Gjykata lë në burg biznesmenin e Elbasanit, çfarë dëshmoi për patentat e Tahirit

508
Gjykata e Elbasanit la dje në burg biznesmenin e arrestuar tri ditë më parë, Orest Sota, pasi në automjetin e tij “Land Rover” u zbuluan, përveç një sasie prej 863 mijë eurosh, edhe dy patenta për drejtimin e mjeteve lundruese, të cilat mbanin emrin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Ndryshe nga seancat e zakonshme të gjykatave, të cilat nisin kryesisht pas orës 09:00, biznesmeni 25-vjeçar ka dalë para togave të zeza që në orën 08:00. Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Miranda Konica, ka lënë në fuqi kërkesën e Prokurorisë, e cila kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg”.
Prokurorja Erida Kokonozi ka kërkuar gjithashtu edhe sekuestro të eurove deri në paraqitjen e faturave, të cilat do të faktojnë pretendimin e të arrestuarit se kjo shumë do të derdhej konform ligjit për disa pagesa hekuri që i akuzuari do të kryente pasi malli ishte blerë më parë.
Burime nga Prokuroria bënë të ditur se 25-vjeçari ka pohuar para trupit gjykues, të njëjtin version që i ka dhënë edhe Policisë në momentin e ndalimit.
I pyetur për motivin se përse ndodheshin në automjetin e tij një sasi kaq e madhe parash, i riu ka deklaruar se ato ishin të destinuara për të kryer pagesat e një sasie hekuri që kishte blerë në Elbasan babai i tij biznesmen.
Ndërsa në lidhje me patentat e ish-ministrit Tahiri për qarkullim me mjete lundruese, të cilat u gjetën në mjetin e tij, ai është shprehur se është mik me shoferin e Tahirit dhe se ky i fundit i kishte harruar ne mjetin e tij.
Sakaq, ai nuk ka pranuar më të flasë duke ja lënë kompetencat avokatit, i cili edhe pse ka kërkuar lirim me kusht, nuk është pranuar nga trupi gjykues.
Ndaj të riut rëndojnë akuzat për “drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, “mosbindje ndaj urdhrit të Policisë” dhe “fshehje të të ardhurave”. Mësohet se, për shkak të shkeljeve të vazhdueshme të rregullave të qarkullimit rrugor, O.S., i ishte hequr leja e drejtimit.
ARRESTIMI 
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, mësohet se Policia e Elbasanit, mbrëmjen e së mërkurës ka bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit O.S. 25 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një subjekti privat sh.p.k.
Policia thotë zyrtarisht se arrestimi i tij është bërë pasi më datë 1 nëntor, në rrugën nacionale, në fshatin Balldren, u kap duke drejtuar pa leje drejtimi mjetin “Land Rover”.
Ndërsa nga kontrolli në mjet, iu gjetën e bllokuan një sasi e madhe eurosh, i cili pretendonte se do t’i përdorte për likuidimin e faturave, por të pashoqëruara me dokumentin e origjinës.
Megjithatë, në njoftimin zyrtar Policia nuk e përmend shumën e eurove të sekuestruara dhe as patentat në emrin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Sigal