Gjosha në Spanjë, takohet me Këshilltarin Toledo: Integrimi i Shqipërisë, rrugë pa kthim pas

445
Në ditën e dytë të vizitës së saj zyrtare në Spanjë, Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha zhvilloi një takim me Këshilltarin e Kryeministrit për Çështjet Europiane të Spanjës, Jorge Toledo. Bashkëbiseduesit, vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale mes dy vendeve, duke nënvizuar rëndësinë e intensifikimit të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, në fusha të ndryshme. Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha theksoi rëndësinë madhore që ka për Shqipërinë procesi i integrimit, si dhe shprehu falënderime në emër të qeverisë shqiptare për mbështetjen që Spanja ka dhënë veçanërisht për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Bashkëbiseduesit diskutuan për reformat që ka ndërmarrë Shqipëria, ku Këshilltari i Kryeministrit për Çështjet Europiane të Spanjës, vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë për t’ju afruar Bashkimit Europian, vendosmërinë për të ecur përpara me procesin si dhe masat që po merren për të plotësuar kushtet dhe standarde e kërkuara. Ministrja Gjosha e informoi z. Toledo, mbi ecurinë e 5 prioriteteve, punën e bërë deri tani për secilin prej tyre, si dhe pritshmëritë pozitive që ka Shqipëria për progres-raportin që pritet të publikohet së shpejti. “Angazhimi është maksimal për të miratuar brenda një kohe të shkurtër reformën në drejtësi e cila është thelbësore për qytetarët, për vetë procesin e integrimit, pasi ne nuk mund të hapim negociatat pa këtë reformë të cilën duam ta implementojmë përmes tyre. 

Ne duam që kjo reformë të jetë e thellë dhe konsensuale, pasi vetëm kështu mund të quhet e realizuar. Për ne procesi i integrimit është rrugë pa kthim pas”, tha Ministrja Gjosha. Ministrja nënvizoi se ekspertiza e Spanjës për këtë reformë por edhe në fusha të tjera do të vlerësohej maksimalisht nga qeveria shqiptare. Në fokus të takimit ishte edhe Procesi i Berlinit, ku bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, si mundësinë më të mirë për zhvillimin e të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe integrimin e shpejtë të tyre në Bashkimin Europian.
Sigal