Gjykata e Lartë sfidon OSBE-në

479
Sigal

VENDIMI/ Pushohet gjykimi i çështjes së korrupsionit të videos Prifti-Beqiraj

Dje, Gjykata e Lartë, si për të sfiduar haptazi raportin e Ambasadorit Wolfrath, të dorëzuar në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së, për ecurinë e reformave të 12 prioriteteve të statusit kandidat, dha vendimin për pushimin e  gjykimit të çështjes të korrupsionit të ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti me ish-zëvendësin e tij, Leonard Beqiraj. Në këtë vendim të Gjykatës së Lartë, thuhet se, ndikoi tërheqja e akuzës nga Prokuroria e Përgjithshme, pasi prova e vetme që kishte organi i akuzës, videoja, u rrëzua  pak ditë më parë nga vendimi i Gjykatës së Lartë. Kolegji Penal i  Gjykatës së Lartë përbëhej nga Mirela Fana, e cila ishte relatore, Gani Dizdari, Fatos Lulo, Arjana Fullani, Aleksandër Muskaj. Në raportin OSBE-së, për Gjyqësorin, ndër të tjera thuhej: “Në përgjithësi, perceptimi i publikut – duke përfshirë atë të investitorëve dhe bizneseve të huaja të mundshme – për pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatave, mbetet i ulët”. Kjo shpjegohet nga hezitimi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë  për të vepruar në përputhje me ligjin. Si mund të shpjegosh ndryshe, vendimin e ditëve të mëparshme, po të Gjykatës së Lartë, e cila rrëzoi provën e akuzës, videon, duke e shpallur të papërdorshme. Mbi çfarë baza ligjore e mbështet vendimin e saj Gjykata e Lartë, (por edhe Prokuroria e Përgjithëshme deri sa tërhoqi akuzën) duke e cilësuar videon të papërdorshme? Investigoi dhe provoi Gjykata e Lartë që videoja është e montuar dhe nuk përbën fakt korrupsioni? U provua që, personazhet e videos, Prifti – Beqiraj nuk janë ata, por të tjerë? U hodh gjë poshtë që provat e korrupsionit që provohen në video nuk janë provë e korrupsionit qeveritar? Asgjë nga këto. Por vendimi i Gjykatës së Lartë u bazua vetëm mbi  një kriter politik. Raportet e klientelizmit që janë krijuar midis politikës dhe Gjyqësorit. Raporti i OSBE-së përmend edhe vendime më të hershme të Gjykatës së Lartë, të cilat janë dhënë mbi bazës e raporteve të ndërtuara midis politikës dhe Gjyqësorit.  Gjyqi i Gërdecit, thuhet në këtë raport të OSBE-së,  nuk mund të konsiderohet se është zhvilluar në përputhje të plotë me parimet e gjykimit të drejtë. . Në veçanti, kohëzgjatja e tepruar e gjyqit, ngriti shqetësime të herëpashershme. Një tjetër shqetësim ishte se ministrit të Mbrojtjes në detyrë në vitin 2008, Fatmir Mediu, nuk iu desh të paraqitej në gjyq në lidhje me përgjegjësitë që ai supozohej të kishte për këtë shpërthim, pasi as prokuroria nuk kërkoi një riheqje të imunitetit të tij pas rizgjedhjes së tij në Kuvend dhe as Gjykata e Lartë nuk i pranoi paditë penale të ngritura nga familjarët e viktimave. Dhe ky nuk është i vetmi rast i gjykimit mbi bazën e raporteve të klientelizmit Politikë-Gjyqësor. Gjykata e Lartë e shpalli të pafajshëm ish-zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Ilir Metën, ndaj të cilit ishin ngritur akuza për korrupsion. Gjykata e Lartë u shpreh pas dhënies së atyre çka nga shumë vëzhgues u konsideruan si vendime të ndërmjetme të debatueshme, disa prej të cilave vështirë se mund të vihen në përputhje me ligjin, si për shembull përjashtimi nga Gjykata i regjistrimeve me zë dhe figurë dhe zbardhjes së tyre si dëshmi, caktimi i ekspertëve shqiptarë në vend të ekspertëve të huaj, apo rrëzimi i urdhrit për mbledhje provash. Tërhiqet Prokuroria nga akuzat e ngritura ndaj ish- ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti dhe ish zv/ministrit të kësaj ministrie, Leonard Beqiraj, të akuzuar për korrupsion pas publikimit në media të një videoje të fshehtë, ku ata shfaqeshin duke ndarë një sasi te konsiderueshme parash me njëri-tjetrin. Tërheqja e palës akuzuese vjen pas vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila rrëzoi provën kryesore të Prokurorisë lidhur me çështjen “Prifti- Beqiraj”, duke e shpallur të papërdorshme videon e xhiruar nga ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti. Videoja u zbulua në shkurt të vitit 2011 nga eksperti amerikan që mori në dorëzim kompjuterin e ish-ministrit të Ekonomisë, ndërsa kryente ekspertizën për origjinën e videos Meta-Prifti. Videoja ishte filmuar prej vetë Priftit, përpara se të filmonte veten dhe ish-eprorin e tij, Meta. Edhe vendimi i Gjykatës së Lartë, që çështjen e gjykimit të Xhaçkës, vrasësit të komisarit Tahiraj, ta pezullonte nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Gjykatën e Durrësit, është një tjetër shembull i vendimeve të mara mbi bazën e raporteve të klientelizmit.