Gjermani, bien partitë e mëdha, Merkel sërish kancelare

586
Kristiandemokratët dhe socialdemokratët në rënie të ndjeshme, rriten ekstremistët e djathtë. “Angie”, gati për mandatin e katërt
Angela Merkel arriti dje fitore për një mandat të katërt në zgjedhjet federale, një arritje historike. Por partia e saj Kristian Demokrate mundi të sigurojë një numër më të vogël votash nga sa parashikohej. Ndërkohë, partia populiste e ekstremit të djathtë arriti të fitojë një numër më të madh votash nga sa parashikuan të gjitha anketat. Sipas anketave paszgjedhore të publikuara menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimeve, Partia Kristian Demokrate e Merkelit dhe partia e saj simotër bavareze, Unioni Social Demokrat, siguruan 32,5 për qind të votave. Merkel bëhet kështu një prej tre kancelarëve gjermanë pas Luftës së Dytë Botërore që zgjidhet për një mandat të katërt. Menjëherë pas publikimit të rezultateve të para, Merkel tha se kishte siguruar mandatin për formimin e qeverisë së re me bllokun e saj konservator. Përkrahësit e Merkelit të mbledhur para zyrave të partisë së saj, e përshëndetën atë me duartrokitje dhe thirrjet entuziaste “Angie!” Merkel pranoi se “do të donte që partia e saj të siguronte rezultate më të mira”. Por ajo tha se partia e saj ka 12 vjet që është në pushtet, duke shtuar se, katër vitet e fundit kanë qenë një “sfidë e jashtëzakonshme”. “Le ta themi hapur, natyrisht që do të kishim preferuar një rezultat më të mirë, kjo është plotësisht e qartë. Por të mos harrojmë se, sapo kemi dalë nga një periudhë legjislative me shumë sfida. Kjo është arsyeja, që ne së bashku jemi të lumtur që arritën objektivat tona strategjike të fushatës zgjedhore”, tha Merkel. Anketat paszgjedhore treguan se blloku konservator i Merkelit doli fitues në zgjedhjet e djeshme, por fitorja nuk ishte aq e bindshme sa ajo e vitit 2013. Partia e dytë gjermane për nga madhësia, ajo Social Demokrate e qendrës së majtë, që ishte partnerja e vogël në qeverinë e deritanishme të Merkelit, mundi të sigurojë vetëm 20 për qind të votave. Kjo është paraqitja më e dobët në votime e kësaj partie që nga viti 2009. Kjo parti deklaroi se do të qëndronte në opozitë dhe nuk do krijonte një koalicion të madh me Angela Merkelin. Por një pikëpyetje e madhe shoqëroi të gjithë ditën e votimeve, krahas me fundin e periudhës tre-mujore të fushatës së ethshme zgjedhore: në se nacionalistët reaksionarë do të mund të hyjnë në Bundestagun e Gjermanisë për herë të parë që nga periudha e nazizmit. Kjo do të shënonte një kthesë të fortë për një vend që ka vendosur kufizime në gjuhën e fjalimeve politike dhe tregohet i kujdesshëm për çdo shprehje dramatike të nacionalizmit. Anketat paszgjedhore treguan se partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë, ka fituar më tepër vota nga sa parashikohej. Dalja nga votimet e partisë nacionaliste AfD si forcë parlamentare e ndërlikon zgjedhjen e Merkelit për partnerë koalicioni. Në një intervistë të botuar dje në gazetën “The Washington Post”, Alexander Gauland, një nga drejtuesit e partisë AfD, tha se e ardhmja e kësaj partie është përmirësuar, falë politikës së dyerve të hapura të Merkelit për refugjatë e luftërave në Lindjen e Mesme. “Politika e zonjës Merkel për mirëpritjen e refugjatëve, armiqësoi një numër të madh votuesish, gjë që shihet në demonstratat kundër zonjës Merkel, të cilat ne i kemi quajtur si demonstrata ‘Merkel duhet të largohet’”, tha ai. I pyetur lidhur me dhunën ekstremiste kundër pakicave në Gjermani, Gauland tha se, “ne nuk kemi të bëjmë aspak me ekstremizmin. Ne nuk kemi të bëjmë aspak me dhunën ndaj njerëzve.”

Sigal