Sigal

Shteti shqiptar ka humbur shumë çështje, të cilat janë gjykuar në Gjykatën e Strasburgut dhe taksapaguesit shqiptarë kanë paguar miliona euro dëmshpërblim, si pasojë e moszbatimit të ligjit nga institucionet shtetërore dhe kushtetuese të Shqipërisë në raportet e tyre me qytetarët dhe nëpunësit.

Edhe një herë Shqipëria do të gjykohet në gjykatën e Strasburgut. Çifti i prokurorëve Rovena Gashi dhe Dritan Gina e kanë zhvendosur betejën e tyre ligjore me Prokuroren e Përgjithshme, Arta Marku, për KPK, KPA, apo ONM në gjykatën e Strasburgut. Gazeta “Telegraf” mëson se Gjykata e Strasburgut ka pranuar të marrë në shqyrtim, nëpërmjet procedurës së njoftimit urgjent të autoriteteve shqiptare dhe kalimit në seancë gjyqësore me prioritet, ankimin e prokurorëve Rovena Gashi dhe Dritan Gina, duke e regjistruar çështjen e tyre me nr. Nr.29943/18 “Gashi dhe Gina kundër Shqipërisë”, dt. 27.06.2018. Dy prokurorët kanë ankimuar një seri procedurash ligjore, të ndjekura nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, përfshirë edhe Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, si edhe të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm. Prokurorët Gashi dhe Gina kërkojnë nga Gjykata e Strasburgut që të shqyrtojë shkeljet e parashikuara në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, të kryera nga KPK, KPA dhe Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm, duke vendosur rrëzimin e kërkesës për pezullimin e tyre nga detyra, si edhe të konstatojë shkeljet proceduriale gjatë procesit të rivlerësimit.

Pas konfirmimit se çështja do të shqyrtohet nga Gjykata e Strasburgut, prokurorja Rovena Gashi kërkoi nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, të Martën, dt. 10.07.2018, të ndërpresë procedurën e rivlerësimit kalimtar të nisur ndaj saj. Këtë kërkesë e bazon në përcaktimet e neneve 17, 29, 32, 34, 38 dhe 46 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, në bazë të të cilave autoritetet e brendshme nuk mund të vijojnë shqyrtimin e çështjes, për sa kohë procedurat paraprake të saj po shqyrtohen nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut deri në vendimin përfundimtar prej saj. Prokurorët Rovena Gashi dhe Dritan Gina, në aplikimin e tyre, i kanë argumentuar Gjykatës së Strasburgut se institucionet kanë dështuar që t’i sigurojnë një proces të rregullt ligjor, si gjatë procesit të rivlerësimit, ashtu edhe në procesin penal.