Gjinushi:E majta do të fitojë! Meta, vasal i Saliut

516
Sigal

INTERVISTA/Flet Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi: “Parodia e PD-së ndaj nismës së PS-së, dëshmi e deformimeve të rekomandimeve të BE-së”

Sot Kuvendi i Shqipërisë, do të votojë reformën e heqje/kufizimit të imunitetit, pas një maratone të gjatë debati politik. PS-ja, përfundimisht hoqi dorë pa kushte, nga 4 kërkesat  e saj, siç ndodh rëndom, më shumë nga presioni i ndërkombëtarëve dhe nga frika që të mos i faturohet përgjegjësia e dështimit të marrjes së statusit kandidat. Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, në intervistën  për “Telegraf”, pikësëpari pohon se ky Kuvend nuk e ka të drejtën legjitime që të miratojë këtë reformë, pasi vet ky Kuvend mbështetet mbi votën e vjedhur dhe se ka humbur legjitimitetin e vet konstitucional  është një alibi e dytë për të krijuar gjoja idenë që Kuvendi funksionon. Zoti Gjinushi thotë se, reformat e 21 prioriteteve nuk kanë arritur atë që kërkon BE-ja, standardet demokratike dhe një status i dhënë, do të jetë një status për qeverinë dhe jo për shqiptarët. Kjo,  ndodh sipas zotit Gjinushi, pasi shumë përfaqësues të ndërkombëtarëve në Tiranë, tjetër standard vlerësojnë në Shqipëri, nga ai standard  që kanë përcaktuar  BE, OSBE/ODHIR-i.

 

– Zoti Gjinushi, viti i ri politik, filloi me një debat të dështuar, të shqyrtimit të amendamenteve të PS-së për ndryshimet kushtetuese. Të jetë ky një ogur i keq në ndërtimin e mirëkuptimit të forcave politike, me sfond statusin kandidat, që presim?

Vetëm parodia që bëhet për nismën e PS-së, nga ana e PD-së, tregon qartë sesi deformohen në Shqipëri ato që quhen rekomandime të BE-së. Dështimet spektakolare të qeverisë mbulohen me alibira, duke deformuar edhe në formë, edhe në përmbajtje ato çka janë detyrime të qeverisë ndaj shqiptarëve, në zbatim të  këtyre rekomandimeve  të BE-së. Qëndrimi negativ që mbahet ndaj nismës së PS-së për ndryshimet kushtetuese tregon: e para, që çështja e imunitetit tenton të zëvendësojë kërkesën reale të BE-së dhe shqiptarëve  për luftën kundër korrupsionit, për Gjyqësorin dhe kufizimin e imunitetit, e kjo vetë  kërkohet të përdoret si alibi për dështimin dhe implikimin e qeverisë ndaj  korrupsionit. Kjo qeveri nuk e ka patur kurrë qëllim që ta luftojë korrupsionin. Që në fillim, Saliu u ngrit mbi votën e vjedhur, të manipuluar, mbi kutitë e djegura dhe mbi mandatet e blera nga pjesa më e korruptuar e së majtës. Pandëshkueshmëria është kthyer në “pastrim”, ku gjykatat, nën presionin politik, lëshojnë certifikata virgjërie, që të korruptuarit të fillojnë abuzimet nga e para,  për t’u pasuruar në dëm të fondeve publike e të shqiptarëve. Dështimi dy herë radhazi i marrjes së statusit është pikërisht korrupsioni. Është implikimi i drejtpërdrejtë  i qeverisë dhe mosndëshkimi, por gradimi i të gjithë të korruptuarve. Kërkojnë të heqin imunitetin, që të luftojnë korrupsionin e vitit që shkoi. E dyta, ka të bëjë me kërkesën për një Kuvend funksional, demokratik, që rrit bashkëpunimin, dialogun e konsensusin, veçanërisht në zgjedhjen e institucioneve kushtetuese, ku PD-ja e zëvendëson me një pseudoreformë parlamentare, domethënë, ndryshimin e Rregullores?! E me këto ndryshime për imunitetin, përpiqen që të mbushin mendjen sikur gjërat ecin normalisht, në këtë farë Kuvendi! Vetëm në Shqipëri, quhen për reformë parlamentare ndryshimet e Rregullores. Është njësoj, si të thoni, do reformohet media, duke ndryshuar vetëm rregulloren  e brendshme të një gazete. Ajo që kërkohet  është kthimi i Kuvendit në normalitet.

– A duhet që reforma parlamentare të bazohet mbi parimet e Kopenhagenit?

–  Kopenhageni nuk është ëmbëlsirë,- siç ka thënë dikur vetë Berisha, por është një ndër parimet bazë të integrimit europian. Kryepika është konsensusi politik në Parlament…  Kjo do të thotë, jo vetëm që ka një Rregullore konsensuale, por mbi të gjitha, që Kuvendi respekton votën. Kjo është arsyeja, pse  u bë shumë zhurmë për bojkotin, siç thoshin ambasadori danez, hollandez, zoti Vvithers, “Bojkoti është simptoma, pasoja, nuk është shkaku”. E , ndonëse, PS-ja u tregua shumë e gatshme që të ndalë bojkotin, pala tjetër, PD-ja nuk bëri asgjë. Vazhdoi me të njëjtën  Rregullore, me të njëjtat procedura, me të njëjtën arrogancë, madje, u futën edhe gjobat për  fjalën e deputetëve  dhe për herë të parë nuk zgjidhet President konsensual, e nuk votohen dekretet e Gjykatës Kushtetuese, nuk funksionon vota e fshehtë. Pra, ky  realitet  është rezultat i gjendjes së Kuvendit e të korrupsionit në vend, të cilët mundohen ta mbulojnë me heqjen e imuniteteve. Vetëshqyrtimi i imunitetit nga ky Kuvend, i cili ka humbur legjitimitetin e vet konstitucional, është një alibi e dytë për të krijuar gjoja idenë që Kuvendi funksionon. PD-ja është e “sinqertë” në paturpësinë e saj politike, thotë hapur: “Këtë Kuvend e kontrolloj unë, ky punon vetëm nën urdhrat e mia dhe çdo propozim i saj duhet të kalojë dhunshëm, çdo propozim i PS-së quhet leckë dhe paçavure”. Ky është një disekuilibër total, sepse PD-ja këtë e ka mentalitet,  domethënë dhunën ndaj pakicës politike e opozitare. Marrëveshja e Kopenhagenit thotë që pakica dhe shumica politike janë të barabarta në reforma institucionale, në zgjedhjen e Presidentit, në zgjedhjen e Kryeprokurorit, janë të barabarta në ligjet themelore që duan 84 vota dhe nuk ekziston në asnjë vend dhunë e pakicës, por gjithmonë ka dhunë të shumicës. Votimi i reformës të imunitetit veças, është një veprim shumë negativ, jep  idenë e funksionimit formal të vendit, do të zhbalanconin përfundimisht pushtetet dhe do ta kthenin Kushtetutën në nivelin e 1994-s.

Ndërkombëtarët, edhe në seancën dëgjimore të debatit të amendamenteve të PS-së, u shprehën që të votohet urgjentisht imuniteti, e pastaj të kalojë nisma e PS-së. Ka kundërshti politike?

Tani ata flasin para një opinioni të traumatizuar nga kriza ekonomike, nga vrasja publike e 21 janarit dhe të traumatizuar nga korrupsioni tashmë publik. Vetëm një opinioni të tillë mund t’i flasësh me këtë gjuhë.  Kjo ndodh edhe me standardet në tërësi. Vetëm te ne nuk bëhen reforma për të arritur standardet, por dështojnë në arritjen cilësore të tyre, imponohen disa “reforma” pjesore në letër. Kjo ndodh edhe me imunitetin. Marrja e merituar e statusit, do të thotë që populli, në saj të qeverisjes,  jeton më mirë se një vit më parë, në drejtim të së drejtave, të jetesës ekonomike, lirisë së medias, vota më e garantuar. Shqipëria është i vetmi vend që dështoi dy herë radhazi. Edhe pse ndodhi kjo, BE-ja la të njëjtat rekomandime. Me këtë, BE-ja do të thotë që nuk ka asgjë të re. E çuditshme është që, ndërsa BE-ja thotë që të realizohen 12 rekomandimet në një vit e të ndryshosh realitetin, këtu hidhen tezat qesharake, që reformat t’i bëjnë me radhë, pjesë-pjesë e në fund të vitit!

– Pse bëhet kjo lojë e realizimit pjesë-pjesë e rekomandimeve dhe jo të para në tërësi në zbatueshmërinë e tyre?

 – Kjo bëhet për të justifikuar dështimet e qeverisë.  Këto, absolutisht, janë masa që shkojnë bashkërisht e harmonikisht. Këto, ose përmirësohen bashkërisht, ose keqësohen bashkërisht. Kështu, rekomandimet nga 12 reduktohen në dy-tre, dhe secili nga ato, nga 3-4 nënpika,  mbetet vetëm  në një. Nga ato reforma, bëhen vetëm ato që do Saliu dhe bëhen si të dojë ai. Në fakt, ka një axhendë të BE-së, por ka edhe një axhendë të Berishës. Ata që duan integrimin e Shqipërisë, i kërkojnë qeverisë të zbatojë axhendën e BE-së, që do të thotë të realizojnë standardet demokratike për shqiptarët. Ata që duan integrimin e Saliut, mbështetin vetëm pikat e Saliut, për të marrë statusin qeveria, por jo Shqipëria. Marrja e statusit pa standarde, nuk i jep asgjë të mirë Shqipërisë. Vetëm ligjëron të keqen e kësaj qeverie. Është vetëm mashtrim. Ne jemi në kulmin e demagogjisë e të mashtrimit të shqiptarëve, se çështja e integrimit mund të realizohet me këtë qeveri. Të gjithë e dimë që dështimet largohen me heqjen e shkaktarëve. Nuk mundet që këta politikanë qeverisës, që dështojnë dy herë, të përmirësojnë situatën. Në Shqipëri ndodh parodia. Sa më shumë vjedhin, ata aq më shumë flasin kundër korrupsionit. Sa më shumë manipulohen  votë, kaq më shumë flasin për zgjedhje të lira. Si mund të provojmë përsëri që kjo qeveri të garantojë zgjedhje të lira në 2013-n? Me këtë qeveri nuk ka standard zgjedhor, as standard jetësor, as standard moral.

– Përse PS-ja e jep votën e saj në konsensusin e reformave, derisa ky lloj integrimi është një mashtrim?

–  Ne, si PSD kemi qëndrimin tonë.  Çdo zgjidhje fillon me  largimin e kësaj qeverie. Faktet flasin vetë. U tha  që integrimin e prish bojkoti, u hoq bojkoti, ndryshoi gjë? U tha integrimin e pengon 3/5  e votave, udha vota e konsensusit, ndryshoi gjë? U tha që pengon Gjykata Administrative, Avokati i Popullit, u gjet zgjedhja e tyre.

– Nuk ju bën përshtypje edhe ndryshimi 180 gradë i politikës së Edi Ramës? Imuniteti p.sh,  në 6 gusht nuk e votoi dhe kushtëzoi me ndryshimet kushtetuese,  e sot do ta votojë pa kushte.

Theksoj, se unë kam shprehur qëndrimin tim se është kurajo e madhe, madje edhe bashkëfajësi që të dalësh  në krah të Berishës e të flasësh për luftë kundër korrupsionit. Gjithkush, që i kërkon kësaj qeverie, të luftojë korrupsionin, mashtron shqiptarët. Gjithkush, që i kërkon kësaj qeverie të ndryshojë ca ligje, apo ca nene,  për të luftuar korrupsionin vitin që shkoi, kërkon që t’i hedhë hi syve shqiptarëve. Ne jemi kundër këtij deformimi, që të shpresohet ende se kjo qeveri mund të qeverisë ndryshe.

Përse thoni se deformohen këto rekomandime të BE-së?

– Sepse për shembull, edhe rekomandimi kryesor që ka të bëjë me zgjedhjet nuk ka një pikë, por dy. BE-ja nuk kërkon vetëm plotësimin  e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, por edhe garantimin e standardeve zgjedhor enë zgjedhje. Ne përsëri kemi bërë një reformë në letër, që nuk ndryshon aspak, ose shumë pak, nga të mëparshmet dhe ndërkohë nuk kemi marrë asnjë masë për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, që do të thotë vullnet politik. E institucionalë që sigurojnë një gjë të tillë. Pra, do të thotë, që KQZ-ja, KRT-ja, policia etj., që kanë vullnet e qëllim të bëjnë zgjedhje të lira e të ndalin manipulimet e votave e jo të kundërtën. Pikërisht, arrimi i këtij qëllimi tregon dyfytyrësinë, dopiostandardin, apo që bën ndaj qeverisë për arritjen ose jo të standardit.

Fushata elektorale  2013 ka filluar. Disa drejtues të PS-së kanë bërë ftesën publike LSI-së për aleancë parazgjedhore. Vazhdoni të jeni kritik i kësaj mundësie?

– Ne jemi kundër idesë se fitorja varet nga LSI-ja. Jemi kundër idesë se nuk mund të largohet kjo qeveri e korruptuar pa ndihmën e kahut më të korruptuar të saj. Është e vërtetë se çarja me LSI-në ka dëmtuar fitoren e së majtës, por kjo ka ndodhur se LSI-ja është sjellë si e majtë e më pas ka vepruar si e djathtë. Çka do të thotë se e majta rrezikon të humbasë në rast se përsëri apo disa parti do të marrin votat e së majtës e do t’i çojnë djathtas. E fitorja sigurohet duke evituar këtë lojë, duke krijuar grupimin e së majtës, që i bën të qartë votuesve se cila votë është për të majtën në pushtet, e cila votë është për Berishën në pushtet. Në këtë mënyrë, nuk mund të lejohet që të mashtrohen të majtët nga LSI-ja, apo kushdo qoftë, sepse neve na duhet të rikuperojmë votat e majta, të mashtruara nga LSI-ja e nuk na duhet mbështetja e LSI-së mashtruese. Duhet dalluar qartë se, votuesit  i dhanë LSI-së votën në 2009-n për heqjen e Saliut nga vetë lidershipi i LSI-së që është vasali i Saliut.

A nuk ju bën përshtypje që PS-ja e filloi fushatën elektorale e vetme, pa ju, aleatët e majtë?

 Është faza kur duhen krijuar grupime të qarta. Kemi një grupim qeveritar, ku LSI-ja është më e betuara e këtij grupimi, e theksoj këtë edhe për ata që shikojnë ëndrra me sy hapët, ndërkohë kemi edhe një grupim të majtë, që këtë radhë nuk ka komoditetin të bëjë më gabimet e së kaluar. Fryma e përgjithshme është  të na bëjë që gabimet e së kaluarës të kuptohen, që  ashtu siç ka rëndësi krijimi i aleancave e tërheqja sa më shumë e partive në aleancë, është po kaq e rëndësishme fryma e kësaj aleance. Pra, brenda aleancave duhet të krijosh atë funksionim, që të korrigjosh defektin e sistemit zgjedhor. Nuk është një gjest luajaliteti, që  rrit  mirëbesimin dhe bën që fushata ndëraleatë të jetë e maksimalizuar.

Mendoni që ka një anxhentë të fshehtë qeveritar, në lidhje me Marrëveshjen Detare me Greqinë?

Një nga tiparet e qeverisjes Berisha është antishqiptarizmi. Këto ia kam thënë në tavolinë, në 1996-‘97-‘98, sepse qëndrimet e tij në momente kyçe janë kundër interesave kombëtare. Është ai që shiti naftën, ku ne kemi patur problem të madh, qoftë me ndërkombëtarët, qoftë edhe me rajonin, e veçanërisht me vëllezërit tanë kosovarë. Më tej, Berisha ka dalë hapur kundër Rambujesë, kanë qenë momente tepër delikate, i dha 2 javë kohë Milosheviçit. E  kjo kushtoi me mijëra të vrarë. Këtë politikë e shikon edhe sot, kur shiten pasuritë kombëtare për të blerë përkrahje politike, shiti Karaburunin për të marrë mbështetjen e Italisë, shiti detin për të marrë mbështetjen e Greqisë, shiti Albtelekomin, për të marrë mbështetjen e Turqisë, bëri një rrugë 60 km më një miliardë dollarë, për të përfituar lobime, shiti Energjinë elektrike te çekët vetëm për t’u pranuar kërkesa dhe ju e shikoni shkallë e korrupsionit të CEZ-it. Ky është shkatërrimi total i ekonomisë.. Berisha tani përdor shqiponjën e verdhë, që është simboli i sllavizmit. Ne shqiptarët kemi shqiponjën e zezë, Saliu ka faqen e zezë.

 Për reformën e re zgjedhore, vetë Edi Rama deklaroi që kjo do të japë garancinë e zgjedhjeve të lira.

– Tani them, atë që mendoj unë. Problemi i madh këtu është arbitri i madh. BE-ja, OSBE-ja luajnë rolin e arbitrit dhe duhet të jenë të paanshëm. Dështimi edhe për këta është spektakolar për shqiptarët dhe tani përpiqen të japin një status për qeverinë, që ta përdorë për fushatën elektorale 2013.

 Standardet e BE-së dhe misionarët e saj  në Shqipëri

Tjetër gjë kërkon institucioni i BE-s, tjetër gjë kërkojnë emisarët e saj, ose burokratët e saj. Të tjera standarde ka BE-ja, e të tjera kërkohen  në Shqipëri. Kështu shpjegohet që sa më keq shkojnë standardet demokratike, aq më shumë flitet për “arritje” e për mundësinë e qeverisje. Prandaj te ne nuk ndodh ajo që ndodh në botën demokratike. Që edhe për një akuzë të pavërtetuar ende, ikën Presidenti i Gjermanisë, ndërsa te ne, me krime të superdëshmuara, me vrasjen e 4 qytetarëve, qeveria  mburret.

 Nuk mund të lejohet që të mashtrohen  të majtët nga LSI-ja, sepse neve na duhet të rikuperojmë votat e majta, të mashtruara nga LSI-ja e nuk na duhet mbështetja e LSI-së mashtruese.

 2 axhenda për integrimin e Shqipërisë

Ka një axhendë të BE-së, por ka edhe një axhendë të Berishës. Ata që duan integrimin e Shqipërisë, i kërkojnë qeverisë të zbatojë axhendën e BE-së, që do të thotë të realizojnë standardet demokratike për shqiptarët. Ata që duan integrimin e Saliut, mbështetin vetëm pikat e Saliut, për të marrë statusin qeveria, por jo Shqipëria. Marrja e statusit pa standarde, nuk i jep asgjë të mirë Shqipërisë.

Imuniteti, sot në Parlament

Vetë shqyrtimi i imunitetit nga ky Kuvend, i cili ka humbur legjitimitetin e vet konstitucional, është një alibi e dytë për të krijuar gjoja idenë që Kuvendi funksionon. PD-ja është e “sinqertë” në paturpësinë e saj politike, thotë hapur: “Këtë Kuvend e kontrolloj unë, ky punon vetëm nën urdhrat e mia dhe çdo propozim i saj duhet të kaloj dhunshëm, çdo propozim i PS-së quhet leckë e paçavure”. Ky është një disekuilibër total, sepse PD-ja këtë e ka mentalitet,  domethënë dhunën ndaj pakicës politike e opozitare.

Rruga më e drejtë e heqjes së imunitetit

–  Shqipëria luftën ndaj korrupsionit duhet ta fillojë me largimin e të korruptuarve. Pastaj, të  hiqen imunitetet. Duhet kuptuar, korrupsionin nuk e lufton heqja e imunitetit, përsa kohë atë e mbron dhe e ushqen  imuniteti politik. Në qoftë se vullneti politik i shumicës është korrupsioni, mbrojtja e të korruptuarve, imuniteti juridik nuk ka asnjë rëndësi, asnjë efekt.

 – Ju faleminderit!