Gjosha: Nuk presim hapjen e negociatave, duhet reforma në drejtësi

439
Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha deklaroi sot në sallën e Kuvendit se nuk pritej hapja e negociatave. Ajo shtoi se për të arritur deri tek hapja e negociatave duhet reforma në drejtësi. “Unë nuk e mora fjalën time për të bërë një prezantim të progres-raportit, çka është bërë më herët, por para së gjithash për të shprehur edhe njëherë një falënderim për Komisionin Europian për këtë progres- raport mjaft pozitiv për Shqipërinë. Dëshiroj gjithashtu të falenderoj të gjithë institucionet shqiptare, parlamentin dhe opozitën për kontributin që kanë dhënë për plotësimin e 5 prioriteteve kyçe. Ky progres-raport nuk duhet të lexohet sipas interesave personale dhe partiake, të lexohet siç duhet dhe të vihet në dispozicion të qytetarëve shqiptarë. Nuk është hera e parë që Shqipëria merr një dokument të tillë në dorë, procesi ka vite që ka nisur. 

Shqipëria vazhdon në vijimësinë e një punë të mirë, për plotësimin e prioriteteve kyçe, progrese këto të shumta edhe në qeverinë e djeshme që vazhdojnë në qeverinë e sotme.Unë vlerësoj jo në anë personale, por në mbështetje të plotë të asaj çka shkruhet në progres raport, si dhe duke u bazuar në komunikimin e Komisionerit Hahn i cili tha konkretisht se mirëpret progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë në ecurinë e 5 prioriteteve dhe kryesisht në fushat kyçe të shtetit të së drejtës, luftës kundër korrupsionit, administratës publike dhe të drejtave të njeriut”,- tha ajo. Gjosha shtoi më tej se, “Raporti vlerëson në mënyrë të veçantë guximin e palës shqiptare për të ndërmarrë reforma të forta, radikale dhe që kërkojnë një punë të jashtëzakonshme si nga qeveria, parlamenti ashtu edhe nga opinioni publik. Por ne nuk duhet të lexojmë vetëm analizën e brendshme.

 Është momenti i një analize edhe me vendet e tjera të Ballkanit perëndimor, ku spikat fakti se Shqipëria është në të njëjtin nivel zhvillimi me vendet që negociojnë tashmë me Bashkimin Europian, fusha që kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës. Dhe e thënë këtë dua të dal tek thelbi i këtij procesi. Askush nga ne nuk priste asnjë rekomandim për hapjen e negociatave, të gjithë jemi të vetëdijshëm që për të arritur këtë kemi vetëm një detyrë që duhet të jetë kryefjalë e punës sonë. Nuk ka asnjë vlerësim negativ për këtë reformë. Ka vetëm një kërkesë të përsëritur shumë herë për vazhdimësinë e kësaj reformë me transparencë, gjithpërfshirje dhe konsensus. Kjo reformë duhet të jetë historike për vendin. Është reformë që do ti shërbejë Shqipërisë dhe shqiptarëve në funksionimin e shtetit ligjor, konsolidimin e demokracisë, do ti japë zgjidhje çështjeve të korrupsionit, krimit të organizuar, çështjeve të pronës si dhe do të hapë rrugën për më shumë investime të huaja në vend.Dhe duke renditur të gjitha këto, patjetër që do ti shërbejnë në mënyrë absolute hapjes së negociatave me Bashkimin Europian”.
Sigal