Gjosha: Duam standarde europiane, sa më shumë gra dhe vajza në kuvend

457
Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha shtroi sot rëndësinë e një përfaqësie më të madhe të grave dhe të vajzave në kuvendin e Shqipërisë për një politikë me standard Europian.
“Unë kam mbajtur një qëndrim edhe kur ne kemi vendosur kuotën e 30%, për pjesëmarrjen e grave në parlament. Pse nuk realizohet ky 30%? Ka një problem të madh në fakt. Ne vërtet e kemi përcaktuar me ligj, por shpesh herë partitë politike i barazojnë gratë me një gjobë që ata paguajnë. Dhe e kanë shumë herë më të thjeshtë, të paguajnë gjobën sa të vendosin gra në lisat e tyre për të qene pjesë e vendimmarrjes dhe pjesë e Parlamentit shqiptar”-tha Gjosha gjatë një tryeze të përbashkët në kuvend me temë “Gratë në parlament dhe gratë në organet e zgjedhura vendore për fuqizimin e rolit të gruas në politikë”,
Në tryezën e organizuar nga Aleanca e Grave Deputete së bashku me Programin e barazisë gjinore UNPD, Ministrja Gjosha u shpreh se vullneti i unifikuar i të gjitha grave deputete pavarësisht kahut politik që i përkasin, duhet konsideruar si një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit.
“Unë mendoj se përfaqësia sa më e madhe e grave dhe vajzave në Kuvend realisht do të ndryshojë fytyrën e politikës shqiptare, do ti japi një standard tjetër parlamentit shqiptar, një zë, një etikë tjetër të cilën ne e vuajmë sot. Unë kam shpresën që gratë dhe vajzat do të jenë ndryshe me një politikë të standardeve evropiane”, tha Ministrja Gjosha
Ja fjala e plotë e Ministres
Së pari, dua të përgëzoj organizatorët për këtë tryezë. Më vjen mirë që Aleanca e Grave Deputete, është bërë një zë i fortë, me synimin e përbashkët për të fuqizuar rolin e grave në politikë.Duket qartazi se ka një vullnet të unifikuar të të gjitha grave deputete pavarësisht kahut politik që i përkasin, çka duhet konsideruar një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit, por edhe i arritjeve.
Do doja në fakt që në këtë tryezë të kishte më shumë burra, pasi kam qenë shpesh prezente në takime të tilla, ku vetë ne gratë diskutojmë për problematikat tona, por do të ishte shumë mirë që sot të dëgjonim edhe burrat që përfaqësojnë forcat politike.
Në forumin të cilin unë e kam drejtuar prej katër vjetësh tashmë, mund të them me krenari se në statutin tonë përfshihet një fakt shumë i rëndësishëm, ku gratë dhe vajzat përbëjnë 50% të të gjithë forumeve politike. Mund të them se kemi mbajtur flamurin e kësaj çështje në 2013, prandaj unë them që ka ardhur koha të konkretizohet edhe për zgjedhjet parlamentare.
Unë kam mbajtur një qëndrim edhe kur ne kemi vendosur kuotën e 30%, për pjesëmarrjen e grave në parlament. Pse nuk realizohet ky 30%? Ka një problem të madh në fakt. Ne vërtet e kemi përcaktuar me ligj, por shpesh herë partitë politike i barazojnë gratë me një gjobë që ata paguajnë. Dhe e kanë shumë herë më të thjeshtë, të paguajnë gjobën sa të vendosin gra në lisat e tyre për të qene pjesë e vendimmarrjes dhe pjesë e Parlamentit shqiptar.
Unë mendoj se përfaqësia sa më e madhe e grave dhe vajzave në Kuvend realisht do të ndryshojë fytyrën e politikës shqiptare, do ti japi një standard tjetër parlamentit shqiptar, një zë, një etikë tjetër të cilën ne e vuajmë sot. Unë kam shpresën që gratë dhe vajzat do të jenë ndryshe me një politikë të standardeve evropiane.
Përsa i përket iniciativave të tjera që ne duhet të ndërmarrim ka të bëjë me çështje konkrete. Problemi kryesor i gruas për të qenë pjesë e politikës dhe vendimmarrjes, është problemi ekonomik i saj, çështjet financiare. Këtu ne duhet të fokusohemi mirë duke parë politikat lehtësuese për vajzat dhe gratë, duke parë formimin profesional, trajnimin e tyre dhe duke i drejtuar, drejt kërkesave të tregut të punës.
Por ne duhet të shohim pak edhe numrin e grave në biznes, mos ndoshta nxitja e grave në biznes do të mund ti fuqizonte më shumë ato. Është një çështje që duhet diskutuar dhe duhet parë me një vëmendje të veçantë.
Unë do të thoja që një çështje tjetër që i pengon gratë dhe vajzat, është edhe mëmësia. E përmend këtë, pasi është një sakrificë e jashtëzakonshme të jesh nënë, të kesh fëmijë dhe ti rrisësh ata ndërkohë që ti je përfaqësuese në politikë.
Ndoshta, ka ardhur momenti që ne të kemi institucione mbështetëse të rritjes së fëmijëve, pranë institucioneve të administratës publike, realisht në këtë tryezë mund t’ju numëroj disa nëna që kanë fëmijë të vegjël një ndër to edhe unë. Është një nevojë e jashtëzakonshme për institucione mbështetëse, për rritjen e fëmijëve tanë, që ndërkohë që punojmë t’i kemi pranë, pasi edhe kjo do na jepte më shumë energji për të vazhduar punën me orë të gjata në politikë.
Një çështje tjetër shumë e rëndësishme që ne duhet ta ngremë janë pagat e barabarta për të njëjtin vend pune. Ka qenë një diskutim i gjatë i viteve të fundit, pasi për të njëjtin vend pune një burrë paguhet më shumë, ndërsa një grua më pak. Këto duhet të jenë iniciativa të reja që ne duhet t’i ndërmarrim dhe ti rregullojmë edhe me ligj.
Buxhetimi gjinor është një çështje që duhet parë me kujdes. Ministria e Integrimit Europian e ka ndërmarrë një inciativë për buxhetimin gjinor, për ta bërë atë pjesë të të gjitha strategjive kombëtare në vend dhe unë këtu dua të falenderoj jo vetëm mbështetjen që kam marrë nga Bashkimi Europian, por edhe UN Eomen me të cilën do të bashkëpunojmë për ta kthyer këtë në realitet. Shpresoj që kjo të jetë një iniciativë që do t’i ndihmojë gratë të kenë vendin e tyre në të gjithë spektrin politik dhe social të vendit.
Unë besoj te forca e gruas dhe besoj se një grua në politikë do të sjellë një ndryshim të madh për vendin. Jam mbështetëse dhe në emër të forcës politike që përfaqësoj. Kam bindjen që kjo forcë politike, mbështet çdo iniciativë reale që fuqizon gruan, dhe do të jem mbështetësja dhe zëri juaj në çdo moment që ju kërkoni, edhe në zgjedhjet parlamentare të 2017, për ta kthyer në realitet 50% e përfaqësimit të grave në parlamentin shqiptar.
Sigal