Gjok Uldedaj, deputet i PD-së:“Djallëzia e Partisë Socialiste vjen nga dobësia e saj”

622
Sigal

– Zoti Uldedaj, ajo që karakterizon fushatën elektorale deri tani është konfliktualiteti dhe jo qasja e alternativave. Ju çfarë shpjegimi mund t’i jepni?

– Konflikti është ideologjia e të majtës, është vet e majta. E majta e mendon shoqërinë në një luftë permanente klasash: të pasur – të varfër, shtresa të mbrojtura –shtresa të pambrojtura, punëtorë- sundues, etj.. Një alternativë e të majtës është domosdo një alternativë e mbështetur mbi konfliktin. Lideri i opozitës flet për një Shqipëri që nuk ka bukë, për një Shqipëri, që nuk ka ilaçe, për një Shqipëri që vritet dhe vidhet nga qeveria gjakatare. Jemi saktësisht në paradigmën marksiste të konfliktit. Në funksion të saj është edhe rritja e taksave për të pasurit, marrja në dorë nga shteti i shërbimeve, pasi për të majtën, individi është një instrument në dorë të qeverisë dhe ajo e di se çfarë i duhet atij dhe sa i duhet atij. Kjo sjellje e opozitës nuk lejon qytetarin të shohë dhe të mendojë, por kërkon ta verbojë atë. Në një situatë me shumë konflikt e vërteta e humbet gjithnjë e më shumë  kuptimin e saj. Këtë kërkon PS-ja, të mos shihet natyra e saj bllokuese e destruktive.

– Duke bërë një ballafaqim 4-vjeçar, maxhoranca e sotme, a i ka mbajtur premtimet e saj elektorale të 2009-s, për një përmirësim të jetesës ekonomike të shqiptarëve?

– Në këto katër vite kanë vijuar investimet në rrugë, në shkolla, janë rritur pagat, janë rritur programet që mbështesin fermerët. Ne e kemi parë, që në krye te herës, si një zgjidhje të domosdoshme, zhvillimin e infrastrukturës. Ne besojmë se nuk mund të ketë zhvillim, pa një rrjet rrugor të përshtatshëm dhe kjo po dëshmohet paprerë. Shqipëria u detyrua të vuajë pasoja nga  krizë globale, pasoja që në një vend si ne, me ekonomi të re dhe në përpjekje të zhvillohet ndihen më shumë.

– Çfarë motivimi më tepër do t’i afrojë PD-ja elektoratit, për të dhënë një zgjidhje pasiguria e punës dhe rritja e kostos të jetesës?

Siguria e punës gjendet vetëm në Korenë e Veriut sot në botë, një vend ku njerëzit vdesin urie dhe jetojnë në një mizerje të pamendueshme. Pasiguri për punën ka në SHBA, ku papunësia është rreth 8%, në Spanjë, ku është rraskapitëse 23%, në Greqi ku është më shumë se 20%. Sot, ndonëse kemi një shifër rreth 13.2 për qind, mund të themi se disa rezultate janë dhënë. Papunësia ka vetëm një mjekim, rritjen ekonomike, zhvillimin e infrastrukturës, shkollat, etj.. Opozita, për shembull, në turravrapin e saj të çartur për pushtet, thotë se do të hapë 300 mijë vende pune dhe thotë se këtë do ta bëjë me trajnime. A ka njeri normal të besojë se hapen kaq vende pune me trajnime. PD-ja, është ajo që pas vitit 2005 reformoi të gjithë klimën e biznesit, uli taksat, investoi në infrastrukturë pikërisht për këtë qëllim vendet e punës dhe mundësi më të mira jetese. E kemi dëshmuar se dimë ta bëjmë dhe do ta dëshmojmë. Ana tjetër është propaganda e opozitës.

Cila do të jetë strategjia ndryshe e PD-së, për të krijuar klimë të favorshme investitorëve të huaj?

Klimë më e mirë për investitorët dhe biznesin, taksa të ulëta, liri më të madhe ekonomike.  Rezultatet janë të pranueshme, por jo aq sa të kënaqë të gjitha pritshmëritë. Shqipëria është një vend i vogël dhe rezervat tona, ndonëse të mira për sipërfaqen tonë, nuk mund të tërheqin kompanitë më të mëdha të botës, nuk mund të jemi ne ambicia e liderëve botërore në këto fusha. Ajo që mund të bëjmë është klima me taksa të ulëta dhe burokraci të pakta dhe futja e Shqipërisë në rrjete të rëndësishme si TAP gjë që mendojë se qeveria ka bërë një punë të shkëlqyer.

– Përse në fund të mandatit qeverisës PD-ja përzgjedh si alternativë heqjen e TVSH, në shumë drejtime ndihmëse dhe këtë politikë nuk e zbatoi edhe më parë?

Gjatë këtyre tetë viteve reforma në ekonomi ka qenë më së pari një reforme e sistemit fiskal, si për nivelin e taksave ashtu edhe për thjeshtimin e procedurave. Situata në ekonomi ka dinamizmin e saj, ka fleksibilitetin e saj dhe kjo detyron drejtuesit e përgjegjshëm të marrin masa që iu përgjigjen këtyre dinamikave. Tani është parë e nevojshme heqja e TVSH-së për makineritë dhe sigurisht që kjo do të jetë një lehtësim për gjithë ata që punojnë në sektorin e industrisë së çfarëdolloji qoftë ajo.

A është bujqësia sektor prioritar për PD dhe si shpjegoni kritikat e opozitës në këtë drejtim?

– Çfarë nuk kritikon opozita? Ajo parti që gjatë tetë viteve nuk ndërtoi një rrugë fshati, nuk përkrahu me financim mbjelljen e asnjë peme frutore, por ç’bëri gjoja u dha naftë pa akcizë, naftë që e vodhën të gjithën drejtuesit e saj lokalë dhe qendrorë. Tani, sot banorët e fshatrave të Nënshkodrës, banorët e fshatrave të Myzeqesë apo Dibrës, Korçës apo Vlorës i kanë rrugët e shtruara. Miliona dollarë janë dhënë për mbjelljen e ullirit, agrumeve, apo pemëve të tjera. Kjo do të vijojë edhe në vitet e ardhshme dhe  kjo është arsyeja pse ne jemi të besueshëm.

– Përse duhen të privatizohen subjekte ekonomike që janë rentable dhe japin të ardhura të sigurta për buxhetin?

– Ne mendojmë se individi i lirë e drejton më mirë një pronë, një biznes, një ndërmarrje sesa këtë e bën qeveria. Ne dimë se bizneset më të mëdha në botë nuk janë të qeverive, por të privatëve. Kjo është arsyeja bazë pse ne ia shesim privatit pronat shtetërore. Ju thoni që janë rentabël dhe unë bie dakord që ka prej tyre që janë rentable, por ky rentabilitet mund të jetë dhe do të jetë padyshim shumë i madh kur ato të jenë në duart e privatit. Shteti përfiton dy herë: përfiton paratë nga shitja, por më e rëndësishme përfton një ndërmarrje shumë më mirë të menaxhuar dhe të suksesshme.

Politika ekonomike e PD-së

Cilat duhet të jenë politikat që do të stabilizojnë rritjen e borxhit publik?

– Shqipëria nuk është e ç’ekuilibruar financiarisht. Borxhi publik i Shqipërisë është në kufijtë e menaxhimit dhe nuk rrezikon ta fusë vendin në kolaps. Borxhi ynë është borxh që nuk është marrë për paguar punonjës apo pensione, por një borxh për investime dhe kështu që ai për shkak të natyrës së tij është borxh që e ndihmon ekonominë dhe nuk e dëmton atë.

Cili është mendimi juaj për taksën progresive të lançuar nga opozita?

– Opozita e quan taksim të ndershëm, pasi i trembet perceptimit të qytetarëve. Në fakt karakteristika bazë e kësaj takse është  pandershmëria pasi nuk i takson të gjithë me të njëjtin proporcion, por disa me 2%, disa me 10%, disa me 20% dhe disa edhe me 30 apo 35%. Pra, vetëm ndershmëri nuk është. Sot kriza ekonomike botërore ndikon ekonominë me flukse negative dhe ushtron presion mbi ekonominë dhe biznesin. Nuk është kjo një kohë për taksim më të madh të biznesit. Gjithashtu, në një ekonomi tregu vendet e punës krijohen nga biznesi dhe rritja e taksave ndaj tij do ta pengojë këtë gjë. Nuk e kuptoj me çfarë mjetesh do ta nxisë opozita krijimin e vendeve të punës, vetëm n.q.s ajo do të rikthehet tek tradita e shtetëzimeve dhe kolektivizimit.