Gjykata Kushtetuese, nis zhbllokimi i emërimeve

564
Drejtuesi i KED-së njofton zhvillimin e mbledhjes së parë. Mazhoranca kishte deklaruar se më parë duhej të zhvillohej vetingu
Emërimet në Gjykatën Kushtetuese do të zhbllokohen, ndërsa Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të zhvillojë më 19 mars 2018 mbledhjen e tij të parë. Anëtari i Gjykatës së Lartë, Artan Broci, bëri të ditur se është njohur me shkresën e sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit më 1 mars 2018 për zgjedhjen e tij si anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED). Sipas nenit 149/4 të Kushtetutës, Broci gëzon cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. “Në këtë cilësi, në zbatim të nenit 226 të Ligjit nr.115/2016 “Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”, z. Broci ka nisur punën për krijimin e kushteve dhe marrjen e masave organizative për thirrjen e mbledhjes së parë konstitutive të KED. Në këto kushte, pasi rakordoi edhe me Institucionin e Avokatit të Popullit, pjesëmarrja e të cilit është e detyrueshme, vendosi të thërrasë mbledhjen e parë të këtij organi në datën 19.03.2018, ora 10.00, në Gjykatën e Lartë të Republikës së Shqipërisë, e cila sipas ligjit është dhe selia e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”, thuhet në deklaratën zyrtare të Gjykatës së Lartë. Ky hap vjen pasi Presidenti i Republikës zhvilloi procesin e mbledhjes së kandidaturave për 2 vende bosh në Gjykatën Kushtetuese. Nga ana e saj, mazhoranca ka kundërshtuar mbledhjen e KED-së, pa bërë më parë vetingun e anëtarëve të tij. Një proces që ende nuk ka përfunduar, ndonëse anëtarët e KED-së janë zgjedhur prej muajit dhjetor 2017. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, ka folur për anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Sipas tij, ata duhet t’i nënshtrohen vetingut para se të bëhet filtri i kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese, pasi kjo përcaktohet në Kushtetutë. “Është e qartë në kushtetutë kjo. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, thotë Kushtetuta, i nënshtrohet menjëherë vetingut, çka do të thotë anëtarët e KED duhet të kalojnë procesin e vetingut përpara se të bëjnë filtrin e kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese, qoftë të kandidaturave të Presidentit, qoftë të atyre që çon Kuvendi”, tha Manja. Megjithatë, deri më tani ende nuk ka asnjë vendim të shpallur të komisioneve të vetingut dhe KED do të shkojë drejt mbledhjes së parë pa e kaluar këtë filtër. 

Gjykata Kushtetuese ndodhet në vështirësi për të marrë vendime për shkak të pakësimit të anëtarëve të saj. Disa prej tyre e kanë përfunduar mandatit, ndërsa së fundmi një anëtar dha dorëheqjen. Pas dorëheqjes së Besnik Imerajt, ndaj tij u ndërpre edhe procesi i vetingut. 
Kushtetuta për KED
1 – Këshilli i Emërimeve në Drejtësi kryen verifikimin e kushteve ligjore dhe vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, si dhe të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi shqyrton dhe rendit kandidatët sipas meritës profesionale. Renditja e kandidatëve nuk është e detyrueshme, me përjashtim të rastit kur nuk arrihet të emërohet kandidati.
2 – Këshilli i Emërimeve në Drejtësi mblidhet sa herë është e nevojshme.
3 – Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përbëhet nga 9 anëtarë të përzgjedhur me short, nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj të cilëve nuk është dhënë masë disiplinore. Ata ushtrojnë detyrën me mandat njëvjeçar, që fillon në datën një janar të çdo viti kalendarik. Presidenti i Republikës përzgjedh me short, midis datave 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik, dy gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, një gjyqtar nga Gjykata e Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë dhe dy prokurorë nga gjykatat e apelit, si dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative. Nëse Presidenti i Republikës nuk arrin të zgjedhë anëtarët deri në datën 5 dhjetor, Kryetari i Kuvendit i zgjedh ata me short brenda datës 10 dhjetor të atij viti kalendarik. Avokati i Popullit merr pjesë si vëzhgues në procedurën e hedhjes së shortit si dhe në mbledhjet dhe veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
4 – Kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi është anëtari i Gjykatës së Lartë. Gjykata e Lartë krijon kushtet e punës për ushtrimin e veprimtarisë së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
5 – Kritere të tjera për shkallën e kualifikimit të kandidatëve që marrin pjesë në short parashikohen me ligj. Organizimi dhe funksionimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi rregullohet me ligj.
Anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi:
Besnik Imeraj, gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese (i dorëhequr)
Altina Xhoxhaj, gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese
Artan Broci, gjyqtar i Gjykatës së Lartë
Rovena Gashi, prokurore nga Prokuroria e Përgjithshme
Enton Dhimitri, gjyqtar nga gjykatat e apelit
Fatos Qato, gjyqtar nga gjykatat e apelit
Gentian Trenova, prokuror pranë gjykatave të apelit
Fatjona Memçaj, prokurore pranë gjykatave të apelit
Ahmet Jangulli, gjyqtar nga gjykatat administrative
Anëtarët zëvendësues
Vitore Tusha (Gjykata Kushtetuese)
Shkëlzen Selimi (Gjykata e Lartë)
Sotiraq Lubonja (Këshilli i Lartë i Drejtësisë)
Sigal