Gjosha: Shqipëria e vendosur të avancojë me axhendën europiane

476
Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, priti sot në një takim kortezie Ambasadoren e Greqisë, znj. Eleni Sourani. Ministrja Gjosha vlerësoi bashkëpunimin me Greqinë, veçanërisht projektet e përbashkëta të cilat kanë rezultuar të suksesshme për banorët e zonave ndërkufitare ku ato shtrihen. Gjosha shprehu falenderimet për mbështetjen që Greqia i ka dhënë Shqipërisë me procesin e integrimit, duke nënvizuar se ky proces është i pakthyeshëm për vendin.
Bashkëbisedueset diskutuan për rëndësinë e reformës në drejtësi në procesin e integrimit. Ambasadorja Sourani vlerësoi kalimin e kësaj reforme me konsensus duke e cilësuar si një hap përpara në zhvillimin e Shqipërisë. Ministrja Gjosha nënvizoi se Shqipëria është e angazhuar maksimalisht të ndërmarrë të gjitha reformat në mënyrë që të avancojë me axhendën evropiane. Ministrja u shpreh se pavarësisht të gjitha krizave që ka kapërcyer Europa e Bashkuar, Shqipëria beson te projekti evropian dhe është e vendosur t’i bashkohet BE-së me të drejta të plota.
Sigal