Gjiknuri: “Berisha udhëhiqet nga instinktet primitive politike të uzurpimit të KQZ-së”

480
Sigal

Deputeti socialist akuzoi maxhorancën se po kërkon që të bëjë të kundërtën e asaj çka parashikon Kodi Zgjedhor për procedurat e zgjedhjes së Kreut të ri të KQZ-së, duke e nisur zbatimin e Kodit me shkelje dhe njëanshmëri. Kjo pasi kodi e parashikon qartë se zgjedhja e kryetarit të KQZ bëhet pas përfundimit të zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së. Por maxhoranca sipas Gjiknurit është duke shmangur transparencën për publikun dhe gjithëpërfshirjen në këtë proces. Kjo për deputetin socialist nuk bën gjë tjetër veçse provokon opozitën dhe minon procesin që kërkohet për zgjedhjen e kryetarit të KQZ. Deputeti socialist, ka theksuar se përballë kësaj situate PS do të insistojë me forcë në respektimin e ligjit dhe rregullores së Kuvendit, si dhe do të informojë partnerët ndërkombëtar për kërcënimin që po ngjizet ndaj procesit të ardhshëm zgjedhor. “Maxhoranca qeverisëse po e fillon zbatimin e Kodit Zgjedhor me shkelje dhe njëanshmëri. Procesi aq delikat dhe i rëndësishëm i formimit të KQZ-së dhe i zgjedhjes së Kryetarit të saj po udhëhiqet nga instinktet primitive politike të uzurpimit dhe njëanshmërisë. Sipas një skenari të parapërgatitur dhe që filloi javën që shkoi në kuvend, maxhoranca po shkel me dashje dhe pa asnjë justifikim ligjin zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të KQZ-së”, theksoi Gjiknuri. Ndërkaq, ai shtoi se Kodi Zgjedhor përcakton qartë që kandidatët për kryetar të KQZ-së shqyrtohen nga Kuvendi në përputhje me rregulloren e Kuvendit, e cila mandaton qartë komisionin e ligjeve  për t’u njohur me kandidatet dhe për t’i thërritur ata në seancë dëgjimore. Maxhoranca kërkon të imponojë një proces të beftë dhe të njëanshëm, duke shmangur transparencën për publikun dhe gjithë-përfshirjen në këtë proces. Të njëjtën gjë bëri edhe në mbledhjen e inskenuar të Komisionit të datës 27 Shtator, kur Kuvendi ishte i mbledhur në seancë plenare,   duke provokuar opozitën dhe duke minuar procesin që kërkohet për përzgjedhjen e kryetarit të KQZ-së. Të gjithë partnerët ndërkombëtar po kërkojnë me zë të qartë që procesi i përzgjedhjes së Kryetarit të KQZ-së të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës. Instrumentet ligjor janë në dispozicion dhe ligji i ka përcaktuar qartë. Nevojitet vetëm vullnet politik nga ana e maxhorancës. Vullnet që  përkthehet në zbatim të rregullores së Kuvendit dhe të Kodit Zgjedhor. Përballë kësaj situate PS do të insistojë me forcë në respektimin e ligjit dhe rregullores së kuvendit si dhe do të informojë partnerët ndërkombëtar për kërcënimin që po ngjizet ndaj procesit të ardhshëm zgjedhor.