Gjosha: Gratë e fuqizuara, vlerë e shtuar për integrimin e vendit

473
Sigal

TIRANE – Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, zhvilloi sot në ambientet e Qendrës së Informimit të BE-së, një takim me një grup përfaqësuesesh të grave sipërmarrëse nga Tirana dhe qytete të tjera të vendit. E ftuar në këtë takim, ishte edhe Zv/Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Brunilda Paskali.
Takimi “Gratë në sipërmarrje dhe sfidat e integrimit”, kishte në fokus pikërisht rëndësinë që ka sot fuqizimi ekonomik i gruas në Shqipëri, si vlerë e shtuar dhe kontribut për zhvillimin ekonomik të vendit e për rrjedhojë në integrimin e tij.

Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, siç e dini është sfida më e madhe që sot na është vendosur përpara. Ky proces kompleks dhe i ndërlikuar nuk mund të realizohet kurrsesi pa një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, pa konkurrencë në tregun e punës, ndaj dhe kontributi juaj në këtë proces tani e në vijim ka një vlerë të madhe”, tha Gjosha gjatë takimit.

Ministrja, ka theksuar se kjo vlerë është e dyfishtë kur kemi të bëjmë me gra sipërmarrëse. “Jemi të gjithë të vetëdijshëm për vështirësitë që has një grua shqiptare sot në këtë mjedis. Dua të theksoj se gratë sipërmarrëse kontribuojnë në mënyrë të konsiderueshme në ekonomi, ndaj është domosdoshmëri që ato të kenë mbështetjen maksimale nga të gjitha strukturat qeveritare”, tha Ministrja Gjosha

Sot gratë drejtojnë 27% të bizneseve dhe nuk ka asnjë arsye pse kjo shifër të mos jetë më e lartë në vijim. “Pavarësia ekonomike i mundëson gruas të gëzojë si duhet të drejtat e saj, çka lidhet  edhe me një nga 5 prioritetet kryesore që i janë lënë Shqipërisë për të avancuar në axhendën evropiane”, tha Ministrja Gjosha
Ministrja Gjosha, nënvizoi se pa gra të integruara, të arsimuara, që kanë të drejta të barabarta njësoj si burrat është e vështirë që Shqipëria të jetë më pranë familjes evropiane.

Ministrja shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të nxitur sipërmarrjen e gruas. “Ne kemi tashmë edhe një Plan Veprimi i cili ka kohështrirje deri në vitin 2020, ndaj mendoj se jemi në rrugë të mbarë, por sigurisht do të na duhet të bëjmë ende shumë rrugë derisa ta shohim gruan shqiptare në pozitën që vërtet meriton, si një grua evropiane e cila ka lirinë që potencialin e saj ta shfrytëzojë maksimalisht në funksion të një mirëqenieje më të lartë, e për rrjedhojë në funksion të zhvillimit të vendit,”- përfundoi Gjosha