Gjermania e do Shqipërinë koloni për investime, shqiptarët nuk i pranon për emigrantë

515
Tashmë po bëhet mëse e qartë, përse kancelarja Merkel erdhi vizitë të rrufeshme në Shqipëri dhe në Serbi e Bosnjë në fillimkorrikun e 2015. Kancelarja gjermane Merkel, erdhi në Tiranë, në vizitën e parë 5 orëshe, vetëm e vetëm që t’i shtrëngojë “vidhat” qeverisë shqiptare, që të pengojë me çdo kusht emigrimin e shqiptarëve drejt Gjermanisë. Gjithashtu, Merkel, kërkoi nga qeveria shqiptare, që të krijojë kushte sa më të favorshme, për bizneset gjermane në Shqipëri. Asgjë tjetër. Kancelarja gjermane Merkel, për të shuar çdo iluzion të shqiptarëve, për ndihmë konkrete për integrimin e Shqipërisë në BE, deklaroi kategorikisht, që ky proces do të zgjatë shumë kohë, pa dhënë asnjë shpresë për një integrim kohëafat të shkurtër. Mirëpo, mjerimi, varfëria ekstreme, papunësia, mungesa e shpresës për investime, për punësime në Shqipëri, e sidomos në zonat rurale shumë të varfëra, i detyrojnë shqiptarët, që të braktisin shtëpitë dhe kolektivikisht të dynden drejt vendeve europiane, dhe sidomos në Gjermani, për të kërkuar aty një shpresë mbijetese. Varfërinë, papunësinë, mjerimin nuk mund ta ndalosh me masa policore, as me politikë përjashtuese nga vendet europiane. 
Sigal

Shteti gjerman i zbon azilkërkuesit shqiptarë me çdo kusht, me çdo mjet

Është ironi e madhe, që Gjermania, por edhe vendet e tjera të BE, të pranojnë ai azilkërkuesë qindra mijëra emograntë nga vendet afrikane dhe aziatike, kur ndërkohë, të mos pranojnë si emigrantë shumë-shumë 50.000 shqiptarë, edhe pse gjeografikisht jemi Europë. Shqiptarët e rrëzuan diktatutën, sepse kërkonin demokraci. Dhe demokraci, pa mirëqënie sociale e materiale, nuk mund të ketë kurrë. Nuk mundet që edhe sot shqiptarët të hanë bar, e të jetojnë në mjerim e varfëri ekstreme, për hir të integrimit, apo të ruajtjes së statukuosë të “Shengen”. Nëse Europa e do Shqipërinë, por edhe Kosovën, të integruar në BE, ky integrim vjen së pari me mirëqënie ekonomike. Kur Europa ende refuzon që të investojë në Shqipëri, të krijojë mundësira dhe perspektiva për hapjen e vendeve të punës, por, njëkohësisht, kërkon që të pengojë me masa policore emigrimin e shqiptarëve, atëhere Europa ka vrasë së pari, shpresën e shqiptarëve që të integrohen në BE, duke i mbajtur të izoluar në mjerim, në papunësi, si dikur diktatura, që i izolonte shqiptarët nga Europa dhe Demokracia, me tela dhe gjemba. Dje shqiptarët i izoloi diktarura për ideologji, sot t’i izolojë BE, për parimet e …integrimit. E vërteta është që shteti gjerman, qysh në fillim, ka bërë gjithçka që azilkërkuesit shqiptarë e kosovarë, t’i zbojë nga Gjermania, madje, edhe duke shkelur ligjet e tyre për emigracionin, për azilkërkuesit. Fillimisht, Gjermania kërkon që Shqipërinë dhe Kosovën ta cilësojë “vend të sigurtë”, që t’u heqë azilkërkuesve shqiptarë të drejtën e azilit, sipas ligjit të emigracionit gjerman, të miratuar në 2013. Natyrisht, që shqiptarët emigrantë nga Shqipëria dhe Kosova nuk mund të jenë të gjithë azilantë politikë, por, kjo nuk mund t’i japë të drejtën Gjermanisë, që përballë faktit, që shqiptarët, të detyruar nga mjerimi ekstrem, papunësia reale në Shqipëri dhe Kosovë, që është në shifrat 40-55%, të mos kërkojnë mbijetesën e familjeve të tyre në një vend europian, anëtarë të Bashkimit Europian, në të cilën ne aspirojmë që të integrohemi. Shqiptarët, në mjerimin ekstrem, me shpresën e vdekur për punësim dhe barkëtharë, nuk mund të presin dekada integrimin, me fjalë e parrulla. Integrimi i shqiptarëve në BE, aspiron mirëqënie dhe kur kjo shpresë ka vdekur në Shqipëri, askush nuk ka të drejtë, e ca më pak një shtet si Gjermania, që me masa policore ta ndalojë barkëtharin, të papunët të kërkojnë një mundësi jetese më të mirë. Gjermania, u ndaloi azilantëve shqiptarë ndihmesën ekonomike, që parashikon ligji i emigracionit gjerman, i ka përqëndruar në kampe të atilla, që më shumë ngjajnë me kampe përqëndrimi të një kaluarës së hidhur. Gjermania kërkon që emigrantët që rikthen në Shqipëri, të paguajnë edhe shpenzimet e udhëtimit. Tani Gjermania sillet me emigrantët shqiptarë me pabesi, duke i paketuar në avionë, thua se janë amballazhe dhe i sjell në Rinas, edhe duke i gënjyer për destinacionin, sikurse u ankuan azilkthyesit shqiptarë dje nga shteti gjerman, kur në Gjermani, këtyre azilkërkuesve shqiptarë, gjermanët u thanë që do t’i çonin në një qytet tjetër gjerman. Ministri gjerman i punëve të Jashtme, Valter Shtanmajer, në një intervistë për revistën prestigjioze gjermane “Bild” ka kërkuar përshpejtimin e procedurave për largimin e azilkërkuesve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Serbia. “Ky grup emigrantësh nga Ballkani perëndimor nuk ka gjasa të fitojë statusin e refugjatëve. Është e nevojshme që me shpejtësi të miratohet një vendim dhe të veprohet”, ka thënë shefi i diplomacisë gjermane. Në datën 9 shtator në takimin e kancelares Merkel me presidentët e landeve pritet të shpallë si vende të sigurta origjine Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi. Ky vendim i Gjermanisë, do të ketë për pasojë që 99% e kërkesave bërë nga azilkërkues në Gjermani, nga këto vende të refuzohet, 
Gjermania e përdor Shqipërinë si koloni për investimet e saj
Gjermania mundohet, nga ana tjetër, që Shqipërinë ta shfrytëzojë si koloni për bizmenmenët e tyre, që ata të investojnë në Shqipëri me klimë sa më të favorshme për ta, që do të thotë, t’u krijohen të gjitha lehtësitë fiskale, por që pastaj, fitimet, 100 % t’i tërheqin në Gjermani, pa riinvestuar më asgjë në Shqipëri. Kështu, praktikisht ndodh me shumë kompani të fuqishme gjermani, të cilat, me koncensionet e tyre, e kanë kthyer monopol, sikurse ndodh me koncensionin e aeroportit, ku gjermanët pengojnë hapjen e aeroporteve të tjera në Shqipëri, ngaqë nuk u leverdis atyre ekonomikisht, por që dëmtojnë interesat e shqiptarëve. Ndërsa kompania celulare gjermane në Shqipëri, jo vetëm që nuk riinveston pjesë të fitimeve të saj, por siç ndodhi këto ditë, përgjatë bregdetit tonë, bllokon shërbimet për shqiptarët, duke i detyruar ata që të marrin me Roaming shërbime nga kompania celulare gjermane në Greqi, duke rritur artificialisht tarifat. Gjermania e do Shqipërinë edhe si një treg për të importuar, shitur produktet e saj, ndërkohë që prodhimet shqiptare kanë peshë të papërfimshme në tregun gjerman. 
LISTA E KTHIMIT TË AZILKËRKUESVE GJATË MUAJIT GUSHT, SHTATOR
Njëmbëdhjetë fluturime me avionë charter janë përcaktuar deri më 30 shtator 2015 për kthimin në atdhe të azilkërkuesve shqiptarë dhe rajoni, të cilëve u është refuzuar azili në Gjermani. Ambasada Gjermane publikoi datat kur do të bëhet kthimi i tyre gjatë muajit gusht dhe shtator 2015 Emigrantët do të riatdhesohen nga Policia Federale/Landet Federale. Gjermania do të kthejë 770 azikërkues shqiptarë.
20.08.2015 rreth 70 shqiptarë dhe 70 kosovarë
26.08.2015 rreth 70 shqiptarë dhe 70 kosovarë
02.09.2015 rreth 70 shqiptarë 
Data e saktë nuk është përcaktuar ende përfundimisht.
03.09.2015 rreth 70 shqiptarë dhe 70 kosovarë
10.09.2015 rreth 70 shqiptarë dhe 70 kosovarë
15.09.2015 rreth 70 shqiptarë dhe 70 maqedonas
16.09.2015 rreth 70 shqiptarë dhe 70 serbë
17.09.2015 rreth 70 shqiptarë dhe 70 kosovarë
22.09.2015 rreth 70 shqiptarë dhe 70 kosovarë
29.09.2015 rreth 70 shqiptarë
30.09.2015 rreth 70 shqiptarë dhe 70 kosovarë