Gjykata Kushtetuese mblidhet sot për të zbardhur vendimin e ligjit të Vettingut

423
Sigal

Gjykata Kushtetuese mblidhet sot  për të zbardhur vendimin e ligjit të Vettingut, një vendim ky që i hap dritën jeshile qysh në ditët e para të 2017-ës, zbatimit të reformës në drejtësi.

Tetë gjyqtarët kushtetues janë thirrur për t’u takuar sërish në mbledhjen me dyer të mbyllura të gjyqtarëve këtë të enjte në orën 10.00. Qëllimi i mbledhjes  është që të redaktojnë vendimin final të Vettingut për të cilin në 22 dhjetor u la në fuqi me 6 vota pro dhe dy kundër. Siç thonë burimet redaktim do të thotë interpretim i votës me shkrim  i çdo njërit prej anëtarëve, një procedurë kjo që mund të zgjasë maksimumi dy ditë.  Më tej  vendimi i zbardhur në të cilin anëtarët Bashkim Dedja, Vitore Tusha, Fatmir Hoxha, Vladimir Kristo, Fatos Lulo dhe Altina Xhoxhaj e cilësojnë ligjin e Vettingut si Kushtetues, do zbritet në sekretarinë e Gjykatës Kushtetuese.  Gjithashtu në këtë mbledhje duhet të argumentojnë mendimin kundër edhe dy anëtarët e tjerë Gani Dizdari dhe Besnik Imeraj. Pas zbardhjes së verdiktit të Kushtetueses botimi në Fletore Zyrtare i hap rrugën skanimit pasuror e figurës dhe të aftësive profesionale të  gati 800 njerëzve të drejtësisë të cilët  janë gjyqtarë e prokurorë të të gjitha niveleve si edhe ndihmës ligjore.  Pas botimit në Fletore Zyrtare nis zbatimi i ligjit të Vettingut, thënë ndryshe i ligjit të rivlerësimit kalimtar të prokurorëve e gjyqtarëve. Siç parashikon ligji procedurën e parë për zbatimin e tij e nis presidenti, i cili do të deklarojë të hapur garën e kujtdo që synon të  kandidojë për tre komisionet e  Vettingut, proces i cili do të mbikëqyret edhe nga operacioni ndërkombëtar i monitorimit.  Sikurse thuhet në ligj, komisioni i pavarur i kualifikimit dhe Kolegji i Apelimit janë institucionet e rivlerësimit që do të kalojnë në sitë njerëzit e drejtësisë, ndërkohë që të parët që do kontrollohen me procedurë të përshpejtuar do të jenë gjyqtarët kushtetues, prokurori i përgjithshëm dhe gjyqtarët e lartë.