Gjosha në Bruksel: “Drejtësia”, kyçe për avancimin e integrimit

537
Ministrja Gjosha vizitë zyrtare në Bruksel. Takon Komisionerin për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit të BE-së, z. Johannes Hahn dhe Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin z. Christian Danielsson. Formati i Takimit të Dialogut të Nivelit të Lartë mbetet i pandryshuar. Ministrja Gjosha: Reforma në
drejtësi domosdoshmëri së pari për qytetarët shqiptarë. Miratimi i shpejtë i saj, nxitje për të avancuar me procesin e integrimit.

Ministrja e Integrimit Europian,znj Klajda Gjosha, ndodhet për një vizitë zyrtare në Bruksel. Gjatë kësaj vizite Ministrja zhvilloi një takim me Komisionerin për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit të BE-së, z. Johannes Hahn.  Takimi i radhës i Dialogut të Nivelit të Lartë, reforma në drejtësi dhe ecuria e 5 prioriteteve të lëna nga Komisioni Europian ishin në fokus të këtij takimi. Bashkëbiseduesit diskutuan mbi formatin e HLD, ku shprehën dakordësinë që të ruhet i njëjti format me takimin paraardhës. Ky takim konsiderohet i një rëndësie të veçantë për përcjelljen e mesazheve të duhura mbi progresin që Shqipëria ka shënuar,si dhe për të krijuar një panoramë të qartë për të gjithë hapat që do të ndërmerren në vijim në mënyrë që Shqipëria të marrë rekomandimin për hapjen e negociatave.
Ministrja Gjosha u shpreh se qeveria ka avancuar me punën për 5 prioritetet.
“Bordi i Hapjes së negociatave i drejtuar nga Kryeministri po monitoron rigorozisht planin e masave të hartuar për 5 prioritetet. Ne jemi të angazhuar maksimalisht që të gjitha detyrat e lëna për institucionet shqiptare,të plotësohen brenda afateve”, tha Ministrja Gjosha.
Bashkëbiseduesit diskutuan për rëndësinë e reformës në drejtësi për hapjen e negociatave. Komisioneri Hahn u shpreh se kjo reformë është thelbësore, ndërsa Ministrja Gjosha theksoi se po analizohen nga palët politike rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe pritet që në ditët në vijim të diskutohen e të reflektohen këto rekomandime. Ministrja Gjosha, u shpreh se qeveria është e vendosur për një reformë të thellë dhe konsensuale në sistemin e Drejtësisë, pasi kjo reformë i shërben para së gjithash qytetarëve shqiptarë.
Takimi me z. Christian Danielsson, Drejtor i Përgjithshëm për Zgjerimin pranë Komisionit Europian.
Ministrja e Integrimit Europian, znj Klajda Gjosha, gjatë vizitës në Bruksel,zhvilloi një takim me z. Christian Danielsson, Drejtor i Përgjithshëm për Zgjerimin pranë Komisionit Europian. Ecuria e reformave në vend, puna për 5 prioritetet dhe angazhimi maksimal i Shqipërisë për të kaluar në hapin e radhës që është hapja e negociatave me Bashkimin Europian, ishin në fokus të këtij takimi.
Z. Dannielson shprehu vlerësime për progresin që ka shënuar Shqipëria dhe garantoi mbështetje për të çuar përpara procesin e integrimit. Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e miratimit sa më të shpejtë të reformës në drejtësi,si një domosdoshmëri për qytetarët por edhe si një prej kushteve më thelbësore për të avancuar me procesin e integrimit. Ministrja Gjosha u shpreh se hapja e negociatave me Bashkimin Europian,pas kësaj reforme do të ishte shtysa më e mirë për të ecur përpara me procesin,por njëkohësisht edhe për të garantuar një monitorim më efektiv të Shqipërisë nga Komisioni Europian. Z. Dannielson nënvizoi se bashkëpunimi mes palëve politike është shumë i rëndësishëm për avancimin me axhendën europiane.
Sigal