Gjosha në Danimarkë: Avancimi me axhendën europiane

140
Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha ndodhet për një vizitë zyrtare në Danimarkë. Gjatë kësaj vizite Ministrja Gjosha zhvilloi një takim me Sekretarin e Përhershëm të Shtetit për Punët e Jashtme z. Ulrik Vestergaard Knudsen. Gjatë takimit Gjosha shprehu falënderimet për mbështetjen që Danimarka i ka dhënë Shqipërisë, për marrjen e statusit të vendit kandidat, duke theksuar se qeveria shqiptare është e vendosur të ndërmarrë të gjitha reformat që i shërbejnë procesit të integrimit, por mbi të gjitha rritjes së standardeve të vendit. Ministrja e informoi z. Knudsen për ecurinë e 5 prioriteteve duke u ndalur tek reforma në drejtësi, e cila është çelësi për të kaluar në fazën e radhës së procesit që është hapja e negociatave.

“Ne jemi të vetëdijshëm që kemi shumë punë për të bërë, por me duhet të theksoj se për Shqipërinë vazhdimësia e procesit të integrimit është shumë e rëndësishme. Kjo pasi ne dëshirojmë të jemi më pranë familjes europiane, duke kaluar nëpër të gjitha hallkat e procesit, ku edhe vlerësimi bëhet mbi bazën e meritës së çdo shteti aspirant. Momentalisht jemi të fokusuar tek miratimi me konsensus i reformës në drejtësi, e cila do të ishte pika e kthesës për gjithë sistemin, por gjithashtu do të na mundësonte hapjen e dritës jeshile për të kërkuar hapjen e negociatave”, tha Ministrja Gjosha, gjatë takimit. Ministrja u shpreh se ekspertiza ndërkombëtare nga çdo shteti i Bashkimit Europian, është e mirëpritur dhe do të ndihmonte për një reformë edhe më të plotë në sistemin e drejtësisë.

“Implementimi i kësaj reformë do të kërkojë kohë dhe ajo që ne duam të arrijmë është që të ndjekimin zbatimin e saj përmes kapitujve 23 dhe 24. Mbështetja e vendeve anëtare për marrjen e një rekomandimi për hapjen e negociatave do të ishte për ne një shtysë shumë e mire, për të vijuar ritmin me të gjitha reformat që po ndërmarrim duke e konsideruar procesin e integrimit prioritet madhor kombëtar”, tha Ministrja Gjosha.
1. Knudsen, vlerësoi progresin që Shqipëria ka bërë me reformat duke u shprehur se Danimarka do të mbështesë prespektivën europiane të Shqipërisë.
“Ne ju inkurajojmë të vazhdoni me reformat, në mënyrë që edhe rezultatet të jenë konkrete dhe të prekshme. Ju mbështesim pasi Shqipëria është pjesë e Europës dhe si e tillë, nëse përmbush standarded e kërkuara duhet të vijojë të ecë përpara me procesin e integrimit”, tha z. Knudsen
Takimi me anëtarët e Komisionit Parlamentar për Çështje Europiane
Ministrja Klajda Gjosha, zhvilloi një takim edhe me anëtarë të Komisionit Parlamentar për Çështje Europiane. Deputetët danezë shfaqën interes për ecurinë e 5 prioriteteve, situatën politike në vend dhe situatën ekonomike. Duke vlerësuar progresin qe ka bërë Shqipëria, anëtarët e Komisionit Parlamentar për Çështje Europiane të Danimarkës, theksuan nevojën për vijimësinë e reformave si e vetmja rrugë për ta parë Shqipërinë pjesë të Europës jo vetëm gjeografikisht.
Ministrja Gjosha u shpreh se shqiptarët janë një prej popujve më proeuropianë dhe besojnë te Projekti Europian.
“Ne duam ta mbajmë të fortë këtë besim të qytetarëve tanë, duke hedhur hapa përpara drejt BE-së. Nga ana tjetër ne e shohim integrimin si shtysën më të mirë për të zhvilluar vendin, për të mundësuar një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë. Axhenda europiane ështe për ne parësore” tha Ministrja Gjosha.
Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Çështje Europiane të Danimarkës, u shprehën se Europa e Bashkuar ka sot përballë një sërë sfidash, por është e gatshme të mbështesë të gjitha vendet që aspirojnë të jenë pjesë e saj, duke përmbushur kushtet e vendosuara dhe çdo hallkë të procesit.