Gjykata e Durrësit i konsideron të pavlefshme zgjedhjet e 30 qershorit

599
Sigal

Vendimi i KQZ-së për të pranuar partinë e “Bindja Demokratike” në zgjedhje, u bë në kundërshtim me ligjin

Gjykata e Durrësit i konsideroi absolutisht të pavlefshme zgjedhjet lokale të zhvilluara në këtë qytet, në 30 Qershor, duke refuzuar t’i japë mandatin kandidates së Partisë Socialiste, Valbona Sako, në një vendim që mund të prekë procesin elektoral në zonat ku merrte pjese edhe subjekti “Bindja Demokratike”.

Vendimi i Gjykatës: BD u çregjistrua në zgjedhje me akt të pavlefshëm

Në vendimin e datës 17 Korrik 2019, gjyqtarja Mimoza Margjeka konstaton se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka regjistruar si pjesëmarrëse në procesin e votimit subjektin politik “Bindja Demokratike” të Astrit Patozit,, me anën e një akti absolutisht të pavlefshëm. Gjykata konstaton se “Bindja Demokratike” është regjistruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si subjekt elektoral për votimet e 30 qershorit në datë 23 Prill 2019. Por, siç konstaton gjykata e Durrësit, “Bindja Demokratike” është regjistruar formalisht në gjykatën e Tiranës si subjekt elektoral me vendimin nr. 8, datë 25 Prill 2019. Pra, “Bindja Demokratike” ka nisur ekzistencën e saj formalisht dhe juridikisht dy ditë pasi ishte regjistruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Po ashtu, gjykata e Durrësit konstaton se vendimi i gjykatës së Tiranës për regjistrimin e “Bindjes Demokratike” si subjekt politik ka marrë formë të prerë në 10 Maj 2019, pra 15 ditë pas regjistrimit të saj. Në këtë mënyrë, “Bindja Demokratike” vetëm pas datës 10 Maj mund të quhej ligjërisht subjekt politik dhe, vetëm në atë moment fitoi “personalitet juridik”. Duke paraqitur këto akte, Gjykata e Durrësit konstaton se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka regjistruar subjektin “Bindja Demokratike” rreth 2 javë para se ai të ekzistonte ligjërisht e formalisht. Për këtë arsye, gjykata e Durrësit e konsideroi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për regjistrimin e subjektit “Bindja Demokratike” një akt absolutisht të pavlefshëm. Duke analizuar situatën ligjore, gjykata e Durrësit i konsideron akte absolutisht të pavlefshme, sa më poshtë:

– Vendimin nr. 230, datë 27.04. 2019 të KQZ-së, Për regjistrimin e subjektit zgjedhor “Partia Bindja Demokratike” për Zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore të datës 30.06.2019.

– Vendimin nr 660, date 27.05.2019 të KQZ-së, Për miratimin e përmbajtjes së fletës së votimit për kandidatët për Kryetar Bashkia Durrës për Zgjedhjet për organet e Qeverisjes Vendore të datës 30.06.2019.

– Vendimin nr 944, datë 05.07.2019 të KQZ-së, Për nxjerrjen e rezultatit të votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë Durrës, Qarku Durrës, në zgjedhjet vendore të datës 30.06.2019.

Pas këtij konstatimi, gjykata e Durrësit vendosi: “Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit Valbona Sako për vërtetimin e mandatit të kryetarit të Bashkisë Durrës”.