Gjiknuri: Mirëmenaxhimi i kaskadës po minimizon efektin e reshjeve. Forcat e Armatosura në gatishmëri

649
Gjiknuri: Mirëmenaxhimi i kaskadës po minimizon efektin e reshjeve

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, inspektoi hidrocentralin e Vaut të Dejës, nga ku deklaroi se mirëmenaxhimi i kaskadës po minimizon efektin e reshjeve. Vendi u përfshi ditët e fundit nga reshje të shumta dhe një ngritje të menjëhershme të temperaturave, gjë që ka bërë që ditët e fundit prurjet të shkojnë në përgjithësi në gjithë kaskadën mbi 2500 metër kub/s. Ai vizitoi në qendrën e kontrollit, për të monitoruar nga afër situatën se si Korporata Elektroenergjitike Shqiptare po menaxhon, një situatë që sipas tij, jo normale të prurjeve të ujit. “Për shkak të mirëmenaxhimit dhe të një administrimi shumë të mirë të të gjithë baseneve të kaskadës bëhet e mundur që të shkarkohet jo më shumë se 1450 metër kub/sek të prurjeve poshtë. Gjë që do të thotë që nëse kjo gjë nuk do të ishte menaxhuar siç duhet dhe të gjitha prurjet në kaskadë do të shkarkoheshin poshtë, pra në nivelin 2500 m kub/s, patjetër përmbytjet do të ishin të dukshme dhe do të kishim përmbytje të mëdha, të ngjashme me ato që kanë parë shqiptarët në vitin 2010 dhe besoj njerëzve iu kujtohet”, deklaroi Gjiknuri. Ne, tha Gjiknuri, po e monitorojmë situatën dhe janë marrë të gjitha masat. Po ashtu ai bëri të ditur se stafi është në gatishmëri të plotë. “Në varësi të prurjeve edhe shkarkimi i ujërave do të bëhet në përputhje të plotë me rregulloren por ne besojmë me këtë situatë që është, impakti do të jetë minimal, nëse do të ketë shkarkime të tjera të ujërave”, bëri të ditur ministri. Ministri po ashtu bëri të ditur se përmbytjet nuk kanë ndodhur për shkak të shkarkimit të ujërave nga kaskada. “Më shumë janë përmbytje natyrore në ato fshatra që ka ndodhur, por nëse do të ketë shkarkime të mëtejshme, edhe nëse do të ketë përmbytje, impakti do të jetë jashtëzakonisht i vogël”, tha ai. Sipas tij, prurjet janë 2500 metër kub/s, ndërsa shkarkohen jo më shumë se 1450 metër kub/s. “Kjo do të thotë që pjesa tjetër po rezervohet dhe po menaxhohet mes baseneve brenda kaskadës”, tha Gjiknuri.
Sigal