Gjosha në Itali: Ndihma e parterëve, e domosdoshme për të ardhmen e Shqipërisë në BE

440
Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, gjatë pjesëmarrjes së saj në në lancimin e Programit të Bashkëpunimit Territorial Adriotiko- Jonian (ADRION), 2014-2020, në Bolonja, zhvilloi një sërë takimesh me zyrtarë të lartë në Itali. Fillimisht ministrja Gjosha takoi Sekretarin e Shtetit për Çështje Europiane të Italisë, Sandro Gozi.
Ministrja Gjosha, shprehu falenderimet në emër të qeverisë shqiptare, për mbështetjen e madhe që Italia ka dhënë për procesin e integrimit të Shqipërisë.
“Për të ecur përpara me këtë prioritet kombëtar që Shqipëria ka, ndihma e partnerëve tanë europianë ka një vlerë tepër të madhe. Italia na ka mbështetur në çdo hap tonin, me programe të ndryshme, asistencë në shumë fusha dhe ka insistuar në të ardhmen europiane të Shqipërisë. Ne jemi të vendosur të mos ndalojmë me reformat dhe ta realizojmë sa më shpejt ëndrrën e dikurshme të shqiptarëve që sot është realitet i afërt”, tha Ministrja Gjosha.
Z. Gozi, u shpreh se Italia është një vend mik i Shqipërisë dhe do të vijojë të jetë një mbështetëse e fortë e përpjekjeve që vendi po bën për tu afruar me BE-në, deri në anëtarësimin e plotë të tij. Ai vlerësoi progresin që ka bërë Shqipëria me reformat e ndërmarra deri tani në funksion të procesit të integrimit.
Në vijim Ministrja Gjosha, zhvilloi një takim me Ministrin e Koordinimit rajonal për politikat zhvilluese, z. Patrizio Bianchi.
Ministrja Gjosha, u shpreh gjatë takimit se janë me mijëra studentë shqiptarë të cilët kanë kryer shkollën e lartë në itali me rezultate shumë të mira, një pjesë e tyre janë integruar plotësisht në shoqërinë italiane.
Ministrja Gjosha, theksoi se mbështetja në fushën e arsimit veçanërisht për trajnime të ndryshme apo për kërkimin shkencor, është shumë e rëndësishme për të rinjtë shqiptarë, por edhe për vetë vendin, pasi kthimi i tyre në Shqipëri do të kontribuonte jo vetëm në krijimin e një administratë më të aftë, por edhe më shumë efektivitet për sektorin privat.
Z. Bianchi u shpreh i gatshëm për të ofruar bashkëpunim në të gjitha fushat me interes, duke nënvizuar se Shqipëria dhe Italia kanë një lidhje të veçantë që forcohet gjithnjë e më shumë mes popujve.
Sigal