GJYKATA E STRASBURGUT ‘PRANGOS’ SEKSERIN E QEVERISË

842
Jakup B. GJOÇA
Gjykata e Strasburgut reagon: Veprimi i Denar Bibës ishte i papërshtatshëm
Sa besueshmëri do të ketë KQZ-ja në procesin zgjedhor, nëse (sekseri) Denar Biba do të jetë zv.kryetar i saj?
Në qershor të 2014 zv.kryeministri Peleshi shkon në Gjykatën e Strasburgut, në nj delegacion qeveritar për të biseduar për çështjet gjyqësore që kanë pronarët shqiptarë me pronat në Shqipëri. Në këtë delegacion qeveritar merret edhe Denar Biba, asokohe kryetar i Komisionit të Prokurimeve, me qëllim që të ndërhynte tek shoku i vet, gjyqtari i Gjykatës së Strasburgut Ledi Bianku, që ky të ndikonte tek kryetari i Gjykatës që shumë çështje gjyqësore të shqiptarëve të bllokoheshin. Denar Biba, në një audio-përgjim të publikuar pardje, dëgjohet t’i kërkojë të bëjë kompromis, por kur gjyqtari nuk pranoi, atëherë Denar Biba e shantazhon gjyqtarin, nëse nuk vepron siç kërkon kryeministri Rama, duke i përmendur se do të mbetet pa punë, kur t’i mbarojë mandati. Kryeministri Rama deri tani ka heshtur, Denar Biba nuk ka marrë aspak përgjegjësi, qoftë edhe morale e qytetare, edhe pse e pranon që zëri në audio është i tij, mohon përmbajtjen, duke thënë se ishte bisedë kafenesh. Prokuroria, sipas zërave, sepse nuk ka njoftim zyrtar, thuhet se e ka sekuestruar audio-përgjimin. Nuk ka njoftim për hapje çështje penale.
Video-përgjimi: Ja kërcënimi i Denar Bibës ndaj gjyqtarit të Strasburgut Bianku
Edhe pse regjistrimi ka shkëputje, në të dëgjohen qartësisht fjalët e Bibës:
“Më mori Engjëll Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, e më thotë ç’e ke Ledi Biankun? I thashë… Më thonë që nga gjithë këta që kemi afër ne ti e ke [më afër]. [Agaçi më] tha… hajde të pimë një kafe… ky muhabet të mërkurën, të enjten… Tha, kemi këto problemet, e di ti gjithë kjo historia që do kërkohet shtyrja. Të lutem tha, t’i lutesh të na gjendet në gjithë këtë histori … sot është Niko Peleshi [këtu në Strasburg] ka takim [me Kryetarin e GJEDNJ-së]”. Biba vazhdon: “Ma paguan ata biletën…” Pastaj, Biba i drejtohet Biankut për ta bindur që të pranojë të ndikojë: “A të ndalon më ky tren në stacion? Të ngelesh pa punë dhe ç’të vajti sakrifica! Njeriu bën kompromise në jetë.”
Ledi Bianku: Informova kryetarin e Gjykatës së Strasburgut
Gjyqtari Ledi Bianku e konfirmoi takimi me Bibën dhe në vija të përgjithshme përmbajtjen e bisedës në regjistrimin audio, që u publikua. Bianku, gjithashtu, pohoi për Exit.al, se në përputhje me detyrimet e tij etike dhe ligjore, pas takimit me Bibën, ai informoi në lidhje me këtë ndikim të pa përshtatshëm Kryetarin e atëhershëm të GJEDNJ-së Dean Spielmann.
Denar Biba: Gjykata e Strasburgut nuk reagoi. Ishte bisedë kafenesh
Denar Biba, jo vetëm që nuk pranon përgjegjësinë e veprimit të tij, por dje, sërish akuzoi, ata që e denoncuan, duke dashur të nënvlerësojë shantazhin e vet, në “një bisedë kafenesh”. Biba, midis të tjerave, tje tha: Dëgjova z. Basha dje dhe z. Bardhi sot, të dy juristë në profesion dhe jam realisht i habitur për mënyrën sesi e kuptojnë ata ligjin dhe sesa pak i njohin procedurat e Gjykatës së Strasburgut. Si ka mundësi që nuk reagoi Gjykata e Strasburgut, pasi u vu në dijeni nga z. Bianku se ndaj tij ishte ushtruar një ndikim i papërshtatshëm? Çfarë konkretisht ka ndodhur mes vitit 2014, kur unë e kam bërë atë bisedë në kafene me mikun tim Ledi Bianku e deri më sot?
PD: Rama, ideatori i kërcënimit të gjykatësit të Strasburgut
Audio regjistrimi i publikuar në media, ku, në emër të Edi Ramës, nënkryetari i KQZ Denar Biba, shantazhon anëtarin e Gjykatës së Strasburgut, Ledi Bianku, u provoi shqiptarëve se qeverisen nga një kryeministër armik i të drejtave themelore të njeriut dhe që e drejton vendin si një organizatë mafioze. Në materialin audio kërcënimi është i qartë: “Nëse nuk zbaton porosinë e Edi Ramës, pas përfundimit të mandatit do të mbetesh pa punë. Sakrifica për të zbatuar me korrektësi ligjin nuk do të shërbejë për asgjë. Ky tren- pra mundësia e për të bërë pazar me Qeverinë-nuk do të vijë më në jetë”.- është thelbi i kërcënimeve mafioze të të dërguarit të Edi Ramës për gjyqtarin e Strasburgut. Audio regjistrimi është prova më diskredituese për Edi Ramën se, pasi u hoqi shqiptarëve të drejtën për t’u ankuar me nxjerrjen jashtë funksionit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, me mënyra mafioze, po u heq të drejtën pronarëve për t’u gjykuar nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe për të rifituar pronën e grabitur nga qeveria. Heshtja e Edi Ramës ndaj këtij akti kriminal është pohim i asaj që beson sot shumica e shqiptarëve se ai është urdhëruesi i aktit mafioz për shantazhimin e gjyqtarit në Strasburg dhe se kërcënimi, kapja politike, blerja e korruptimi është modeli i drejtësisë së re që po instalon Edi Rama.
Reagimi i Gjykatës së Strasburgut: Gjyqtari Bianku njoftoi Kryetarin e Gjykatës
Në përgjigje të pyetjeve tuaja, TV Fax News, Gjykata Evropiane për të drejtat e njeriut, mund të informojë, si më poshtë: Një gjykim pilot, Manushaqe Puto kundër Shqipërisë, i është dorëzuar Gjykatës në 31 korrik 2012, me shqetësimin e mos ekzekutimit të një vendimi përfundimtar administrativ dhe vendime gjyqësor për sa i përket kompensimit të pronarëve për pronën e shpronësuar gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Në këtë Gjykim, Gjykata vendosi që ai nuk mund të shtynte shqyrtimin e rasteve të paraqitura tashmë (pika 7 e dispozitave operative). Gjithsesi ajo u shty për një periudhë 18 muaj nga data në të cilën gjykimi u bë përfundimtar dhe çdo aplikim i paraqitur pas dorëzimit të gjykimit (pika 8 e dispozitave operative). Duhet të vëmë në dukje se sipas rregullit 61, pika 1 a e Rregullores të Gjykatës, në kontekstin e një gjykimi pilot, është në dorën e Gjykatës të shtyjë shqyrtimin e aplikimeve të ngjashme, duke mbajtur pezull adoptimin e masave për kompensimin e kërkuar në nivel kombëtar. Në vitin 2014, një zyrtar i afërt me qeverinë shqiptare, (zoti Denar Biba) kontaktoi zotin Ledi Bianku, gjyqtar përfaqësues i Shqipërisë, duke i kërkuar që gjykata të shtyjë shqyrtimet e rasteve për rikthimin ose kompensimin e pronës. Gjyqtari Bianku, tregoi këtij personi se kjo sjellje ishte e papërshtatshme dhe menjëherë informoi Dean Spielmann, president i Gjykatës Evropiane në atë kohë. Ai në vazhdim informoi Presidentin e Gjykatës, Guido Raimondi, sapo ai u zgjodh. Një kërkese zyrtarë për shtyrjen e rasteve për kthim dhe kompensim të pronave ishte bërë në të njëjtën datë, në kuadrin e takimit mes autoriteteve të Gjykatës Evropiane dhe Autoriteteve shqiptare. Kjo kërkesës u trajtua me të njëjtin refuzim kategorik. Në veçanti, çdo vendim i tillë, ra brenda kompetencave të Dhomës, përpara secilit prej rasteve në pritje dhe nuk mund të shqyrtoheshin nga Presidenti i Gjykatës. Për më tepër, një kërkesë e tillë mund të shqyrtohej vetëm në përputhje me rregullat proceduriale normale. Kështu që nuk ka pasur, as nuk mund të ketë ndonjë “marrëveshje” mes Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Shqipërisë, për sa i përket shtyrjes së mundshme të rasteve në fjalë. Rrjedhimisht, në 2016, Dhoma kompetente e Gjykatës, vendosi të shtyjë shqyrtimet e këtyre rasteve. Gjithsesi, kjo shtyrje nuk ka lidhje me ngjarjet e vitit 2014. Gjyqtari Bianku, nuk mori pjesë në këtë vendim, sepse ishte tërhequr nga këto raste. Të gjitha vendimet e Gjykatës mbi rastet, janë marrë në përputhje me ligjin dhe me procedurat e vendosura nga Rregullorja e Gjykatës.
Sigal