Gjykata Kushtetuese: “Harta e re me 61 Bashki, nuk cënon zgjedhjet”

449
TIRANE – Ndarja e re territoriale me 61 njësi të qeverisjes vendore nga 373 të cilat janë deri më tani, nuk bie ndesh me kushtetutën dhe nuk ka cënuar asnjë parim të sajin.
Janë këto argumentet e zbardhura në vendimin numër 19 të Gjykatës Kushtetuese e cila vendosi të lë në fuqi ligjin 115 të miratuar më 31 korrik të 2014-ës, duke rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për shfuqizimin e këtij ligji.
Në vendim rezulton se reforma territoriale është miratuar me 7 vota nga 9 anëtarë të trupit gjykues dhe me mendim pakice rezultojnë Vladimir Kristo e Gani Dizdari.
Sa i përket pretendimeve të Partisë Demokratike se shkrirja e komunave do të cënonte procesin e zgjedhjeve lokale të cilat mbahen më 21 qershor, në argumentin numër 50 faqe 20 kushtetuesja shprehet: 
“Ky pretendim nuk mund të jetë objekt shqyrtimi prej saj, pasi kjo çështje lidhet me Kodin Zgjedhor dhe jo me ligjin objekt kërkese. Ky i fundit ka për qëllim organizimin e pushtetit vendor dhe jo organizimin e zgjedhjeve, i cili rregullohet me ligj të posaçëm”.
Në lidhje me pretendimet e Partisë Demokratike se nuk është respektuar neni 108/1 i kushtetutës për marrjen e mendimit nga komuniteti për hartën e re territoriale, Kushtetuesja duke rrëzuar këtë pretendim në faqen 28 të vendimit argumenton se ky nen është respektuar pasi 393 krerë lokal përfshi dhe këshillat komunal janë përgjigjur pyetjes nëse janë pro apo kundër me argumentet e tyre, dhe më shumë se 50 % pra 160 përgjigje kanë qenë pozitive për variantin me 61 bashki.
Ndarja e re territoriale e cila u la në fuqi nga Kushtetuesja u miratuar në korrik të 2014 me 88 vota pro, ndërsa zgjedhjet e 21 qershorit pritet të nxjerrin 61 drejtuesit lokal të cilët do të qeverisin me hartën e re administrativo-territoriale.
Votat e gjyqtarëve
Pro
1. Bashkim Dedja, Kryetar 
2. Dr. Vitore Tusha, anëtare
3. Sokol Berberi, anëtar
4. Dr. Altina Xhoxhaj, anëtare
5. Fatmir Hoxha, anëtar
6. Besnik Imeraj, Anëtar
7. Fatos Lulo, Anëtar
Kundër
1. Dr. Vladimir Kristo, anëtar
2. 7. Gani Dizdari, Anëtar 
Sigal