Gjosha, Ylli dhe Gjoni: Deklarata e Ramës për të nxjerrë policinë në fushatë e papërgjegjshme

558
Thirrja e kryeministrit Edi Rama që policia të dalë në fushatë, është dënuar nga mjaft figura politike, edhe vetë brenda Partisë Socialiste, dhe veçanërisht Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha thotë se është e papranueshme që të trumbetosh reformat shtetformuese, me thirrje të padëgjuara më parë, ku policisë së shtetit i kërkohet të mbledh vota për partinë dhe kjo të ndodh në një vend që aspiron të bëhet pjesë e BE-së. Ajo shton se LSI nuk do të lejojë të zbehen standardet e procesit të Integrimit. “Policia e shtetit në një vend demokratik është e depolitizuar dhe ka vetëm një mision: të jetë gardiania e qytetarëve, lirive dhe të drejtave të tyre, të garantojë një proces zgjedhor normal ashtu si shqiptarët e meritojnë. I bëj thirrje policisë së shtetit të mos bëhet palë e asnjë partie, asnjë lloj interesi, pasi çdo veprim i tyre raportohet pranë instancave të Bashkimit Evropian”, shprehet Gjosha. Ndërkohë një reagim vjen edhe nga kandidati për deputet i qarkut të Shkodrës, Dritan Ylli. Ky i fundit, përveçse denoncon hapur shkarkimet e paligjshme që, sipas tij, është duke bërë Ministri Teknik i Drejtësisë Gazmend Bardhi, i bën thirrje policisë të distancohet nga kërcënimet e vazhdueshme të simpatizantëve të LSI-së. Sipas Yllit, Bardhi nuk do të mund të mbrojë dot PD nga humbja, me shkarkimet që po bënë. Ndërsa shton se në 26 qershor do të ikë paturpësisht dhe paralajmëron rikthimin në detyrë të të gjithë të larguarve padrejtësisht. Një tjetër reagim në cilësinë e sekretarit ndërkombëtar të LSI-së ka ardhur nga Ralf Gjoni. Thirrjen e kryeministrit për të nxjerrë policinë enë fushatë ai e konsideron shokuese. Teksa e etiketon kryeministër në detyrë, Gjoni i kërkon Edi Ramës të lejojë mediet, që të shfaqin të plotë intervistën e Ilir Metës dhënë për një TV grek. Vetëm përmes kësaj, thotë Gjoni do të kuptohet se Rama gënjen dhe Meta thotë të vërtetën.
Sigal