Gjosha: Sfida jonë është me papunësinë, pamundësinë dhe harresën

503
Kandidatja fituese e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Tiranës, Klajda Gjosha, ka publikuar një status falënderues për të gjithë mbështetësit dhe elektoratin e LSI-së për punën që ata kanë bërë gjatë gjithë fushatës elektorale, pavarësisht trysnisë dhe presionit. Gjosha është shprehur se, më në fund Shqipëria dhe shqiptarët do të kenë një opozitë dinjitoze që do të punojë dhe do të ngrejë zërin në emër të tyre. “Sot dua të falënderoj me zemër gjithë elektoratin e Lëvizjes Socialiste për Integrim që punuan pa u trembur gjatë gjithë fushatës elektorale edhe pse nën trysninë dhe presionin e të gjithë atyre që pushtetin e njohin vetëm për të frikësuar dhe jo për të punuar. Mbështetja juaj është frymëzim dhe përgjegjësi për të gjithë ne për të luftuar për një Shqipëri më të mirë. Më në fund Shqipëria dhe shqiptarët do të kenë një opozitë dinjitoze që do të punojë dhe do të ngrejë zërin në emër të tyre dhe LSI-ja është gati për ta nisur që sot betejën për një Shqipëri evropiane!”, ka shkruar ndër të tjera në këtë mesazh falënderues kandidatja fituese e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Tiranës, Klajda Gjosha. “Ne hymë në një garë për të çuar përpara Shqipërinë, për t’i dhënë zë njerëzve të thjeshtë dhe problemeve të tyre. Sfida jonë është me papunësinë, pamundësinë dhe harresën, me korrupsionin e mungesën e rendit, me drogën e pasigurinë. Ky ishte thelbi i programit tonë dhe do të vazhdojë të jetë prijës i çdo beteje në çdo seancë parlamentare. Unë ju falënderoj pafundësisht shumë për mbështetjen në këtë garë të pabarabartë. Ne vumë shpirtin, zemrën, projektet, ndërsa të tjerët paratë e drogës, interesat, dhunën e presionin… Megjithatë ne jemi sërish këtu me mbështetjen tuaj, e ajo është me e fortë se çdo pengesë e përkohshme”, shkruan ajo.
Sigal