Gjiknuri: Kërkesat e PD antikushtetuese, qeveria ka bërë dhe gabime

521
Ministri Damian Gjiknuri si drejtues politik i qarkut të Vlorës mblodhi një takim studentë të këtij qarku që studiojnë në Tiranë, për të diskutuar me ta reformat që janë bërë nga qeveria dhe për pritshmëritë e të rinjve. Gjiknuri tha se opozita përpiqet të frenojë zhvillimin e vendit duke krijuar kriza artificiale. 

Gjiknuri: Ka njerëz në Shqipëri, që pavarësisht se nuk reflektojnë shpirtin popullor, apo shumicën e asaj që ndjejnë shqiptarët, duan ta frenojnë këtë zhvillim duke krijuar kriza artificiale. Siç është futur opozita në çadër dhe kërkon atë që është absurde: ik ti që të vi unë, dua të bëj qeveri teknike se nuk i fitoj dot zgjedhjet. Jo, kjo është antikushtetuese. Zgjedhjet janë pronë e popullit dhe nuk janë pronë e partive. Partia Socialiste, pavarësisht se çfarë do të bëjë opozita, ka detyrën ligjore dhe detyrimin kushtetues që të hyjë në zgjedhje dhe të kërkojë mbështetjen e shqiptarëve. Kështu na ka mandatuar populli dhe është ai që gjykon. Nuk gjykojnë një apo dy individë që shikojnë shanset e tyre të marxhinalizuara për të marrë peng një vend të tërë duke thënë nuk do hyjmë në zgjedhje.

Gjiknuri pranoi para të rinjve se janë bërë edhe gabime.

Gjiknuri: Shikojmë përdit një qeveri që punon, që ka shumë punë të mira për të bërë, që ka bërë edhe gabime. Unë e them që qeveria ka bërë edhe gabime, por kjo është njerëzore, racionale.

Ministri para të rinjve dhe para deputetëve të PS tha se reforma në arsim tashmë i ka dhënë vlerë diplomës, ndërsa shprehu bindjen për fitoren e PS në zgjedhjet e 18 qershorit.
Sigal