Gjiri Lalzit, çifligu i politikanëve të “pastrehë”

2017
Sigal

Vila dhe objekte luksi në troje me pronar, politikanët shqiptarë dynden të ndërtojnë vilat luksoze në Gjirin e Lalzit

 Gjiri i Lalzit ka vite që ka zgjuar ëndrrat e politikanëve dhe pas tyre edhe të ministrave e deputetëve, për të ngritur atje çifligun e tyre, larg rrëmujës, streseve dhe shqetësimeve të turmës. Gjiri i Lalzit prej vitit 2001 është kthyer në pothuajse “zonë ushtarake”, ku jo vetëm qytetarët e thjeshtë nuk mund të lëvizin lirisht dhe ku të duan, por edhe pronarët që kanë mbi 300 vjet që banojnë në ato troje, nuk e gëzojnë më këtë të drejtë. Gjiri Lalzit, natyrshëm dhe pa bujë, u kthye në këto vite, zona ku ngritën strehën e tyre politikanët e “pastrehë”, ata që ishin nga 4 apo 8 vjet ministra, që janë akoma kryetarë partish, ata që ishin për 4 mandate deputetë, ata që për 24 vjet gjenden ndoshta krejt rastësisht në politikë dhe shumë familjarë e miq të tyre. Të qenit pronar i një vile apo apartamenti pushimi në bregdet duket se është bërë një normë për ministrat dhe politikanët shqiptarë. Në një vëzhgim nga gazeta “Telegraf”, rezulton se 11 nga 15 ish-ministrat e kabinetit qeveritar disponojnë vila dhe apartamente në bregdetin e Lalzit kurse një pjesë e tyre edhe në Golem. E njëjta gjë po ndodh edhe me ministrat e kësaj qeverie, deputetët kryesisht ata biznesmenë, etj. Politikanët i kanë deklaruar këto pasuri të paluajtshme në vite të ndryshme pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe duket se vilat u shërbejnë jo vetëm për pushime të gjata, por edhe për të kaluar fundjavat larg punës dhe jetës së zhurmshme. Për këtë arsye, bie në sy fakti se plazhet e Durrësit kryesisht në Gjirin e Lalëzit dhe Golem, janë zgjedhur nga politikanët e “pastrehë” për të pasur “shtëpinë e plazhit”. Afërsia e këtyre zonave, ( Gjiri Lalzit 35 km larg Tiranës)duket se u jep politikanëve komoditetin e të qenët në zyrë në rastet kur kërkohen për takime pune. Kështu, në plazhin e Gjirit të Lalzit kryesisht kalojnë fundjavat apo pushimet e verës (dhe fundjavat gjatë dimrit), ministrat shqiptarë politikanët dhe deputetët, ku disponojnë apartamente, troje dhe së fundi janë edhe pronarë resortesh. Pothuajse të gjithë ish-ministrat e Berishës kanë blerë vila në Lalz dhe një pjesë e vogël e tyre edhe në Golem. Një çift zyrtarësh së fundi, kanë blerë me “kredi” një vile në gjirin e Lalzit me sipërfaqe 179 metra katrorë në zonën A të vilave. Në dokumentet që janë dorëzuar bankës që ka lëshuar kredinë, vëren se të dy këta persona janë bërë dorëzanës për njëri-tjetrin për kredinë që ka marrë secili dhe kanë blerë të njëjtin apartament. Histori të tilla qesharake, ka me dhjetëra dhe ndodhin në realitet sot edhe me ministrat e kësaj qeverie.

Të gjitha pronat e hipotekuara

Vilat dhe apartamentet e politikanëve “të pastrehë” janë pothuajse të gjitha të hipotekuara. Asnjë prej tyre (mbi 160 të tillë) nuk është pa hipotekë, madje ka vila që hipotekimin e ka bërë sapo janë hedhur themelet. Vitet  2006-2013, mbetet edhe periudha ku zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme kanë kryer numër rekord hipotekimesh të vilave dhe pallateve ku politikanët nën emrat e tyre apo emrat e kunetërve dhe baxhanakëve, kanë hipotekuar pronat e tyre. Në qindra raste ish-pronarët e trojeve ku sot ngrihen vilat dhe pallatet e politikanëve në Gjirin e Lalzit (apo Golem) kanë kundërshtuar “blerjen” e pronave të tyre, por ata edhe sot e kësaj dite janë akoma në procese të pafundme gjyqësore me shpresën se një ditë do të marrin atë që u takon. E ndërsa proceset gjyqësore kanë mbi 14 vjet që kanë nisur dhe nuk bitisen, e ndërsa pronarët legjitimë me dosje në sqetull mbajnë shpresat e tyre tek ndonjë vendim i drejtë gjyqësor, vilat dhe pallatet e ndërtuara në tokat e tyre janë hipotekuar prej vitesh. Tre komunat ku shtrihen fshatrat e Gjirit të Lalzit mbajnë kusuret e tyre në katrahurën e krijuar, pasi ato gjithmonë kanë qenë dhe mbeten aleate të politikanëve, duke nxjerrë dhe miratuar leje ndërtimi madje pa mbledhur fare KRRT e tyre. Gjithçka ka ndodhur në kundërshtim me ligjet e shtetit duke grabitur nën trysninë e pushtetit dhe postit qindra hektarë troje nga ish-pronarët e ligjshëm. Ajo ç’ka u premtua para dhe gjatë 23 qershorit për “ndëshkimin e të gjithë atyre politikanëve që janë pasuruar duke grabitur pronat e ligjshme”, duket se ka mbetur një histori e vjetër e cila do tu kujtojë banorëve të Lalzit dhe Golemit përrallën e vjetër të “Ullirit që do të vilej 3 herë në vit”.

Artur AJAZI