Gjiknuri: E vërteta e bisedës me Zoton

608
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri i është përgjigjur akuzave të bëra dy ditë më parë në adresë të tij, nga deputeti i PD-së, Agron Shehaj, lidhur me ekzistencën e përgjimeve për një aferë kriminale e korruptive, gjatë bisedës me sipërmarrësin e angazhuar në ndërtimin e inceneratorëve. Në emisionin “Studio e hapur”, ministri tha se këto akuza janë thashetheme, ndërsa nuk ngurroi t’i kujtojë deputetit demokrat thashethemet që qarkullojnë për të. “Meqë unë isha në Amerikë dikush do të dilte të hidhte një shashke këtej nga Shqipëria. Është njësoj si të them unë sipas thashethemeve që Shehaj ka paguar 800 mijë euro apo 1 milion euro, siç thonë, për t’u bërë pjesë e listës së PD në Vlorë. Unë s’jam në biznesin e thashethemeve, këto janë për humor se u mësuam që me Habilajt thanë që jam hetuar, faktet janë aty, nëse ka ndonjë gjë bujrëm, le të hetohem, por kam frikë se gjithçka mbetet në kuadër të thashethemeve, s’kam ndonjë lidhje me çështjen në fjalë”, u shpreh Gjiknuri. Ai nuk e mohoi njohjen me sipërmarrësin Klodian Zoto. “Unë njoh shumë biznesmenë. Zoton e njoh, çdo biznes që ka lidhje me atë ministri, çdo drejtues i ministrisë, ka pasur rastin ta takojë. S’do jap përgjigje në interpelancë, janë vendimmarrje që kur janë bërë këto koncesione, unë s’kam qenë. S’dua të bëhem pjesë e këtij spekulimi, fakti që njeh x apo y s’do të thotë gjë”, tha ministri Gjiknuri.
Sigal