Gjykata Evropiane dënon Shqipërinë me 110 milionë euro

696
Sigal

Tekat e kryeministrit Rama. Gjykata Evropiane dënon Shqipërinë 110 mln euro për Becchettin

Deklaratat publike të kryeministrit Edi Rama kundër biznesmenit italian Fancesco Becchetti do t’i kushtojnë qytetarëve shqiptarë shifrën marramendëse të 110 milionë eurove. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ka dënuar Shqipërinë 110 milionë euro për konfliktin me biznesmenin italian. Vendimi është marra para pak ditësh dhe SYRI.net e ka konfirmuar nga dy burime të pavarura, përfshirë Avokaturën e Shtetit. Fatura, që përbën një goditje fatale për financat e shtetit është gjoba më e madhe që ka marrë ndonjëherë Shqipëria nga një gjykatë ndërkombëtare.

Padia

Gjatë asaj kohë, pak ditë pasi prokuroria shqiptare sekuestroi pronat e biznesmenit italian, përkatësisht televizionin ‘Agon Channel’, kryeministri e pati akuzuar publikisht Becchetin për pastrim parash. Në deklaratën e tij në rrjetin social Twitter, kryeministri Rama, duke iu përgjigjur akuzave të opozitës e lidhi sekuestrimin e aseteve të televizionit ‘Agon Channel’ me dekriminalizimin e politikës nga elementët kriminalë. ‘Dekriminalizimi, gjethe fiku që bie e nxjerr cullak PD-në kur goditet krimi! Bllokimi i burimit të parasë së zezë që ushqente ‘Agon Channel’, një sukses,’ shkruante Rama në twitterin e tij personal. Menjëherë pas këtyre deklaratave, Fancesco Becchetti e paditi Shqipërinë në gjykatën e arbitrazhit në Strasburg, në të cilën pretendonte se deklaratat publike të kryeministrit Edi Rama kanë shkelur prezumimin e tij të pafajësisë. Padia e ngritur nga Becchetti është depozituar në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, më 21 tetor 2015 dhe i është komunikuar qeverisë shqiptare në 12 janar. Në po të njëjtën kohë, biznesmeni italian bëri dhe një tjetër padi kundër Shqipërisë për sekuestrimin, sipas tij, pa të drejtë të televizionit ‘Agon Channel’. Pas një kalvari të gjatë gjyqësor, gjykata i ka dhënë të drejtë Becchettit duke e gjetur kryeministrin dhe qeverinë shqiptare fajtore, dhe duke e dënuar Shqipërinë me faturën e çmendur prej 110 milionë eurosh. Fatura është sa ndihma ekonomike e tre viteve që qeveria jep për të gjithë të varfrit në Shqipëri ose sa 1 për qind e Prodhimit Kombëtar të Shqipërisë. Marrë nga Syri.net

‘Ramës t’i sekuestrohet shtëpia dhe pasuritë e tjera’, pas fitores së Becchetti-t

Eksperti i ekonomisë, Pano Soko thekson se, nëse ky lajm konfirmohet, kryeministri Edi Rama e ka kusht juridik që të japë dorëheqjen dhe ndaj tij të nisë një procedim penal. Jo vetëm kaq, por duke qenë se kryeministri Rama pretendohet se është shpallur fajtor me veprimet kundër Becchetitt, Soko propozon: Nëse vërtet Gjykata e Arbitrazhit ka penalizuar Shqipërinë për çështjen e mbylljes së ‘Agon Channel’, siç po pretendojnë burime gazetash të ndryshme, atëherë ky është kusht juridik që Kryeministri, jo vetëm duhet të japë dorëheqjen, jo vetëm që duhet hapur procedim penal për shpërdorim detyre me kosto për buxhetin e shtetit, por duhet t’i sekuestrohet gjithë pasuria deri në likuidimin e plotë të shumës. Pra, nëse gjoba që ka marrë shteti shqiptar është 110 milionë € (sa pretendohet nga disa media) atëherë fajtorit të gjetur në vendimin e gjykatës (pra Kryeministrit) duhet t’i sekuestrohet shtëpia, pasuritë e tjera të vetat dhe të familjes dhe çdo gjë deri në masën sa të shlyejë gjithë detyrimin që i lind shtetit prej veprimit të paligjshëm të tij, të gjetur si të tillë nga një Gjykata.