Gjermania: Të shtyhen zgjedhjet e 30 qershorit

186

Numri dy i grupit parlamentar të partisë së Merkel, apel kryeministrit Rama: Zgjedhjet pa opozitën janë problematike. Deputetët holandezë: Vendimi për vizat qëndron. Loja e dyfishtë e PS-së me letrat për Bashën, vendimi i KQZ-së për përjashtimin e opozitës nga zgjedhjet dhe faktet e reja për blerjen e votave në 5 qarqe

Apeli i deputetëve gjermanë Johann David Wadephul, zëvendëskryetar i grupit parlamentar CDU/CSU dhe Christian Schmidt, CSU, raportuesi për Shqipërinë

 Zgjedhjet pa opozitën janë problematike, të shtyhet 30 qershori

Gjermania është një ndër vendet kryesore, e cila po monitoron nga afër krizën politike në Shqipëri. Shumë herë deputetët dhe zyrtarët e lartë të kancelarisë janë shprehur për krizën politike, duke bërë apel që zgjidhja duhet të jetë konsensuale. Kështu dje, dy deputetët, Johann David Wadephul, zëvendëskryetar i grupit parlamentar CDU/CSU në parlamentin gjerman dhe njëherazi drejtues i grupit të punës së Ballkanit Perëndimor, si dhe Christian Schmidt, CSU, raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm dhe ish-ministër federal, shprehin shqetësimin e tyre për krizën e brendshme politike në Shqipëri dhe për zgjedhjet lokale që do të zhvillohen pa opozitën. Dy deputetët, në një deklaratë të përbashkët theksuan: “Po e vëzhgojmë me shqetësim të madh krizën e brendshme në Shqipëri. Për të ardhmen evropiane të Shqipërisë nevojitet dialogu mes qeverisë dhe opozitës. Për këtë, të dyja palët duhet të afrohen me njëra-tjetrën dhe të jenë të gatshme për kompromise. Protestat e përsëritura në Shqipëri janë një shenjë e pakënaqësisë së shumë qytetarëve. Ne bëjmë thirrje që protesta të jetë paqësore. Aktet e dhunës i dënojmë thellësisht. Është përgjegjësia e vendimmarrësve të politikës që të sillen të arsyeshëm në këtë situatë dhe që me të gjitha forcat të përpiqen për ta qetësuar gjendjen. Nëse kjo nuk do të ndodhë, ekziston rreziku që vendit t’i mbyllet rruga drejt Evropës. Ne jemi edhe më tej të gatshëm që të kontribuojmë për hapjen e një dialogu ndërmjet qeverisë dhe opozitës për të kapërcyer krizën. Por kjo mund të funksionojë vetëm nëse të dyja palët hyjnë në bisedime pa vendosur parakushte. Gjithashtu nuk duhet të përjashtohet asnjë temë. Zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës janë problematike në aspektin demokratik. Prandaj duhen vënë në tryezë të gjitha opsionet që u garantojnë qytetareve dhe qytetarëve mundësi të vërteta për të zgjedhur në zgjedhjet lokale. Këtu hyjnë edhe masa të jashtëzakonshme, si për shembull, shtyrja e datës së zgjedhjeve lokale. Qëllimi më i lartë duhet të jetë kthimi pa ekuivok në procedurat demokratike dhe respektimi i standardeve të shtetit të së drejtës në zgjedhje. Bashkësisë ndërkombëtare nuk i interesojnë konfliktet politike ndërpartiake, por stabiliteti demokratik.”

Deputeti holandez: Shqiptarët në krye të listës së krimit

Deputeti holandez Van Wijngaarden ka shpjeguar dje pse parlamenti holandez ka kërkuar rikthimin e vizave për shqiptarët në Zonën ‘Shengen’. Deputeti holandez, ndër të tjera ka pohuar se në 10 vitet e fundit shqiptarët janë në krye të listës të krimit, të përfshirë dhe në trafikun e drogës. “Shqetësimi ynë nuk është për numrin e lartë të kriminelëve në Shqipëri. Ne shqetësohemi sepse në 10 vjet këta kriminelë kanë qenë në krye të listës së krimit dhe përfshirjes në trafik droge. Më vjen mirë që roli i policisë të shtetit në Shqipëri ka qenë mjaft efektiv. Puna e shtetit shqiptar në këtë pjesë vlen për t’u vlerësuar. E falënderojmë Shqipërinë për këtë dhe shpirti pozitiv i shoqërisë shqiptare është i rëndësishëm sepse shokët e mirë i thonë njëri-tjetrit të vërtetën. Motivimi im kryesor ishte mbështetja e rezolutës. Nuk ka një shumicë në parlamentin evropian që ndalon lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Këtë e thashë në parlament dhe e përsëris sërish. E rëndësishme është si lufton Shqipëria me kriminalitetin. Sepse paratë e humbura nga krimi nuk i kthehen më pas vendit. Dhe ato janë shumë.”, ka thënë në fjalën e tij deputeti holandez Van Wijngaarden.

Loja e dyfishtë e kryeministrit Rama me letrat publike

Kryeministri Rama është në panik të madh politik dhe frika që e ka kapur shprehet qartazi edhe në 2 letrat publike që i ka dërguar kryetarit të PD-së brenda 24 orëve. Deri dje kryeministri Rama u mundua shumë që ta injorojë, ta shpërfillë opozitën, edhe kur opozita dorëzoi mandatin e deputetëve. Kryeministri Rama u përpoq që të formonte, të emëronte një opozitë fasadë, për t’u thënë disa miqve të vet ndërkombëtarë, që në Shqipëri nuk ka krizë parlamentare, se parlamenti nuk ra me dorëzimin e mandateve nga opozita. Edhe pse parlamenti nuk ka 140 deputetë, siç e përcakton Kushtetuta, kryeministri Rama, duke përfituar nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese, sepse askush nuk mund të ankohet për pakushtetueshmërinë e parlamentit pa plotësuar 140 deputetë, e vazhdon fasadën parlamentare me deputetët e emëruar. Kryeministri Rama donte të tregonte muskujt politikë edhe kur opozita nuk pranoi të merrte pjesë në farsën e zgjedhjeve vendore, duke deklaruar se Rilindja e vetme në garën elektorale, do të fitojë të gjitha bashkitë. Në shërbim të kryeministrit u vunë edhe disa ambasadorë të akredituar në Tiranë, të cilët deklaruan se do të njohin zgjedhjet vendore edhe pa opozitën, ndërkohë që e cilësuan si destabilizim dorëzimin e mandateve të deputetëve të opozitës.

Frika e protestave

Kryeministri me dy letrat publike brenda 24 orëve kërkon dialog përmes fyerjes së partnerit, duke e etiketuar opozitën si një ‘rrugëhumbur’ që nuk përfaqëson asgjë, aq më pak popullin, që nuk ka as peshë as mbështetës, dhe që po e degdis forcën e vet në esfeltin e irrelevancës politike. Kryeministri kërkon kompromisin duke e shantazhuar partnerin. Në letrën e e dytë të Ramës bie në sy kërcënimi me burg për krime të pakryera që ende janë në imagjinatë. Vërehet përdorimi si kamxhik i reformës në drejtësi. Shikohet përdorimi i dekompleksuar i partnerëve të SHBA dhe BE, që do godasin kundërshtarët e tij politikë. Rama mundohet të japë mësime demokracie, kur shkruan se “të vetmen rrugë që njeh demokracia, Dialogun…”. Po a është dialogu pa kushte rrugë ashtu sikurse pretendon kryeministri, ku thotë nga ana tjetër se nuk ka shtyrje të datës së zgjedhjeve vendore? Letra e dytë e kryeministrit Rama: “Fushata e zgjedhjeve nis zyrtarisht në 31 maj dhe ditët e numëruara që kanë mbetur. Ejani në Dialog të arsyetojmë si njerëz me përgjegjësi të mëdha dhe t’i ballafaqojmë divergjencat tona të mëdha, me forcën e arsyes, përpara se sa inercia e rrugës së gabuar që keni marrë t’Ju ketë degdisur në esfeltin e irrelevancës politike.”

Basha, shpërfill Ramën, u drejtohet qytetarëve: Kriza zgjidhet me largimin e Ramës!

Kreu i opozitës, Basha, i ka kthyer përgjigje letrës së hapur të kryeministri Rama. Basha, shkruan se vendi është pa Gjykatë Kushtetuese e pa Gjykatë të Lartë duke i dhënë Ramës mundësinë të grabisë ç’të mundë nga pronat e shqiptarëve. Më tej Basha shkruan se përkundër demokracisë që pretendon Rama, demokracia kërkon që pushteti të burojë nga populli dhe që ngërçet të zgjidhen me votë prej tij. Ai e cilëson qeverisjen e Ramës si qeverisjen e mashtrimit, të grabitjes dhe të dhunës. Basha shkruan se marrëveshje me Ramën nuk do ketë dhe se kriza zgjidhet me largimin e tij, gjë që i hap rrugën zgjedhjeve të lira dhe integrimit të vendit.

Kryemadhi: Rama po qurravitet, ka frikë

Monika Kryemadhi, kryetarja e LSI, ka reaguar lidhur me letrat e hapura që kryeministri Edi Rama i ka drejtuar kreut të PD-së, Lulzim Basha, ku i kërkon dialog pa kushte. Kryemadhi tha se Rama është gati për çdo kompromis vetëm që të mbajë karrigen e tij. “Dëgjojmë si qurravitet dhe shkruan letra për Bashën, tregon që ka frikë, që është gati të bëj çdo kompromis për karrigen e tij. Ka një përgjigje, nuk ka kompromis, por ka dialog të shqiptarëve me njëri tjetrin dhe partitë politike për të larguar njëherë e përgjithmonë fytyrën e krimit nga politika shqiptare dhe nga zgjedhjet shqiptare. Sot ne jemi më të qartë se kushdo tjetër, që nuk ka zgjedhje në Shqipëri që t’i bëjë Rama siç i bënte Enver Hoxha”, shprehet Kryemadhi.

Denoncimi i ish-deputet i LSI-së, Shezai Rrokaj: Zgjedhjet farsë bien ndesh me Kushtetutën

Kryeministri Rama ka blerë votat në pesë qarqe

Ish-deputet i LSI-së, Shezai Rrokaj, ka bërë dje një denoncim bombë, duke deklaruar se kryeministri Rama ka blerë në 2017 votat, në 5 qarqe të vendit.

Denoncimi

Prof. Dr. Shezai Rrokaj u ndal te dy letrat që Rama i ka dërguar Bashës, të cilat i konsideroi se janë për konsum politik. Ish-deputeti i LSI-së tha se kryeministri duke pasur nën zotim prokurorinë, duhet të zbardhë dosjet ku tregohet sesi i ka blerë votat. “Ai është kryeministër i ardhur me votat e blera dhe ka detyrim të heqë dorë nga posti, për të justifikuar faktin nëse do të rivotohet, për sa kohë ka ardhur me vota të blera, siç e dëshmojnë dosjet zyrtare. Kryeministri duhet të zbardhë dosjet e të tregojë që s’i ka blerë votat. Por ne kemi informacion që në pesë qarqe votat janë blerë dhe s’janë pak.”

Qeveria korrupton, opozita t’i trembet drejtësisë?

Prof. Rrokaj komentoi faktin se Rama akuzon opozitën që i trembet reformës në drejtësi. “Nuk ka si t’i trembet opozita, sepse ne kemi ikur nuk jemi në pushtet. Shtyllat e një sistemi politik duhet të jenë të pavarura dhe të pakapshme. Ajo që po ndodh sot është se kjo maxhorancë sot po merret me opozitën. Në një sistem demokratik është e natyrshme që opozita të kritikojë maxhorancën. Shqiptarët janë në ankth, po ikin nga vendi. Ekonomia e drejtësia po kapen.”

Presidenti i Republikës është në krah të shqiptarëve

Prof. Rrokaj pohoi se qëndrimi i Presidentit Meta për krizën politike është i drejtë. “Presidenti nuk mund t’i ulë palët të dialogojnë, kur ata janë larg njëri-tjetrit. Opozita ka qëndrimin që me këtë kryeministër nuk shkohet në zgjedhje. Presidenti është në krah të shqiptarëve dhe i gatshëm për t’i ndihmuar ata. Ai ka qenë kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, që reforma të votohet. Pra, duhet parë në këtë mënyrë. Presidenti edhe zgjedhjet e qershorit i ka dekretuar. Zgjedhjet farsë bien ndesh me Kushtetutën. Zgjedhjet nënkuptojnë dy palë opozitare.”

Çfarë pritet në 25 maj?

Partitë politike janë ato që kanë marrë përsipër përfaqësimin e thirrjet që u bëhet qytetarëve. Ne duam vendosjen e një e një sistemi politik që garanton shtyllën e shtetit, pa banda droge.