Gjermania: Pa arrestimin e Tahirit nuk ka negociata

733
Bundestagu mbetet skeptik për sjelljen e qeverisë së Tiranës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Presion Shqipërisë të ndryshojë kurs
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, është ndodhur përpara një kërkesë të prerë kur ka takuar të mërkurën (21 mars) në Berlin deputetët e Bundestagut Thorsten Frei (raporter për Shqipërinë) dhe Andreas Laemmel, anëtarë në grupin e punës për Ballkanin Perëndimor. Burime për “Politiko.al” bënë me dije se dy deputetët i kanë thënë troç Bushatit, se klima aktuale në Parlamentin gjerman nuk është në favor të hapjes së negociatave me BE. Për këtë arsye, sipas deputetëve, qeveria shqiptare duhet të tregojë rezultate konkrete me kriminalitetin e drogën, duke filluar nga “peshqit e mëdhenj” si ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe çdo zyrtar tjetër i përfshirë në qeveri që është përzier me narkotrafikantët dhe krimin e organizuar. Ndërkohë qeveria dhe përfaqësues të saj janë shprehur optimistë se në 6 muajt në vijim do të çelen negociatat, nisur nga rezultatet e fundit dhe kriteret e përcaktuara nga BE. Gjatë vizitës së tij, rreth një muaj më parë në Shqipëri, Thorsten Frei, anëtari i Komisionit për Çështjet e Jashtme dhe Raportues për Shqipërinë në Bundestagun gjerman, u shpreh se e ka ndjekur me vëmendje çështjen e Tahirit. Ndër të tjera ai tha se vënia para drejtësisë e ish-ministrit, si dhe politikanëve të tjerë të përfshirë në çështjen e drogës, janë kusht për çeljen e negociatave. Vetë ministri Bushati ka pranuar takimin në Berlin dhe diskutimin me deputetë gjermanë. “Një ndalesë e shkurtër në Berlin, takime me deputetë dhe ekspertë të çështjeve të Ballkanit Perëndimor. Seanca dëgjimore në Komisionin për çështjet evropiane me raporteret për Shqipërinë efektive për komunikimin e reformave në fushën e sundimit të së drejtës. Viti 2018 është një dritare e vërtetë mundësie për Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, u shpreh Bushati.

Edhe më parë, Gjermania ka kërkuar publikisht arrestimin e Saimir Tahirit. Kryetari i Grupit parlamentar për Evropën Juglindore në Bundestag, (CDU) Stephan Albani, në një bisedë me “Dojçe Velen” theksoi pak javë më parë, se imuniteti i parlamentarit është një e mirë e rëndësishme, por nga ana tjetër ai nuk është mbrojtje para një procedure ligjore. Ai shprehej se nuk e kupton dot, se si nuk i është hequr akoma imuniteti Saimir Tahirit. “Nuk arrij ta kuptoj dot për shembull, që ish-ministrit të Brendshëm nuk i hiqet imuniteti. Ne e kemi bërë këtë kushedi sa herë në Bundestag. Imuniteti i parlamentarit është një e mirë e rëndësishme, por nga ana tjetër, ai nuk është mbrojtje para një procedure ligjore që synon zbardhjen e një çështjeje”, u shpreh kryetari i Grupit parlamentar për Evropën Juglindore në Bundestag, (CDU) Stephan Albani. Ai ka qenë i prerë edhe për sa i përket kritereve që Shqipëria duhet të përmbushë që të hapë bisedimet për anëtarësim në BE. “Kuptoj ndjesinë e shumë shqiptarëve që duan të ecin përpara, që ndjejnë se nuk po bëjmë progres. Kisha edhe ambasadorin shqiptar këtu e folëm gjatë. Më duhet të them, se kriteret për fillimin e negociatave dihen, ato duhet vetëm të zbatohen, e këtu bën pjesë veçanërisht vullneti politik që siguron se korrupsioni dhe kriminaliteti i organizuar të luftohen me mjetet e shtetit ligjor”, thotë Albani.
Sigal