Sigal

Deputeti gjerman Lober: Reforma zgjedhore duhet të marrë mbështetjen edhe të partive joparlamentare. Duhet të bindni të gjitha vendet anëtare të BE-së për reformat që duhet të bëni. Keni 35 kapituj anëtarësimi për të përshkuar, zhvillimet pozitive të konstatohen në ekonomi, në drejtësi, në stabilitetin politik dhe në luftën kundër krimit e korrupsionit

Petraq BARJAMI

Edhe pse maxhoranca të enjten e parë, pasi dështoi votimi i projektligjit “Për Magjistraturën” deklaroi se nuk do të rikthehet tek konsensusi i 23 korrikut 2016 dhe se mund ta bëjnë vetë gjithë operimin e sistemit të drejtësisë, dje, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla, dëftoi se maxhoranca tërhiqet dhe fillon të nderë dorën e bashkëpunimit ndaj opozitës.

Ftesa ndaj Opozitës: Jo paketa 6 pika, por projektligjin bëjeni ju

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla, në takimin me deputetin gjerman socialdemokrat Nikolas Lober, ftoi opozitën, që të përgatitë ajo amendamentin për projektligjin “Për Magjistraturën” dhe maxhoranca do ta votojë. Kjo ftesë, nuk e dimë sa e sinqertë është, mbase edhe u bë, për t’i thënë deputetit gjerman, se maxhoranca e fton opozitën në dialog, maxhoranca është e gatshme për kompromis me opozitën. Mirëpo, kjo ftesë e Ballës për opozitën, mund të kamuflojë edhe qëllimin e maxhorancës. Që maxhoranca nuk tërhiqet nga projektligji “Për Magjistraturën”, nuk do që të rikthehet tek konsensusi i korrikut 2016, por mbi të gjitha, Balla i thotë opozitës, që maxhoranca nuk do të pranojë 6 pikat e kushtit të opozitës për të filluar dialogun e zgjidhjes së kolapsit të reformës në drejtësi. Taulant Balla: PS bëri të gjitha përpjekjet për të garantuar votën e cilësuar në Kuvendin e Shqipërisë, pra 84 vota në funksion të rivendosjes në afat të një dispozite kalimtare që ka të bëjë me pranimet në Shkollën e Magjistraturës dhe të rishprehim gatishmërinë tonë që që në seancën e parë të 3 shtatorit, vendimi i parë që duhet të votojmë bashkë me PD dhe LSI është pikërisht mundësimi i pranimeve të reja në shkollën e Magjistraturës. shprehje nga ana jonë e kësaj gatishmërie përmban në vetvete edhe propozimin tonë për opozitën le ta shkruajnë ata amendamentin dhe ne do ta votojmë.

Opozita heshti, ndoshta nuk e pranon ftesën e Ballës

Opozita edhe dje vazhdoi akuzat ndaj maxhorancës për kapjen e drejtësisë, për qëllimin e saj të shkatërrimit të Gjykatës Kushtetuese, për manipulimin e procesit të vettingut, por, asnjë deputet i opozitës nuk iu referua ftesës së Taulant Ballës. Ndoshta e shpërfilli. Ndoshta akoma nuk kanë vendosur t’i përgjigjen. Gazeta “Telegraf” iu drejtua disa deputetëve të PD-së për të marrë një prononcim, si e pret PD-ja ftesën e Taulant Ballës për të gjetur një kompromis për projektligjin “Për Magjistraturën”, mirëpo deputetët e opozitës kanë filluar banjat popullore, dhe ndoshta presin të freskohet edhe moti nga shtatori, që të kenë ngenë të merren me …politikë.

Deputeti i Bundestagut gjerman Nikolas Löbel: Reforma zgjedhore duhet të miratohet edhe nga partitë joparalmentare

 Deputeti i Bundestagut gjerman Nikolas Löbel në takimin e kryetarin e Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla, në vizitën e vet në Tiranë, theksoi me të madhe rëndësinë e kryerjes së Reformës Zgjedhore, jo vetëm e miratuar nga partitë parlamentare, por të ketë mbështetjen edhe të të gjitha partive të tjera, duke u kujtuar maxhorancës, se reforma zgjedhore është testimi kryesor I Shqipërisë për hapjen e negociatave, aq më tepër që zgjedhjet vendore në Shqipëri në 2019-n do të bëhen afërsisht në qershor, më herët sesa BE-ja të shqyrtojë progresin e Shqipërisë.

Reforma Zgjedhore është shumë e rëndësishme për të krijuar një stabilitet të fuqishëm politik dhe duhet të marrë mbështetjen jo vetëm të shumicës parlamentare, por edhe përtej, për të qenë një reformë e qëndrueshme. Janë 35 kapituj anëtarësimi, të cilët duhen përshkuar”,- tha deputeti gjerman Label.

 Deputeti i Bundestagut: Bindni edhe Evropën, që keni bërë reformat

Deputeti i Bundestagut gjerman Nikolas Löbel i bëri thirrje politikës shqiptare se nuk mjafton që të bindet vetëm Gjermania, por e gjithë Europa. Nikolas Löbel: Evropa është një bindje dhe për të krijuar këtë bindje nuk duhet bindur vetëm Gjermania, por të gjitha vendet e BE dhe për këtë është krijuar një plan kohor që në pranverën e 2019 do të jetë KE që do të prezantojë një progres raport dhe në bazë të këtij progres raporti do të merret vendimi. Fillimi i bisedimeve për anëtarësimin në BE nuk është fundi i një procesi por fillimi i tij, dhe 92% e shqiptarëve duan të jenë pjesë e BE dhe kjo është gjë e mirë për BE. Viti 2019 është vit i rëndësishëm për Shqipërinë, për të cilin po punojmë së bashku për inicimin e bisedimeve për në BE. Por është një vit që është i mbushur edhe me sfida dhe për t’i përballuar ato jemi duke punuar me qeverinë shqiptare në mënyrë që zhvillimet pozitive të konstatohen në ekonomi, në stabilitetin politik, në drejtësi, në luftën kundër korrupsionit”.