Sigal

Bilanc lufte në Shqipëri.Qindra punonjës policie dhe bashkie i turren gjobave duke braktisur sigurinë dhe rendin publik. Mbi 10 mijë të vrarë për prona dhe 6348 të ekzekutuar në 20 vite

Jakup B. GJOÇA

Në 27 vitet e tranzicionit në Shqipëri kemi një bilanc lufte, për sa i përket vrasjeve. Problemet e mëdha të pronësisë, padrejtësitë në ndarjen e pronave, drejtësia e munguar dhe e mohuar nga gjykatat tona kanë shkaktuar gjakderdhje, pasi njerëzit, që shikonin dhe gjykonin që të drejtën e tyre e nëpërkëmbnin edhe institucionet kushtetuese, sikurse prokuroria, gjykatat, i drejtoheshin Kanunit dhe “burrërisë” për të “fituar” të drejtën e tyre. Kështu, që nga viti 1991 e deri në fundvitin e 2017-s, sipas të dhënave zyrtare janë vrarë mbi 10.000 persona për problemet e pronës, ndërkohë, që mbi 6.348 të tjerë janë ekzekutuar për çështje të tjera.

Eksploziv dhe breshëri plumbash në një banesë dje në Kamëz

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë natës së pardjeshme në Kamëz, ku është qëlluar me armë drejt një lokali dhe banesës që ndodhej në të njëjtën objekt. Pak minuta më vonë ka ndodhur një shpërthim eksplozivi. ngjarja ka ndodhur në lokalin ‘Kaslin’, i pozicionuar në Bulevardin Blu, rreth 500 m poshtë Bashkisë Kamëz. Nga shpërthimi ka pasur vetëm dëme materiale në lokal dhe në makinat e parkuara para lokalit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 2:00, ndërsa në banesë ndodheshin familja Halili, pronare e objektit, mes të cilëve gra dhe fëmijë. Ngjarja është regjistruar nga kamerat e sigurisë së lokalit, ku duken personat që qëllojnë me armë. Pjesëtarët e familjes Halili kanë thënë se nuk kanë konflikte dhe nuk e dinë kush mund të jetë autor i sulmit.

Askush nuk beson më tek drejtësia dhe shteti

Njerëzit nuk besojnë më tek drejtësia, tek prokuroria, tek gjykatat, dhe as te Policia e Shtetit, as tek vetë shteti, për t’u ankuar, për të gjetur të drejtën e tyre. Gjyqtari dhe prokurori e shesin “drejtësinë” atij që paguan më shumë, polici shpeshherë bashkëpunon me vetë njerëzit e botës së krimit, shteti është shpërfillës. Prandaj, dikush, që gjykon ën vetvete, se duhet të marrë “hakun” e vet, mjafton që të paguajë vrasësit me pagesë, ose të blejë eksploziv, fishekë, kallashnikovë dhe me fishekë dhe eksploziv e “vendos” drejtësinë e tij të mohuar.

Qeveria, palë me njerëzit e botës së krimit

Ndokush mund të çuditet dhe të pyesë: Si ka mundësi, që kriminelët guxojnë të gjuajnë me breshëri në një shtëpi banimi? Si ka mundësi që kriminelët të kenë kohë të vënë edhe eksploziv në shtëpi banimi në lagje të banuara siç është Kamza? Si ka mundësi që kriminelët të ketë kurajë dhe të lëvizin lirshëm në qendrat urbane të armatosur, thua se qytetet tona janë Kabul, Bagdat dhe Damask? Gjëja e parë është sepse kriminelët tashmë nuk tremben nga Policia e Shtetit. Ndoshta Policia e Shtetit trembet nga kriminelët, dhe që të mos i nxjerrë telashe vetes, Policia e Shtetit i lë të lirë të “livadhisin” kriminelët edhe me armatim, mjafton, që të mos i vënë ndonjë bombë Komisariatit. Qytetarët shqiptarë nuk kanë më asnjë besim tek qeveria, ndaj nuk trokasin më në dyert e shtetit, për të kërkuar të drejtën e tyre që u mohohet. Kryeministri Rama, që në fushatën elektorale të 20013-s premtoi se do të bënte një reformë të thellë në qeverisje dhe në drejtësi, në mënyrë që qytetari të rifitonte besimin tek shteti dhe drejtësia. Në këto 5 vite të qeverisjes “Rama”, dolën në dritë fakte nga më tronditëse, ku segmente dhe zyrtarë të lartë të shtetit janë bashkëpunëtorë me njerëzit e botës së krimit, ndërsa kryeministri Rama ka urdhëruar deputetët e maxhorancës, që të votojnë në parlament kundër kërkesave të prokurorisë, për hetime penale ndaj ministrave të vet. Shumë deputetë, kryebashkiakë të qeverisë, pasi parlamenti votoi ligjin e dekriminalizimit, rezultuan me rekorde kriminale.

E drejta e mohuar, i detyron qytetarët të përdorin fishekët dhe eksplozivin

Vetëm ky fakt mjafton të kuptojmë, pse qytetarët shqiptarë, jo vetëm që nuk kanë më asnjë besim te qeveria dhe shteti, por edhe reforma në drejtësi, që predikohet nga kryeministri Rama, është jo vetëm propagandë, por edhe një instrument politik për të marrë peng vendimmarrjen e Drejtësisë, për ta manipuluar atë në favor të interesave personale të zyrtarëve të lartë të shtetit dhe në dëm të së Drejtës të qytetarëve. Atëherë, qytetarët e kërkojnë të drejtën e tyre të mohuar e të munguar, duke përdorur fishekë dhe eksploziv.

Policia e Shtetit na informon: Makinat e vrasësve, janë të… vjedhura!

Në të gjitha kronikat e ngjarjeve të zeza, shikojmë, lexojmë edhe në komunikatat e Policisë së Shtetit, që atentatorët, pasi kryejnë (çfarëdo) krim, vrasje, vendosje eksploziv e bombë, largohen me makina të vjedhura, të cilat pas disa metrave nga vendi i krimit, gjenden të djegura. Të paktën Policia e Shtetit na heq merakun, që makinat e djegura të përdorura nga kriminelët e vrasësit janë të… vjedhura. Policia e Shtetit, të paktën deri tani, nuk mban asnjë përgjegjësi, që kriminelët, vrasësit kaq lehtë vjedhin makinat. Sikurse, as Policia e Shtetit, as shërbimet informative shtetërore nuk mbajnë asnjë përgjegjësi, për armët e krimit që shiten e blihen.

Masakra e Selenicës dhe neglizhenca e Policisë së Shtetit

Kryeministri Rama nuk e mori mundimin as të përcillte ngushëllime familjarëve të 8 viktimave të vrarë, por gjëja e vetme që tha publikisht, ishte se qeveria e tij nuk ka asnjë përgjegjësi. Kryeministri Rama ndoshta qëllimisht harron që Policia e Shtetit (domethënë, qeveria) ka një punonjës operativ të zonës, detyra e të cilit është të mbledhë informacion për armët, për njerëzit që përbëjnë rrezikshmëri potenciale. Armët shiten e blihen në Pazar, thua se janë gjela deti dhe vetëm operativi i zonës nuk merr haber, nuk shikon, nuk dëgjon për armët. Atëherë, përse paguhet Policia e Shtetit, derisa nuk mëson asgjë për armët që qarkullojnë dhe për njerëzit që i blejnë ato, e pastaj, i përdorin për krime nga më makabret? Vetëm për eskortën e Kryeministrit Rama?