“Gjoni spekulon kur flet për luftë politike, s’kam asgjë personale”

434
Sigal

TIRANE– Pas deklaratave të anëtarit të KLD-së Gjin Gjoni ka reaguar ministri i Drejtësisë Nasip Naço. Duke i quajtur kontradiktore deklaratat e Gjonit lidhur me akuzat e tij për mungesë provash ndaj tij dhe më pas për sulme ndaj biznesit të tij, ministri Naço tha se gjykatësi nuk mund të “mbulojë diellin me shoshë”.

Kreu i Drejtësisë tha se Gjoni spekulon kur flet për luftë politike ndaj tij, duke u shprehur se verifikimi ndaj Gjonit ka nisur muaj më parë.

“Gjini është aq i vogël sa nuk mbulon dot diellin me shoshë. S’kam asgjë personale me Gjnin, ai e ka me veten e vet, pasurinë e vet, pyetja i bëhet për pasurinë dhe ai përgjigjet politikisht. Në deklaratën e tij dje fliste për presione të hapura ndaj familjes së tij, nga njëra anë tha se ministri nuk i provoi akuzat, dhe pastaj thotë se i vendosen gjoba në biznes. Kjo bie në kundërshtim dhe konflikt interesi në detyrën e tij si gjyqtar. Si kishte mundësi që bashkëshortja e tij në vitet 2009-2011 ka pasur një humbje ore 500 mln lekë, dhe pas martesës, fitoi 300 mln lekë, po prapë diferenca ngeli 200 mln lekë. Verifikimi ndaj gjonit ka filluar muaj më parë”, tha ministri Naço.

Naço: Letra e KLD për projektligjin s’është serioze, por politike
Ministri i Drejtësisë e ka cilësuar politike letrën e KLD drejtuar Kuvendit dhe Komisionit të ligjeve lidhur me projektligjin për ndryshimet në këtë insituticion.

“Po ju e merrni seriozisht atë letër të KLD, aty s’ka seriozitet por politikë. Mjafton të merrni dy raste analoge, mendimin e konferencës gjyqësore të shprehur nga Zaganjori, dhe brenda saj nuk ka politikë. Dhe po të lexosh draftin e KLD aty ka vetëm politikë”, tha ministri Naço.

Sa i takon projektligjit për KLD, Naço tha se ndryshimet parashikojnë bërjen funksionale të proceseve që tashmë janë të bllokuara.

“Për ne ka qenë më i rëndësishëm procesi sesa emrat. Në këtë projektligj që ne kemi prezantuar kemi parashikuar diskutime nga të gjitha aktorët. Dhe KLD nuk reagonte ndaj këtij projektligji. Prej 5 vitesh nuk emërohen kryetarët e gjykatave. Kemi kërkuar që të kalohet nga rregullore në ligj, sa i takon emërimit të gjyqtarëve. Janë çështje që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e KLD. Po me sa duket ata janë në ishullin e vet, dhe nuk do askënd ta ngacmojë. Sistemi i drejtësisë ka nevojë për reformim”, tha ministri Naço.

Ndërkaq, kreu i Drejtësisë tha se tashmë “Ka ardhur koha dhe nevoja për të reformuar shkollën e Magjistraturës”.