Gjiknuri akoma hesht për aferat e 100 milionë $ të “Bankers Petroleum”

425
Ministri Gjiknuri, tashmë i ballafaquar nga përgjegjesitë politike ndaj fatkeqësisë së katastrofës ekologjike në Marinzë, mundohet që gjithë përgjegjësinë penale dhe material t’ia ngarkojë vetëm kompanisë “Bankers Petroleum”, mirëpo përditë zbardhen fakte tronditëse, të cilat kanë qenë të njohura, por të mbyllura në sirtarët e Ministrit Gjiknuri, ndoshta kjo, edhe në këmbime të dyshimta. 
Afera spekulluese me 100 milionë dollarë
“Bankers…” ka marrë 100 milionë dollarë për t’i përdorur për mjedisin, por ka përdorur vetëm 6 milionë. Kështu shkruan gazetarja italiane Maria Rita d’Orsogna, për “Il Fatto Quotidiano”. Sipas saj, këtë shumë kompania e ka marrë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Sipas gazetares italiane, pothuajse të gjitha shpenzimet janë përdorur për punë nga të cilat do të përfitonte kompania dhe jo banorët e zonës. Ajo shkruan se janë përdorur vetëm 6 milionë dollarë për pastrimin nga ndotjet dhe modernizimin e procesit të kërkimit të naftës.
Përse Gjiknuri ka heshtur?
Pyetja që kemi është: E ka ditur ministri përgjegjës, Damian Gjiknuri këtë fakt? Themi se po sepse nëse ministri Gjiknuri nuk e ka ditur, do të thotë që është i paaftë që të menaxhojë ministrinë. Atëhere përse ka heshtur Ministri Gjiknuri, derisa ka 2 vjet që drejton këtë ministri? Përse nuk ka kërkuar nga “Bankers Petroleum”, që të pastronte mjedisin nga ndotjet dhe të modernizonte procesin e kërkimit të naftës? 
Deputeti Subashi: “Bankers” ka investuar në zonë për kurse vallëzimi, shpërthimet i quante termite
Deputeti i PS-së Armando Subashi, gjatë fjalës së tij në Kuvend denoncoi atë që ai e quajti shfrytëzim barbar të naftës nga kompania “Bankers”. Sipas Subashit, kompania kryente rreth 40 shpërthime në ditë. Këto pohime të deputetit socialist, dëshmojnë që Ministri Gjiknuri ka patur dijeni dhe informacion të plotë për gjithë veprimtarinë barbare të shfrytëzimit të naftës nga “Bankers…”, por ka heshtur. Mbrëmë Ministri Gjiknuri deklaroi: “Janë kontrolluar aktivitetet e kompanisë. Kontrolle janë bërë nga AKBN. Por nuk mund t’i rrihet kompanisë si polici mbi kokë, pasi përgjegjësia duhet të jetë edhe e kompanisë”. Derisa ministri tani pasi ndodhi katastrofa, pohon që ka bërë kontrolle, përse nuk e parandaloi fatkeqësinë? A nuk është detyra e tij ligjore, që kompaninë ta kontrollojë, jo me policë, por me masa ligjore, përse nuk mori penalizime, që të parandalonte katastrofën? Janë pyetje, që Ministri Gjiknuri u shmanget, pasi është përgjegjësi kryesor i ndodhisë së katastrofës në Marinzë. Edhe deputeti Subashi, përse nuk e ngriti zërin e protestës edhe më para, kur policia e shtetit, e urdhëruar nga ministry Tahiri, arrestoi banorët, që protestuan kundër kësaj kompanie, për dëmet që u shkaktohen sisematikisht nga shpërthimet e nëndheshme dhe nga ndotja e mjedisit, nag mbetjet e naftës. Ndoshta tani, deputeti Subashi, nuk u qan dhe kaq hallin banorëve, të dëmtuar nga katastrofa ekologjike, por kritikën e tij, e bën thjesht për hipokrizi dhe demagogji, meqë afrohen zgjedhjet e 21 qershorit dhe ai është kandidati për kryebashkiakun e Fierit. Ndaj, do të ishte në nderin e përfaqësuesit të zgjedhur në Kuvend, që deputeti Subashi të kritikojë minsitrin e tij Gjiknuri për përgjegjësitë politike, sepse ka lejuar dëmet të ndodhin, sie dhe ministrin Tahiri për dhunën që ushtroi ndaj banorëve protestues. 
“Bankers Petrolium”, akuza nga disa kompani amerikane

1 milionë e 830 mijë e 627 dollarë është detyrimi për të cilin “Kal Drilling”, një kompani e cila merret ekskluzivisht me vendosjen e sondave dhe hapjen e puseve të naftës, akuzoi “Bankers Petrolium” se nuk e kishte paguar për shërbimet e saj
Problemet me nënkontraktohet, ndikimet në mjedis, por edhe detyrimet e pashlyera, kompania naftënxjerrëse “Bankers Petrolium” nuk i ka vetëm në Shqipëri, por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dokumentet e siguruara nga mediat shqiptare, faktojnë se “Bankers Petrolium” akuzohet nga disa kompani amerikane, të cilave edhe pse kane qene te kontraktuara në procesin e naftënxjerrjes, nuk u janë paguar detyrimet financiare. 1 milionë e 830 mijë e 627 dollarë është detyrimi për të cilin “Kal Drilling”, një kompani e cila merret ekskluzivisht me vendosjen e sondave dhe hapjen e puseve të naftës, akuzoi “Bankers Petrolium” se nuk e kishte paguar për shërbimet e saj. Sipas paditësve, në shtetin e Oklahomës që nga viti 2008 e deri në vitin 2009 pasi firmosën me “Bankers Petrolium” për hapjen mirëmbajtjen por dhe vënien në shërbim të të gjitha materialeve për 6 puse nafte, “Bankers…” prishi kontratën si dhe nuk pagoi asnjë detyrim. Krahas kësaj “Kal Drilling” ofroi shërbime dhe në transportin e naftës, por edhe për këto nuk u pagua. Por ky nuk është i vetmi rast ku “Bankers Petrolium” akuzohet për mosshlyerje detyrimesh në shuma të mëdha. Në vitin 2009 një tjetër kompani e ngjashme me “Kal Drilling”, “Bronco Drilling Company” akuzoi “Bankers Petrolium”, se nuk pagoi detyrimet e saj në shumën e 633 mijë dollarëve për hapjen dhe mirëmbajtjen e dy puseve të naftës në shtetin e Oklahomës. Në këtë rast për shkaqe që ende nuk dihen Bronco tërhoqi akuzat ndërkohë që “Bankers” vazhdon të konsiderohet si një kompani e cila nuk mund të bëjë biznes në Shtetet e Bashkuara.
Sigal