edhe në këtë pikë mendoj se pas një ballafaqimi teknik edhe ky problem mund të zgjidhet”, tha ai. Sot Gjykata ka vendosur që ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri të mos dalë jashtë vendit, pasi dyshohet se ka favorizuar një grup kriminal.
Sigal