Gjermania nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit

134

Evropianët kërkojnë zgjidhje urgjente të krizës në Shqipëri. Numri dy i Grupit Parlamentar të partisë së Merkelit në Bundestag, Wadephule konsideron 30 qershorin si ditë votimesh dhe jo zgjedhjesh. Ai i qëndron deklaratave, se dekreti i ri i Presidentit të Republikës është rruga e vetme e pajtimit dhe çeljes së negociatave

Reagojnë në “Telegraf” Dashamir Shehi dhe Agron Duka: Evropianët kërkojnë zgjidhje të krizës në Shqipëri

Gjermania nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit

Jakup B. GJOÇA

Deklarata nga zyra e nënkryetarit të Grupit Parlamentar CDU/CSU në Bundestag, Johann Wadephul

Nënkryetari i Grupit Parlamentar CDU/CSU në Bundestag, Johann Wadephul flet për votime lokale në 30 Qershor, duke mos përmendur asnjëherë fjalën zgjedhje. Kancelaritë evropiane duket se janë të vetëdijshme se në 30 Qershor nuk pati zgjedhje por thjesht votime lokale, pasi dekreti i Presidentit sic edhe Kushtetua e përcakton e shfuqizoi këtë datë. I pyetur mbi qëndrimin e tij për 30 Qershorin dhe mundësinë e negociatave në mesin e tetorit, Wadephul është përgjigjur në mail përmes Këshilltarit të lartë për Politikën e Jashtme në Grupin Parlamentar CDU/CSU në Bundestag, Hans-Joachim Falenski. Ai pohoi se z. Wadephul nuk ka komente shtesë dhe se i qëndronte deklaratave strategjike të bëra pak javë më parë. “Në emër të z. Wadephul unë do të doja të ju falënderoja për kërkesën tuaj për një deklaratë mbi votimin lokal, më 30 qershor dhe perspektivat tuaja për marrjen e dritës së gjelbër për bisedimet e zgjerimit në mes të tetorit. Pasi ka bërë disa komente strategjike disa javë më parë z. Wadephul nuk ka ndërmend të komentojë situatën politike në këtë moment.” – thuhej në përgjigjen e e-mailit.

Por çfarë ka pohuar pak javë më para z. Wadephul ?

Në një reagim për “DW”, Wadephul komentoi në atë kohë pas dekretit të Presidentit, duke pohuar se tashmë në Shqipëri kishte një situatë të re dhe se partitë duhet të pranonin. “Pas këtij vendimi të presidentit, ekziston një situatë e re politike. Të gjitha palët tani duhet të kërkojnë rrugën e pajtimit. Këtu përfshihen zgjedhje lokale demokratike me disa kandidatë të mundshëm. Kjo presupozon që të gjithë ta pranojnë vendimin e presidentit dhe pastaj të marrin pjesë në garën politike. Çdo gjë tjetër do të ishte jo evropiane dhe do t’i forconte në mënyrë të panevojshme dyshimet mbi dobinë e një procesit të aderimit. Kështu do të krijohej një bazë e re për një bashkëjetesë paqësore mes konkurrentëve politikë. Në Evropë, çdo qeveri duhet të pranojë një opozitë kritike, dhe çdo opozitë duhet të pranojë një qeveri efektive. Kjo është një bazë qenësore për një shtet të qëndrueshëm dhe demokratik. Nëse Shqipëria dëshiron të përshkojë këtë rrugë drejt Evropës, sigurisht që do të marrë çdo mbështetje nga Gjermania”, ishte shprehur politikani i lartë gjerman.

 

Ndihmës sekretari i Shtetit Philip Reeker: Zgjidhja e krizës të vijë brenda kuadrit kushtetues

 

Philip Reeker Ndihmës sekretar shteti për Euroazinë, gjatë samitit në Uashington” ndryshe nga vartësi i tij Palmer, u ka bërë apel politikës në Tiranë, që zgjidhja e krizës të vijë brenda kuadrit kushtetues. Philip Reeker Ndihmës sekretar shteti, me zgjidhjen e krizës politike brenda kuadrit kushtetues, kupton që në Shqipëri palët politike të respektojnë Kushtetutën, ligjin dhe nuk mund të bëjnë zgjedhje pa respektuar dekretin e Presidentit të Republikës, Philip Reeker Ndihmës sekretar shteti deklaroi: “Shqipëria duhet të përdorë institucionet e saj në mënyrë që të kalojë gjendjen e sotme politike. Bojkotimi i tyre nuk është ajo që shpresuam të shohim. Ata duhet ta zgjidhin situatën brenda kuadrit kushtetues!”

 

Flasin për gazetën “Telegraf” aleatët e Opozitës, Dashamir Shehi dhe Agron Duka

Gazeta “Telegraf” u mori një prononcim aleatëve të Opozitës Dashamir Shehi, kryetar i LZHK-së dhe Agron Duka kryetar i PAA-së.

Dashamir Shehi: Evropa po “zgjohet” dhe sytë i hedh nga Shqipëria

Në fakt Nënkryetari i Grupit Parlamentar CDU/CSU në Bundestag, Johann Wadephul përherë ka mbajtur një qëndrim të njëjtë dhe më objektiv, jo sepse na intereson neve si opozitë qëndrimi i tij politik për Shqipërinë, por Waderphul nuk bën pazare me parimet e tij për demokracinë. Nuk ka sesi deputetët gjermanë të pranojnë që në 2019 në një shtet evropian, qoftë edhe Shqipëria, të bëhen zgjedhje pa opozitë. Sistemi monist ka rënë në 1989 dhe nuk mund të rilindë më 2019. Por, do të thosha se është pozitive që deputetët gjermanë reagojnë publikisht. Situata në Shqipëri është e vështirë, prandaj edhe ndërkombëtarët ndërgjegjësohen. Raporti i OSBE-së në Tiranë e tha qartë se në 30 qershor nuk kishte garë politike, por votime moniste. Raporti 2018 i DASH që theksoi se Shqipëria është vendi më i korruptuar në Ballkan, Raporti in ditëve të fundit të Antimafies Italiane që Shqipërinë e cilëson kanalin kryesor të furnizimit me drogë për Italinë, publikimet e mediave gjermane, angleze, italiane, të gjitha këto i tregojnë botës fytyrën e vërtetë të qeverisë së Ramës. Besoj se në vjeshtë, nga shtatori do të kemi zhvillime dhe do gjenden rrugët e zgjidhjes së krizës.

Agron Duka: Nga vjeshta do ketë zgjidhje të krizës. Zgjidhja do vijë përmes zgjedhjeve të lira

Ka filluar të duket dritë edhe nga reagimi i ndërkombëtarëve, të cilët po binden se shkaku i krizës politike në Shqipëri është arroganca për të bërë votime pa opozitën, korrupsioni dhe inkriminimi i pandëshkuar i qeverisë. Në përgjithësi ka qëndrime pozitive nga ndërkombëtarët. Ishim edhe në Vjenë në takimin me OSBE-në. Kam përshtypjen se do të ketë zgjidhje. Deri tani edhe Evropa kishte hallet e saj me zgjedhjet euro-parlamentare. Nga vjeshta do të ketë lëvizje që ata të ndihmojnë në zgjidhje të krizës politike. Dhe zgjidhja e krizës politike do të vijë vetëm nëpërmjet zgjedhjeve të lira.