Gjosha: Ngërçi qëndron tek mosfunksionimi i shtetit

485
Sigal

Ish-deputetja e Lëvizjes Socilaliste për Integrim, njëkohësisht ish-ministre e Integrimit Klajda Gjosha në një intervistë për gazeten “Standard” ka vlerësuar protestën e ditës së marte para parlamentit, ku u shpreh se mbështetja e qytetarëve ishte e jashtëzakonshme dhe motivim për opozitën. E pyetur për skenarin e protestë së 16 marsit ajo ka theksuar se kjo protestë është qytetare, dhe kjo është demonstruar dhe në protesat e kaluar. “Sot nuk ka mbetur më asnjë akt politik për opozitën përveç se t’i bashkohet protestave në masë të qytetarëve dhe t’i japë atyre në dorë të vendosin për të ardhmen e Shqipërisë. Sa më parë të kuptohet ky mesazh, aq më pa kosto do të jetë për vendin” –u shpreh Gjosha. Ndërsa ka komentuar 4 deputetët për marrjen e mandatit, ajo deklaroi se kjo është një zgjedhje personale e tyre dhe secili duhet të mbajë përgjegjësi para qytetarëve. Po ashtu ajo ka folur edhe mbi zërat të cilët e cilësojnë aktin e opozitës me djegien e mandateve si një pengues për proceset integruese, ish-ministrja tha se problemi madhor qëndronte tek mos realizimet e kushteve nga ana e Qeverisë

1-Si e vlerësoni protesten e ditës së marte?

 

Një protestë sërish me një mesazh politik të rëndësishëm duke qënë se kishim aktin e dytë pasues për djegien e mandateve nga kandidatët e tjerë në listat pasuese. Mbështetja qytetare është e jashtëzakonshme dhe janë pikërisht ata që e motivojnë opozitën të jetë gjithnjë e më e vendosur në këtë vendim.

 

2- Cili është skenari i opozitës për protesten e 16 marsit?

 

Mendoj që opozita ka ndërmarrë një hap shumë madhor në historikun e saj politike, që mund të quhet sakrificë por edhe një vendosmëri që situata në Shqipëri të ndryshoj një herë e përgjithmonë. Topi tani është në fushën e Z. Rama, i cili duhet të jetë më i matur dhe më përgjegjshëm në veprimet e tij, të cilat rëndojnë në të ardhmen e vendit. Sot nuk ka mbetur më asnjë akt politik për opozitën përveç se t’i bashkohet protestave në masë të qytetarëve dhe t’i japë atyre në dorë të vendosin për të ardhmen e Shqipërisë. Sa më parë të kuptohet ky mesazh, aq më pa kosto do të jetë për vendin! Gjatë gjithë kësaj kohe në sheshet e Tiranës ka pasur mijëra qytetarë, paqësor dhe të përgjegjshëm, qē kanë ushtruar të drejtën e tyre legjitime për të protestuar mbi padrejtësitë, kapjen e shtetit, mungesën e demokracisë, taksat e larta, papunësinë, vjedhjen e pronës, largimin në masë të shqiptarëve dhe për shumë arsye të tjera. Kjo e drejtë do të ushtrohet sërish në 16 Mars por këtë rradhë të jeni të bindur që numri i qytetarëve do të jetë edhe më i madh se ai i 16 Shkurtit.

 

3- Në seance paralementare të ditës se marte u betuan katër deputet të rinje për të formuar opoziten e re. Si e komentoni vendimin e tyre?

 

Të gjithë deputetët kanë të drejtë të marrin vendimin për zgjedhjet e tyre personale. Ata do të duhet të mbajnë vetë edhe përgjegjësinë para opinionit publik dhe qytetarëve. Vendimi i partive politike për djegien e mandateve është një vendim politik dhe asnjë zgjedhje personale nuk e cënon dot atë.

 

 

4- Mazhoranca është shprehur se djegia e mandateve nga opozita pengon integrimin e vendit në BE. Cili është komenti juaj dhe sa shanse ka që Shqipërisë ti hapen negociatat në qershor?

 

Nuk duhet të jemi naiv kur diskutojmë për proçesin e integrimit europian. Procesi ka kushte dhe kërkesa specifike ku të gjitha sot janë të parealizuara, shoqëruar me reforma fasadë që e kanë humbur besueshmërinë. Shqipëria vazhdon të endet mes çështjeve madhore që prekin demokracinë dhe stabilitetin, duke filluar me mungesën e shtetit të së drejtës, pandëshkushmërinë, mungesën e zgjedhjeve me standarde, mosfunksionimin e intiticioneve, dhunimin e tē drejtës pronës, administratën e politizuar, korrupsionin dhe krimin e organizuar. Nëse do të shohim situatën nga këndvështrimi i vendeve anëtare situata bëhet edhe më shqetësuese pasi secili vend ka problematika serioze në lidhje me Shqipërinë. Franca për shembull është një nga vendet më strikte mbi problemin e azilkërkuesve, Hollanda përqëndrohet në çështjet e luftës kundër drogës dhe grupeve kriminale, dhe kështu me rradhë në secilin vend anëtar do të gjenim kritere dhe kushte të pafundme që në thelb ngrenë problemin e mosfunksionimit të shtetit! Besoj që këto çështje e dëmtojnë më shumë se gjithcka tjetër procesin e integrimit europian.