Gjosha: Pse kërkova që Ilir Meta të ishte kryeministër

441
INTERVISTA/ Ministrja e Integrimit dhe kryetarja e Forumit të Grave të LSI-së sqaron qëndrimet për zgjedhjet e qershorit dhe drejtimin e ekzekutivit

Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, u shpreh se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk e mendon të hyjë në zgjedhje pa opozitën. Sipas saj, duhet gjetur një zgjidhje patjetër, “si me opozitën, ashtu edhe me një pjesë tjetër të mazhorancës, në mënyrë që vendi të ketë stabilitetin e duhur që është në interes të të gjithëve ne dhe çdo qytetari”.

Në një intervistë për “A1 Report”, Gjosha flet edhe për deklaratën e saj për të zgjedhur Ilir Metën kryeministër.

Mesa tha dhe Avokati i Popullit procesi i Vettingut është një proces i cili do të zgjasë. Vetëm 40 vetë kanë paraqitur interes për tu bërë pjesë e garës sërish. Me shtyrjen e afateve gjasat janë që Vettingu të mbesë pas zgjedhjeve të 18 qershorit.

“Procesi i Vettingut është tepër teknik dhe i takon teknicienëve dhe atyre personave që janë marrë me procesin e drejtësisë, me sistemin e drejtësisë të shikojnë të gjitha mundësitë për të zhbllokuar procesin e Vettingut. Në radhë të parë ky proces u përket të gjithë qytetarëve shqiptarë pasi është kyçi i fillimit të implementimit të reformës në drejtësi dhe njëkohësisht është një nga kushtet kryesore që ne kemi dhe për procesin e integrimit. 

Në këtë këndvështrim patjetër që për ne është një prioritet, ka qenë prioritet i politikës dhe këtë ne e kemi treguar edhe me votën tonë, edhe me vullnetin që politika kishte për të miratuar reformën në drejtësi dhe më pas ligjet që shoqëronin atë. 

Është me shumë rëndësi që procesi të jetë shumë transparent, të jetë në vijën ligjore në mënyrë që të mos jetë i kontestueshëm dhe të sigurojë vazhdimësi dhe legjitimitet deri në fund të këtij procesi, ashtu sikundër e kemi përsëritur edhe disa herë, Vettingu nuk është një proces që do të ndodh brenda një ditë apo një jave, është një proces që do të zgjasë me vite. E rëndësishme është që ne ti përmbahemi të gjithave afateve ligjore siç i ka parashikuar ligji dhe Kushtetuta”.

Në këto kushte krize ç’ndodh në sy të ndërkombëtarëve dhe ç’ ndodh me negociatat nëse Vettingu shtyhet pas zgjedhjeve?
“Ne do të dëshironim shumë që procesi i Vettingut të vazhdonte për të treguar vendosmërinë tonë, por ndërkohë, dhe të prodhonte rezultatet e para, sepse kjo është ajo që pret Komisioni Evropian, që të prodhojë një raport të ndërmjetëm për Shqipërinë dhe njëkohësisht dhe vendet anëtare të cilat duan të shohin rezultatet më të para që mund të prodhojë i gjithë ky proces.

Të shpresojmë deri në shtator, tetor, të cilët janë edhe muajt ku Shqipëria do të jetë e detyruar të paraqesë dhe një raport sesi ka qenë ecuria e reformës në drejtësi dhe e procesit të Vettingut. Deri atëherë ne të kemi realisht diçka për t’i treguar vendeve anëtare, mos të harrojmë që janë taksapaguesit evropian ata që kanë dhënë taksa nga vendet e tyre, familjet e tyre për t’ iu përkushtuar sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Pra ne kemi një detyrë shumë të madhe që duhet ta vendosim në vijimësi”.

A do të jetë LSI e gatshme t’i zhvillojë proceset zgjedhore, qoftë të Kavajës në maj, apo të përgjithshmet në qershor pa PD?
“LSI është e gatshme për dialog, për të qenë konstruktiv me të gjitha palët politike, dhe ajo çfarë është më e rëndësishme, LSI është e gatshme që vendi të ketë stabilitet në mënyrë që të ketë një demokraci funksionale, sepse nëse opozita dhe mazhoranca nuk punojnë për të njëjtin drejtim, prioritet, për qytetarët, kuptohet që dhe demokracia e vendit vihet në rrezik. 

Prandaj LSI është gjithmonë këtu për të dialoguar dhe për të qenë konstruktiv me të gjitha palët. Nëse ne gjejmë një mënyrë dialogu unë kam bindjen që gjithmonë ka një zgjidhje, mjafton të ulemi pranë njëri-tjetrit për të diskutuar të gjithë këto problematika”.

E ka menduar ndonjëherë LSI të mos hyjë në zgjedhje nëse PD nuk merr pjesë?
“LSI nuk e mendon këtë, mendon që duhet gjetur një zgjidhje patjetër, si me opozitën, ashtu edhe me një pjesë tjetër të mazhorancës në mënyrë që vendi të ketë stabilitetin e duhur që është në interes të të gjithëve ne dhe çdo qytetari”.

Ju sipas pritshmërive ku do të jeni deputete? 
“Unë për momentin jam e vendosur pranë njësisë bashkiake numër 1, njësisë administrative numër 1, dhe jam duke punuar shumë bashkë me strukturat atje. Patjetër që unë jam dhe Kryetare e Forumit të Gruas së LSI dhe ne kemi kryer disa takime në të gjithë Shqipërinë sepse këtë radhë LSI ka një slogan që i drejtohet edhe grave, është një shans për gruan, një shans për familjet e tyre, një shans për çdo qytetar që do të dojë të kontribuojë në të mirë të vendit tonë”. 

Bëri bujë deklarata juaj se Ilir Meta do të ishte Kryeministër në zgjedhjet e ardhshme, me entuziazëm iu drejtuat grave. Vazhdoni të keni ende këtë shpresë?
“Unë nuk e di përse duhet të bënte bujë një deklaratë e tillë, sepse unë nuk dhashë ndonjë deklaratë për shtyp, as nga Ministria e Integrimit, as zyrtare. Patjetër që kur ne jemi me elektoratin, të gjithë ne shpresojmë për kryetarin tonë për të qenë në krye, por nuk do të thotë që kjo është diçka zyrtare apo që ne kemi marrë një vendim për të bërë Ilir Metën Kryeministër. 

Kur flitet me elektoratin patjetër që shpresa është aty, flasim shumë sinqerisht me to për të gjithë programin e LSI, vizionin që ne mund t’u ofrojmë grave apo edhe më tej, sepse është e gjithë LSI-ja. Në krye ne kemi dhe rininë ku shumë diskutime dhe takime bëhen edhe me ta. E rëndësishme është që programi ynë të vihet në zbatim dhe më e mira t’u jepet qytetarëve. Pjesa tjetër pastaj janë numra politik, diskutime të tëra që vihen në vijimësi”.

LSI si e sheh veten pas 18 qershorit forcë e parë, e dytë, e tretë?
“Ne nuk kemi menduar për renditje, edhe sikur të kemi dëshirat tona atë e vendos populli shqiptar me votë më 18 qershor. Ajo që ne na takon është të zgjidhim problemet e çdo qytetari, të qëndrojmë pranë tyre në çdo moment, të mendojmë për një vizion i cili nuk është vetëm sot për nesër por që i jep atyre një të ardhme të sigurt në Shqipëri, kjo është detyra e çdo politikani”.

Ndërkohë me PS, pa PS apo duhet të presim deri në 1 prill? 
“Ne jemi në koalicion, jemi munduar me fanatizëm gjithmonë të ruajmë çdo pikë të kontratës që ne e kemi ende në vazhdimësi me PS dhe do ta bëjmë këtë deri në fund. Kështu që mendoj se nuk është momenti për të diskutuar për koalicionin, i cili patjetër ditët në vijim, javët në vijim do të jetë një temë diskutimi, por në këto momente ne jemi shumë të fokusuar tek puna e përbashkët që kemi me PS”.
Sigal